Marrëdhëniet qeveri - shoqëri civile

Në kushte të ndryshimeve dhe zhvillimeve të vazhdueshme demokratike dhe në rrethana të promovimit të formave inovative të qeverisjes, hartimi i politikave të qëndrueshme publike dhe ofrimi i shërbimeve sociale nuk mund të jetë më e drejtë ekskluzive e përfaqësuesve politikë. Atyre u duhen partnerë kompetentë jashtë institucioneve publike, të cilët do t’u ndihmonin në krijimin e politikave të efektshme publike dhe në implementimin e tyre. Në këtë proces një rol unik mund t’i atribuohet shoqërisë civile, qoftë në inicimin, organizimin dhe udhëheqjen e debateve gjithëpërfshirëse për të adresuar kërkesat prioritare të qytetarëve apo në ofrimin dhe plotësimin e shërbimeve sociale për qytetarët.

Format e strukturimit të bashkëpunimit në mes Qeverisë dhe sektorit të shoqërisë civile dallojnë nga vendi në vend, varësisht prej rrethanave politike dhe socio-ekonomike. Format kryesore të strukturimit të marrëdhënieve në mes të qeverisë dhe shoqërisë civile janë: strategjitë qeveritare për bashkëpunim dhe zhvillim të sektorit të shoqërisë civile – dokumente këto për zbatimin e të cilave përgjegjësia i takon Qeverisë – dhe marrëveshjet apo strategjitë bilaterale për bashkëpunim, ku përgjegjësia ndahet në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile – në këto raste shoqëria civile kryesisht përfaqësohet nga një apo më shumë rrjete të organizatave të shoqërisë civile, të cilat janë palë e marrëveshjes dhe e ndajnë përgjegjësinë e implementimit të aktiviteteve të dala nga dokumenti përkatës për bashkëpunim.