Nga Venera Hajrullahu

Njëzet vite më parë, tregimi ynë ishte një tregim i thjeshtë mbijetese. Tregim për rimëkëmbjen e një vendi të bërë shkrumb e hi. Pas dhjetë vitesh u bë një tregim sfidash për të ndërtuar jetë. Tregim i njerëzve që nuk ikin. I njerëzve të kujdesshëm dhe atyre që i rritë kujdesi. I një dashurie të re, të pa kompromis, që rritet vazhdimisht. Tregim i planeve të mëdha, dhe një entuziazmi edhe më të madh. Tregim i idealeve dhe i miqve që i mbështesin ato.

Nevoja për qytetari aktive dhe një sektor të fuqishëm të shoqërisë civile u pa shumë kohë para luftës, dhe i dha jetë asaj që së shpejti do të bëhej Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Periudha e pasluftës solli shpresë, por bashkë me të edhe edhe një mori sfidash të reja. Tranzicionet e shumëfishta që po ndodhnin njëkohësisht e shpërfaqën mungesën e kapaciteteve dhe vështirësinë për të absorbuar ndihmën që na jepej. Njerëzit duhej të vetëdijësoheshin për rolin e tyre në sferën publike. Organizatat e shoqërisë civile kishin nevojë për udhëzime mbi parimet e punës në sektorin joqeveritar, por edhe ndihmë operative. Institucionet kishin nevojë për ndihmë në shumë fusha. Të gjithëve na ishte dhënë një mundësi unike për të ndërtuar një vend të ri dhe për ta bërë atë funksional. Pas secilit hap që bënim, rruga kah ishim nisur dukej se vetëm sa zgjatej.

Edhe sot, ambienti në të cilin veprojmë është i pasigurtë, i ndërtuar në sfondin e një hapësire qytetare që në Evropë po ngushtohet çdo ditë e më shumë. Krejt kjo derisa ne po përpiqemi ta sjellim frymën e BE-së në Kosovë dhe të vendosim një shembull për bashkëpunim rajonal.

Për të ndikuar në ndryshime sistemike dhe në procese duhet qëndrueshmëri dhe këmbëngulje.

Ne po që kemi këmbëngulur – atë që e marrim përsipër ne e bëjmë!

Kemi shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese vetëm për të dëshmuar se në demokraci institucionet shtetërore mund të sfidohen. Kemi obliguar qeverinë që t’i dëgjojë qytetarët përpara se të miratojë ligje ose politika të reja. Kemi edukuar me mijëra vendimmarrës mbi atë se çfarë është BE-ja dhe si përkthehen vlerat e saj në procesin e shtet-ndërtimit.

Para se të arrijmë të funksionojmë si demokracitë të cilat i aspirojmë, kemi kuptuar se së pari duhet ta bëjmë më të mirë Kosovën. Dhe ku të fillojmë nëse jo nga oborri ynë? Duam të jemi shembull. Në kohë të mira dhe të vështira, transparenca dhe pavarësia që kemi në KCSF na kanë ndriquar rrugën para nesh.

Nuk është citat i imi, por me kohë është bërë mantra ime: “Askush nuk është perfekt, por një ekip mund të jetë.”

Realiteti i KCSF-së është edhe më i bukur sesa fjalët që mund të thuhen. Ne jo vetëm që e plotësojmë njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur, por ky relacion na ka lejuar gjithashtu që ta fuqizojmë njëri-tjetrin. Jemi rritë së bashku përmes një vizioni të përbashkët.

Secili prej nesh kemi dhënë shumë dhe kemi marrë shumë nga njëri tjetri, por të gjithë ne kemi dhënë gjithçka për organizatën. E kemi trajtuar organizatën si një institucion të domosdoshëm për Kosovën, dhe kjo e ka rritë KCSF-në përtej nesh si individë.

Ambicia, përkushtimi dhe talenti brenda KCSF-së është në kontrast të thellë me rritjen e apatisë qytetare në Kosovë. Edhepse sfidat ndonjëherë duken si të pakapërcyeshme, mundësia për të dhënë kontribut për vendin dhe shoqërinë tonë është shumë e madhe. Por thelbësor për këtë kontribut mbetet besimi në ndryshim.

Njëzet vjet pas, tregimi ynë është një histori e thjeshtë njerëzish që besojnë në atë që bëjnë. Asnjë projekt, kurrë nuk ishte vetëm “projekt” në KCSF. Çdo angazhim i yni në radhë të parë ka synuar ndryshimin pozitiv për vendin dhe jetën tonë. Kontributi ynë mund të jetë vetëm një pikë e vogël në oqeanin e nevojave të mëdha, por ne besojmë thellë që nëse të gjithë bëjmë nga pak, të gjithë bashkë do t’a kemi shumë më mirë.

Tregimin tonë të plotë e gjeni KËTU!