Të fundit
Përkundër që ekzistojnë mbi 8,500 OJQ të regjistruara dhe disa të tjera që janë nisma të paregjistruara, numri i OShC-ve aktive në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,500. Më pak se 1,000 OShC kanë pasur ndonjë aktivitet financiar ose të punësuar gjatë vitit 2015. Shumica e sektorit përbëhet nga OShC të vogla, si në kuptim të fondeve ashtu edhe të stafit. Sektori dominohet nga OShC-të me qendër në Prishtinë apo qendrat tjera rajonale të Kosovës. Trendi i regjistrimit të OJQ-ve të reja ka qenë stabil përgjatë gjashtë viteve të fundit, me rreth 500 OJQ të reja që regjistrohen çdo vit. Duke pasur vetëm dy forma ligjore të regjistrimit të OJQ-ve, shumica dërrmuese e OJQ-ve vendore (96.2%) janë të regjistruara si shoqata, ndërsa pjesa e mbetur prej 3.8% janë të regjistruara si fondacione. Në mesin e fondacioneve të regjistruara është vetëm një që është regjistruar në bazë të kapitalit fillestar. Fushat e deklaruara në momentin e regjistrimit kanë prirje të jenë sa më të përgjithësuara në mënyrë që të lejohet fleksibiliteti i punës. Kjo tregohet nga fakti se pjesa më e madhe e OShC-ve të kategorizuara si “të tjera” në Regjistrin Publik të OJQ-ve hyjnë në kategorinë dykuptimëshe “shoqëria për shoqëri”. OJQ-të vendosen në këtë kategori kur misioni dhe fusha e veprimtarisë së tyre janë tepër të përgjithëshme për t’u futur brenda ndonjë kategorie të veçantë.