Struktura e shoqërisë civile

Shoqëria civile në Kosovë është kryesisht e organizuar në organizata joqeveritare. Format e regjistrimit të OJQ-së në Kosovë janë: shoqatat me anëtarësi dhe fondacionet. Të dhënat e fundit nga Departamenti për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ-të tregojnë se në Kosovë janë të regjistruara mbi 7.000 OJQ, ku shumica prej tyre janë shoqata me anëtarësi.

Fushat të cilat mbulohen nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë janë të shumta. Sektorët që në fillim të viteve 2000 ishin “tërheqës për donatorë” dhe vërehej aktivizim i madh OShC-ve – çështjet e minoriteteve, rinisë etj. – viteve të fundit shihet të ketë zvogëlim të numrit të tyre. Kjo ndodh si rrjedhojë e ndryshimit të prioriteteve të donatorëve në përgjithësi, dhe në raste të rralla edhe për shkak të ndryshimit të prioriteteve si shoqëri. Fusha në të cilat vërehet rritje e angazhimit të OShC-ve – si nga numri ashtu edhe nga cilësia – janë: fusha e sundimit të ligjit; të drejtat e njeriut; institutet hulumtuese – që janë duke synuar që të kontribuojnë në bërjen e politikave publike dhe ndikojnë në zhvillimet kryesore të vendimmarrjes; OShC-të për zhvillimin e shoqërisë civile janë duke u përpjekur të rrisin kuptimin e rolit të shoqërisë civile në një shoqëri demokratike në opinionin e gjerë dhe tek autoritetet publike, të lehtësojnë koordinimin me rrjetet brendat sektorit të shoqërisë civile, si dhe të strukturojnë bashkëpunimin në mes shoqërisë civile dhe autoriteteve publike; OJQ-të e grave mbesin aktive në luftën për një shoqëri të balancuar nga aspketi gjinor dhe rrjeti i tyre ende është një nga rrjetet më aktive. Fushat e tjera në të cilat shoqëria civile në Kosovë është aktive përfshijnë: ambientin, procesin e integrimit europian, rindërtimin, çështjet sociale dhe politikën e jashtme.

Sa u përket rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile, vetëm disa rrjete formale kanë mbijetuar një kohë më të gjatë dhe vazhdojnë të luajnë rolin e tyre fillestar. Konkretisht, Rrjeti i Grave të Kosovës, koalicioni i OShC-ve për monitorimin e zgjedhjeve “Demokracia në veprim” dhe platforma e organizatave të shoqërisë civile “CiviKos”, kanë për qëllim strukturimin e bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë. Po ashtu, koalicionet ad- hoc dhe grupet joformale të OShC-ve në mënyrë shumë të suksesshme kanë ndërmarrë një numër të iniciativave. Reagimi i shoqërisë civile ndaj amendamentimit të Ligjit mbi OJQ-të, kontributi i saj aktiv në këtë proces, si dhe reagimi ndaj trasnformimit të OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare – parandalimi i transformimit – janë ndër proceset e rëndësishme në të cilat shoqëria civile ka arritur sukses të dukshëm.