Shkolla për Integrim Europian me program të ri!
Integrimi në Bashkimin Europian (BE) është prioritet për qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës dhe në këtë rrugëtim duhet të kontribuojnë të gjithë. Prandaj, në vitin 2005 është themeluar “Shkolla për Integrim Europian” (SHIE) me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe informimin e drejtë të shoqërisë kosovare mbi Bashkimin Europian dhe procesin e integrimit europian të Kosovës.
Pas më shumë se 13 viteve ekzistencë, me 23 gjenerata të kaluara dhe me mbi 1100 pjesëmarrës, SHIE është ri-dizajnuar me një format të larmishëm në përputhje edhe me nevojat dhe kërkesat specifike të audiencës.
Përmes këtij programi, qytetarët dhe OSHC-të kanë mundësi të rifreskojnë njohuritë, duke marrë pjesë në ndonjërin nga trajnimet apo ligjëratat e hapura, ku ekspertë të ndryshëm diskutojnë mbi sfidat dhe problemet e procesit të integrimit ose të bashkohen në punëtoritë tematike ku diskutohen tema specifike mbi politikat e përbashkëta sektoriale që preken nga marrëdhënia me BE-në.
Në formatin e ri, përgjatë një viti kalendarik, Shkolla për Integrim Europian do të organizojë një sërë aktivitetesh të cilat do të përfshijnë:
Trajnime një ditore: “BE në 1 ditë”
Përgjatë 1 dite, pjesëmarrësve nga sektorë të ndryshëm do t’i mundësohet ofrimi i informatave të përgjithshme për BE-në çka do të shërbejë si orientim, por edhe rifreskim i njohurive të përgjithshme mbi BE-në dhe institucionet e saj.
Ligjërata të hapura
Ligjëratat e hapura do të sjellin tek pjesëmarrësit një dimension më interesant në përputhje me zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit europian. Këto ligjërata do të mbahen nga ligjërues të mirënjohur vendor dhe ndërkombëtar, ekspertë me zë në tema aktuale, të cilët do të sjellin këndvështrimet e tyre në lidhje me dinamikat apo çështjet aktuale të cilat prekin nga afër Kosovën.
Punëtoritë tematike
Punëtoritë tematike do të organizohen në grupe homogjene të cilat do të mbledhin pjesëmarrës të cilët janë të interesuar të adresojnë çështje specifike që kanë të bëjnë me politikat specifike që lidhen me prioritetet e agjendës së Integrimit Europian të Kosovës. Punëtoritë do të udhëhiqen nga ekspertë vendorë, rajonal apo ndërkombëtarë varësisht prej temës së diskutimit.
Këto aktivitete do të mbahen nga personalitete dhe figura të shquara akademike, njohës të fushës, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Njoftimi mbi specifikat e mëtejshme, si dhe kriteret e aplikimit do të komunikohen së bashku me thirrjet relevante për secilin prej aktiviteteve.