Ndikimi i perceptuar

Motivimi fillestar i njerëzve për t’u mbledhur dhe qëllimi i fundit i shoqërisë civile – në kuptim e tij të gjerë – ëhtë përmirësimi i kushteve jetësore në komunitetin e tyre. Megjithatë, matja e një ndikimi të tillë është shumë e vështirë pasi që varet nga shumë faktorë të ndryshëm.

Ndikimi i shoqërisë civile në çështjet madhore në Kosovë, si zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, konsiderohen të dobëta. Ndërkaq përkrahja për të varfërit dhe grupet e margjinalizuara, arsimi dhe ndihmat humanitare, janë fushat ku shoqëria civile shihet të ketë ndikimin më të madh. Sa i përket besimit të qytetarëve që kanë për shoqërinë civile, kjo dallon varësisht prej sektorëve. Organizatat humanitare dhe bamirëse gëzojnë nivelin më të lartë të besimit në mesin e publikut të gjerë, pasuar nga organizatat rinore, të artit, ato muzikore dhe arsimore, dhe organizatat që merren me të drejtat e njeriut.