Llogaridhënia e OSHC-ve

Llogaridhënia ka kuptime të ndryshme për njerëz dhe institucione të ndryshme. Madje, koncepti i llogaridhënies ka kuptime të ndryshme, në vende të ndryshme. Shpeshherë në literaturën ndërkombëtare, llogaridhënia përdoret si sinonim edhe për qeverisje të mirë, transparencë, barazi, përgjegjshmëri, përgjegjësi dhe integritet.

Është shumë me rëndësi të theksohet se llogaridhënia nuk ka një përkufizim të vetëm apo përkufizim me të cilin pajtohen të gjithë. Sipas Mark Bovens, drejtor i Utrecht School of Governance “Llogaridhënia paraqet një marrëdhënie në mes të një aktori dhe forumi, ku aktori ka për obligim të sqarojë dhe justifikojë veprimin e tij/saj, ndërsa forumi mund të shtrojë pyetje dhe të japë vlerësime, si dhe aktori duhet të përballet me pasojat.” Tek OShC-të llogaridhënia mund të përkufizohet si gatishmëri që të pranojnë përgjegjësitë dhe të japin llogari për veprimet e tyre, duke qenë të përgjegjshme dhe transparente.

Llogaridhënia përkufizohet si një obligim apo dëshirë për të mbajtur nën përgjegjësi – në këtë rast OShC-të – për veprimet e tyre karshi aktorëve. Llogaridhënia ka të bëjë me të qenit i përgjegjshëm ndaj hisedarëve; duke marrë parasysh nevojat dhe pikëpamjet e tyre në proceset vendimmarrëse; andaj, llogaridhënia mund të konsiderohet më shumë si një proces i të mësuarit sesa një mekanizëm kontrolli.

Të qenit llogaridhënës është të jesh i hapur me hisedarët, duke u përfshirë në dialog të vazhdueshëm dhe duke mësuar nga ndërveprimi. Llogaridhënia mund të gjenerojë pronësi mbi veprimet dhe projektet dhe të sigurojë qëndrueshmëri të aktiviteteve. Andaj, në këtë mënyrë organizatave të shoqërisë civile i ofrohet një rrugë për një përformancë më të mirë.