PJESËMARRJA E SHOQËRISË CIVILE NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN
1. Cili është roli i shoqërisë civile në procesin e integrimit europian?
Shoqëria civile ka rol të rëndësishëm në hartim dhe zbatim të politikave sidomos në kuadër të procesit të integrimit europian. Rëndësia e bashkëpunimit me shoqërinë civile është vënë në pah me futjen e nenit 11 në Traktatin e Lisbonës të Bashkimit Europian në të cilin ceket rëndësia e dialogut civil, si dhe me kushtëzimin nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor që të stimulojnë këtë dialog në mënyrë që shoqëria civile të ushtrojë rolin e saj në këtë proces dhe të ngrejë nivelin e përfaqësimit demokratik të shoqërisë. Në Kosovë pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian zhvillohet në dy platforma: në atë të bashkëpunimit shoqëri civile – institucione të BE-së dhe shoqëri civile – institucione vendëse.
2. Cilët mekanizma të BE-së janë të hapur për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë?
Mekanizmat kryesorë të bashkëpunimit në mes të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE-së në Kosovë janë: Dialogu i procesit të Stabilizim – Asociimit (DpSA), Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR), IPA – Programimi i asistencës së paraanëtarësimit dhe kontributi i OShC-ve në Raport të Progresit.
- Qëllimi kryesor i takimeve politike dhe teknike në kuadër të dialogut të Procesit të Stabilizim -Asociimit është për të përcjellë dhe monitoruar reformat e Kosovës dhe procesin e përafrimit me BE-në. Në kuadër të dialogut politik , për çdo vit OShC-të ftohen në një takim, i cili zhvillohet një ditë para seancës plenare të DpSA-së, ku ato kanë mundësi të japin vlerësimet dhe shqetësimet e tyre për zhvillimet e fundit, bazuar në fushën e ekpertizës së tyre, ndërsa përfaqësuesit e KE-së këto pyetje dhe çështje i ngrenë zyrtarisht gjatë takimit zyrtar plenar mes KE-së dhe autoriteteve kosovare.
- Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR) është instrumenti kryesor i Komisionit Europian për përkrahjen e shoqërisë civile dhe në Kosovë ky instrument është implementuar që nga viti 2008.
- IPA – Programimi i asistencës së paraanëtarësimit (IPA) është instrument i Komisionit Europian, i cili ka për qëllim asistencën teknike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe, së fundmi, OShC-të të konsultohen edhe gjatë programimit të Dokumentit Indikativ për Planifikim Shumëvjeçar (MIPD).
- Raporti i Progresit – Zyra Europiane në Kosovë po ashtu fton për komente OShC-të për përgatitjen e Raportit të Progresit, ku shoqëria civile ka rastin t’i dërgojë inputet e saj direkt tek Zyra e BE-së për fushat të cilat ata kanë ekspertizë.
3. Çka është Dialogu i procesit të Stabilizim – Asociimit?
Komunikata “Kosova – përmbushja e perspektivës europiane”, e miratuar nga Komisioni në nëntor 2009, filloi një dialog politik të intensifikuar, Dialogun e procesit të Stabilizim – Asociimit. Në kuadër të DpSA mbahen takime politike dhe teknike për të përcjellë dhe monitoruar reformat e Kosovës dhe procesin e përafrimit me BE-në, në veçanti lidhur me prioritetet e përkufizuara në Partneritetin Europian, i miratuar nga Këshilli i Europës më 18 shkurt 2008. Mbledhjet e Dialogut të PSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Europian dhe Qeveria e Kosovës. Çdo mbledhje rezulton me veprime pasuese të pajtuara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet kosovare. Takimet plenare të dialogut të PSA-së mbahen një herë në vit. Deri tani janë organizuar dhjetëra takime për të thelluar diskutimet teknike në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë; inovacionit, shoqërisë së informatës, dhe politikave sociale; tregtisë; tregut të brendshëm dhe konkurrencës, bujqësisë dhe peshkatarisë; transportit, ambientit, energjisë dhe zhvillimit rajonal; zhvillimit ekonomik. Mbledhjet sektoriale të Dialogut të PSA-së mbahen një herë në vit, në Prishtinë ose në Bruksel. Koha midis mbledhjeve mundëson zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të pajtuara.
4. Cilët mekanizma të Qeverisë së Kosovës janë të hapur për shoqërinë civile në Kosovë?
Mekanizmat kryesorë të Qeverisë së Kosovës që janë të hapur për shoqërinë civile janë: : 1) Këshilli Kombëtar për integrim evropian i udhëhequr nga Presidenca; 2) Task Forca për integrim evropian e udhëhequr nga Ministria e Integrimit Evropian; 3) Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës; 4) Ministria e Integrimit Evropian, kryesisht për programimin e asistencës financiare dhe zbatimin e projekteve nga fusha e edukimit, e komunikimit dhe e informimit.
5. Cili është roli i Këshillit Kombëtar për Integrim Europian?
Këshilli Kombëtar për Integrim Europian i udhëhequr nga Presidenca (KKIE) është forum konsultativ dhe koordinues, i cili synon formulimin e politikave konsensuale kombëtare të Republikës së Kosovës për integrim evropian, duke lehtësuar koordinimin e aktiviteteve të të gjitha palëve të përfshira. Këshilli është formuar dhe udhëhiqet nga Presidentja e Kosovës.
Në këtë strukturë shoqëria civile është e përfaqësuar me tre anëtarë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile janë përzgjedhur pas një procesi të hapur të nomiminit. Tre përfaqësuesit e shoqësisë civile vijnë nga organizata me përvojë dhe projekte nga fusha e integrimit europian, si Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ose përfaqësojnë rrjete me ndikim në Kosovë sikur Platforma Civikos.
6. Cili është roli i Task Forcës për Integrim Europian?
Task Forca për Integrim Europian është mekanizëm kombëtar i zhvillimit të konsensusit që synon të mbledhë ekspertë të ndryshëm nga mbarë strukturat qeveritare dhe joqeveritare të vendit me qëllim të diskutimit dhe analizës së gjithmbarshme të gjendjes momentale, dhe të sfidave që duhet adresuar në kuadër të procesit të integrimit europian. Task Forca ka për qëllim të shumëfishojë përpjekjet dhe angazhimin përmes pjesëmarrjes dhe kontributit të të gjithë aktorëve në qeverisje, politikë, jetën akademike, shoqëri civile, media, dhe të tjerë me interes në proces të integrimit europian. Kjo po bëhet përmes organizimit të punës në 7 tryeza tematike. Në këtë strukturë ftohen përfaqësuesit e shoqërisë civile bazuar në ekspertizën e tyre në sektorë të caktuar për të kontribuuar dhe parashtuar shqetësimet e tyre, ndërsa disa nga tryezat tematike edhe udhëhiqen nga ekspertë që vijnë nga shoqëria civile. Duke u bazuar në sfidat e dala nga tryezat tematike, Task Forca do të dalë me rekomandime konkrete për politikat strategjike mbi procesin e integrimit europian. Synimi kryesor i Task Forcës është zhvillimi i Strategjisë Nacionale për Integrim Europian.
7. Si është e përfshirë shoqëria civile në programimin e IPA – së dhe EIDHR – së?
Instrumenti i asistencës së paraanëtarsimit (IPA) është instrument i Komisionit Evropian, i cili ka për qëllim asistencën teknike drejtuar vendeve me perspektivë anëtarësimi. Zyra e BE-së në Kosovë i konsulton OShC-të për përshkrime të projekteve përmes një komisioni të përbashkët të monitorimit për të siguruar efikasitetin më të mirë të ndihmës dhe shmangjen e duplifikimeve. Gjithashtu, shoqëria civile konsultohet edhe gjatë programimit të Dokumentit Indikativ për Planifikim Shumëvjeçar (MIPD), si dhe planeve vjetore për asistencë nga IPA-ja për Kosovën e po ashtu edhe asistencës direkte për shoqërinë civile qoftë përmes IPA-së apo instrumentit EIDHR rajonal apo të Kosovës.
8. Çka është Raporti i Progresit i Komisionit Europian dhe cili është kontributi i shoqërisë civile në hartimin e raportit të progresit të KE-së për Kosovën?
Raportet e progresit nxirren nga Komisioni Europian për secilin vend të Ballkanit Perëndimor të përfshirë në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Këto raporte përshkruajnë marrëdhëniet në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Zakonisht këto raporte Komisioni Europian i nxjerr në vjeshtë të çdo viti. Raportet janë pasqyrim njëvjetor i të arriturave, ngecjeve dhe sfidave nga reformat që dalin nga kriteret e Kopenhagës, pra kriteret politike, ekonomike dhe standardet europiane. Përmes Raportit të Progresit bëhet një shqyrtim i kapaciteteve të vendeve që synojnë anëtarësimin në BE rreth zbatimit të standardeve europiane, që do të thotë përafrimin e legjislacionit dhe politikave të saja me ato Acquis Comunitare të BE-së. Përparimet për secilin vend të Ballkanit Perëndimor maten në bazë të vendimeve të marra, legjislacionit të aprovuar, dhe zbatimit të masave. Me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë, ligjet apo masat që janë në përgatitje e sipër apo janë në pritje të ndonjë aprovimi nuk merren parasysh. Kjo qasje tregon trajtim të barabartë dhe vlerësim objektiv për të gjitha vendet. Raportet e Progresit shkruhen për secilin vend të Ballkanit Perëndimor veç e veç dhe kanë të njëjtën strukturë. Raportet analizojnë situatën politike të këtyre vendeve sa u përket fushave, siç janë: funksionimi i institucioneve, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, mbrojtja e pakicave, çështjet rajonale, reformat ekonomike, financiare dhe ato të fushave sektoriale të BE-së.
9. Nga cilat programe komunitare përfiton shoqëria civile në Kosovë?
- IPA – Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit – i cili ka për qëllim mbështetjen e Procesit të Stabilizm- Asociimit përmes asistencës teknike;
- EIDHR – Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut është instrumenti kryesor i Komisionit Europian për përkrahjen e shoqërisë civile;
- TAIEX – është programi i asistencës teknike dhe shkëmbimi i informatave që ka për qëllim përafrimin, aplikimin dhe fuqizimin e legjislacionit të BE-së;
- Twinning ose binjakëzimi – është instrumenti i bashkëpunimit ndërmjet administratës publike të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve përfituese; dhe
- TEMPUS – programi i cili ka për qëllim përkrahjen e arsimit të lartë përmes projekteve për bashkëpunim universitetesh.
Shpërndaje