Korniza për qëndrueshmëri financiare të OShC-ve
Qëndrueshmëria financiare e organizatave të shoqërisë civile është një ndër komponetet më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile. Në shumicën e vendeve, përkrahja më e madhe financiare e OShC-ve vjen nga donatorët e huaj, dhe rrjedhimisht zhvillimi i sektorit varet drejtpërdrejt nga kjo përkrahje. Me zvogëlimin e fondeve të donatorëve të huaj rrezikohet edhe qëndrueshmëria dhe zhvillimi i mëtejmë i sektorit të shoqërisë civile. Andaj, qeveritë e vendeve përveçqë duhet të jenë garantuese të të drejtave themelore të qytetarëve/organizatave të shoqërisë civile, ato po ashtu duhet të ofrojnë edhe përkrahje financiare për organizatat e shoqërisë civile.
Duke pasur parasysh specifikat e sektorit civil, politikat fiskale shtetërore duhet që po ashtu të kenë trajtim të veçantë për këtë sektor. Të gjitha të hyrat e OShC-ve nga donacionet – qofshin ato nga donatorë të huaj, kompani private, pagesa të anëtarësisë etj. – duhet të jenë të liruara nga tatimi. Lehtësirat fiskale për biznese janë të domosdoshme edhe për inkurajimin e donatorëve potencialë privatë për shoqërinë civile. Ne vendet demokratike shoqëria civile konsiderohet si palë e rëndësishme në hartim dhe zabtim të politikave shtetërore. Rrjedhimisht, zhvillimi i këtij sektori shihet si qëllim strategjik i shtetit. Në këtë mënyrë qeveritë marrin vendime për themelimin e mekanizmave të ndryshëm financarë që kanë për qëllim zhvillimin e sektorit civil. Fondet publike për zhvillim të shoqërisë civile janë emërtime më të shpeshta për këto lloj mekanizmash. Fondet publike janë mekanizëm shtetëror që duhet të kenë procedura transparente me kritere paraprakisht të pajtuara nga të gjitha palët – Qeverinë, shoqërinë civile dhe palët e tjera relevante.