Ambienti i jashtëm
Ambienti i jashtëm është faktor shumë i rëndësishëm dhe me ndikim të madh në ushtrimin e veprimtarisë dhe zhvillimin e OShC-ve. Fakorët e ambientit të jashtëm, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ose jo të sektorit të shoqërisë civile, janë: socio-ekonomik, socio-politik dhe socio-kulturor.
Faktori socio-ekonomik – Kosova është një nga vendet më të varfëra në Europë, ku gati gjysma e popullsisë vlerësohet se jeton nën nivelin kombëtar të varfërisë, dhe gjysma e popullsisë është e papunë. Ekonomia e Kosovës karakterizohet me një sektor shumë të gjerë joformal. Po ashtu, ka varshmëri të madhe nga remitancat (dërgesat nga diaspora) dhe ndihmat e donatorëve. E renditur si një ndër vendet më të korruptuara në Europë, ekonomia e Kosovës nuk kontribuon në krijimin e ambientit inkurajues për veprimin e shoqërisë civile.
Faktori socio-politik – Periudhat e gjata të paqëndrueshmërisë politike dhe një sistem shumë problematik gjyqësor – me gjithë ndihmën direkte të Bashkimit Europian në këtë sektor – e pozicionojnë Kosovën si një vend pjesërisht të lirë sa i përket ushtrimit të të drejtave politike. Një situatë pak më pozitive e hasim të korniza ligjore bazike për shoqërinë civile, ku Ligji mbi OJQ-të mundëson një procedurë të shpejtë dhe të lehtë të regjistrimit dhe siguron parimet kryesore për themelimin, operimin dhe shuarjen e OJQ-ve. Me gjithë ekzistimin e një numri të madh të medieve të shtypit dhe elektronike në Kosovë, gazetaria hulumtuese është e rrallë për shkak të frikës nga ndëshkimi. Proceset e përgjithshme nëpër të cilat ka kaluar Kosova viteve të fundit, si dhe prania ndërkombëtare dhe qasja e donatorëve kanë dëmtuar kulturën e kritikës në vend.
Faktori socio-kulturor – Bazohet në tri komponente kryesore: besimi ndërpersonal, toleranca dhe ndjeshmëria publike. Niveli i besimit ndërpersonal në mes të qytetarëve të Kosovës është shumë i ulët. Një nga arsyet kryesore për këtë nivel të ulët të bësimit ndërpersonal është zhgënjimi i qytetarëve, si pasojë e stagnimit të përgjithshëm ekonomik dhe politik në vend. Sa i përket tolerancës, shoqëria kosovare paraqitet si mesatarisht tolerante. Disa çështje tabu, siç janë homoseksualiteti dhe HIV/AIDS, konsiderohen ende të papranueshme për shoqërinë kosovare.