Zhvillime të rëndësishme
Ka vite që zhvillimi i shoqërisë civile është bërë pjesë e diskutimeve dhe veprimeve të shumta të organizatave të shoqërisë civile, qeverive, donatorëve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi. Për më tepër, duke qenë pjesë e procesit të integrimit europian, krijimi i një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e shoqërisë civile është bërë pjesë e kritereve politike për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Si i tillë, ky kriter është vlerësuar vazhdimisht nga Komisioni Europian nëpërmjet instrumenteve të ndryshme të procesit të Stabilizim –Asociimit, përfshrirë edhe Raportin vjetor të Progresit.
Megjithatë, duke qenë në faza të ndryshme të zhvillimit dhe për shkak të kontekstit specifik të secilit vend të rajonit, shoqëria civile dhe ambienti rrethues që e favorizojnë ose pengojnë zhvillimin e sektorit asnjëherë nuk kanë qenë të definuara, të diskutuara dhe të vlerësuara në mënyrë të njëjtë. Vende të ndryshme kanë përcaktuar nivele të ndryshme të zhvillimit të synuar, ndërsa Komisioni Europian dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe ndër qeveritare nuk kanë arritur që të harmonizojnë një qasje të ngjashme për të gjitha vendet e rajonit.
Megjithatë, së fundmi, studime të ndryshme kanë treguar që megjithë dallimet, shumica e problemeve dhe sfidave që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë civile janë të ngjashme në thelb me shumicën e vendeve të rajonit. Gjithashtu, modele dhe qasje të caktuara të zhvilluara në disa prej vendeve të rajonit janë parë që mund të transferohen lehtë në vendet fqinje.
Gjatë vitit 2012, Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushës nga organizatat anëtaredhe partnere ka zhvilluar një dokument përmbledhës që synon identifikimin e parimeve dhe standardeve kryesore që ndikojnë në ambientin për zhvillim të shoqërisë civile, dhe për të ndihmuar në një qasje konsistente për përmirësimin e këtij ambienti. Ky dokument bazohet në nivelin e zhvillimit të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, në të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me dokumentet ndërkombëtare dhe në praktikat më të mira të vendeve europiane.
“Matrica e monitorimit për ambientin e favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile” është një instrument i monitorimit i zhvilluar nga vetë shoqëria civile e Ballkanit Perëndimor dhe përcakton standardet optimale që duhet të ekzistojnë për të krijuar një ambient të favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile. Indikatorët e shumtë masin cilësinë e legjislacionit në fuqi, por në veçanti nivelin e zbatimin e legjislacionit që ndërlidhen me punën e sektorit të shoqërisë civile. Fillimisht, kjo matricë synon që të shërbejë si mjet presioni ndaj autoriteteve publike për të kërkuar arritjen e standardeve optimale për zhvillimin e sektorit. Gjithashtu, ky instrument i ofrohet Qeverisë edhe si përkrahje për të ndihmuar në përcaktimin e standardeve të duhura që duhet t’ia ofrojë sektorit të shoqërisë civile. Së fundmi, matrica është pranuar si një ndër dokumentet bazë të cilin Komisioni Europian do ta shfrytëzojë për vlerësimin e gjendjes në këtë sektor në baza vjetore.
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si organizatë anëtare e BCSDN-së, ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që kanë hartuar standardet dhe indikatorët, ndërsa ka marrë përsipër edhe monitorimin e gjendjes aktuale në Kosovë në baza vjetore. Raporti i plotë i monitorimit të ambientit për zhvillim të shoqërisë civile në Kosovë për vitin 2013 është prezantuar më 11 mars 2014, ndërsa më poshtë paraqitet një përmbledhje e shkurtër e gjetjeve kryesore të këtij raporti:
– Themelimi, regjistrimi dhe funksionimi i OJQ-ve është i rregulluar me një kornizë ligjore bazë, mirëpo zbatimi mbetet i pjesshëm, sidomos i atyre dispozitave që kanë të bëjnë me funksionimin e OJQ-ve.
– Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të garantuara me ligj dhe OShC-të në përgjithësi i gëzojnë këto të drejta, edhe pse ka raste të kohëpaskohshme të kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
– Sa u përket mundësive financiare për OShC, ambienti i jashtëm është pjesërisht pengues, ndërsa OShC-të kosovare vazhdojnë të mbesin shumë të varura nga fondet ndërkombëtare.
– Korniza ligjore i parasheh disa lehtësira tatimore për donatorët privatë, por në përgjithësi këto lehtësira nuk prodhojnë ndonjë efekt konkret në praktikë.
– Përqindja e fondeve të shoqërisë civile që vijnë nga buxheti shtetëror është në ngritje, por nuk ka asnjë procedurë dhe kriter për programimin, përzgjedhjen, mbikëqyrjen ose vlerësimin e tyre.
– Politikat që promovojnë punësimin nuk i përfshijnë edhe OShC-të si sektorë që mund të gjenerojnë punësim, ndërsa shteti nuk stimulon punësimin ose vullnetarizmin nëpërmjet sektorit të shoqërisë civile.
– Në muajin korrik të vitit 2013 është miratuar Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, ndërsa aktualisht janë duke u dizajnuar trupat dhe mekanizmat e nevojshëm për zbatimin e kësaj strategjie.
– Avancimi i kornizës ligjore në nivel të Qeverisë ka vendosur obligime për konsultime me shoqërinë civile në procesin e hartimit të politikave publike. Si rezultat, vërehet një rritje e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces, mirëpo kërkesat ligjore për këtë proces ende nuk zbatohen sa duhet.
– Ofrimi i shërbimeve sociale nga OShC-të është pjesë e disa nismave, të cilat janë duke e trajtuar çështjen e licencimit të shërbimeve dhe ofruesve të shërbimeve, me synimin e rritjes së mundësive për OShC-të e kësaj fushe. Megjithatë, ofrimi i shërbimeve nga OShC-të vazhdon të jetë i kufizuar vetëm në disa shërbime sociale, ndërsa nuk ka fonde, procedura dhe standarde të cilat do ta krijonin një ambient përkrahës për përfshirjen e OShC-ve në ofrimin e shërbimeve të tjera.