Korniza ligjore bazike

Organizatat e shoqërisë civile veprojnë në pajtueshmëri me rendin juridik dhe kornizën ligjore të aplikueshme në vendin në të cilin veprojnë, dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në rrafshin ndërkombëtar janë disa nivele që i përcaktojnë parimet kryesore të së drejtës së sektorit jo për përfitim, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Rekomandimi CM/Rec(2007)14 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për shtetet anëtare rreth statusit ligjor të organizatave joqeveritare në Europë, etj. Legjislacioni kombëtar duhet të jetë në përputhje me parimet e dokumenteve ndërkombëtare.

Në Kosovë, liria e asociimit është e garantuar me Kushtetutë. Regjistrimi nuk është i obliguar, edhe pse shumica e organizatave të shoqërisë civile që janë aktive në Kosovë janë të regjistruara si OJQ.

Korniza ligjore që prek drejpërdrejt sektorin e shoqërisë civile në Kosovë kryesisht përfshihet në Ligjin për Liri të Asociimit në OJQ, i cili rregullon elementet kryesore të themelimit, organizimit, qeverisjes së brendshme e shuarjes së OJQ-ve, si dhe elementet kryesore të Statusit për Përfitim Publik. Ligjet e tjera të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punën e OJQ-ve janë kryesisht ato që trajtojnë çështjet fiskale/tatimore, si: Ligji për Tatim mbi të Ardhurat Personale, Ligji për Tatim mbi të Ardhura të Korporatave, Ligji për TVSH-në, si dhe ligjet dhe rregulloret që përcaktojnë mënyrën e punës së institucioneve, me të cilat OJQ-të ndërveprojnë: Rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovës, Rregullorja e Punës e Qeverisë, Ligji për Vetëqeversije Lokale dhe Statutet e Komunave, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, Ligji për Nisma Legjislative etj. Regjistrimi i OShC-ve ështe i shpejtë dhe i lehtë dhe pas regjistrimit ligji i mbron ato nga shteti dhe parandalon shpërbërjen arbitrare të tyre për arsye politike.