Llogaridhënia e OSHC-ve në Kosovë

Llogaridhënia e shoqërisë civile në Kosovë kuptohet në mënyra të ndryshme nga aktorë të shoqërisë civile, të cilët veprojnë në Kosovë. Llogaridhënia e shoqërisë civile shpeshherë reduktohet në transparencën financiare, por jo edhe me ndikimin e politikave apo projekteve tek përfituesit apo qytetarët në përgjithësi. Gjithashtu, aktivistë të shoqërisë civile e dallojnë konceptin e llogaridhënies varësisht nga lloji dhe puna e organizatës. Për shembull, llogaridhënia nënkupton më shumë sesa transparenca financiare në rastet kur fondet e kërkuara kanë qenë të dedikuara për një grup të caktuar, siç mund të jenë fëmijët me nevoja të veçanta, dhe në këtë rast është shumë e rëndësishme t’u jepet llogari edhe përfituese familjeve të atyre fëmijëve, etj. Gjithashtu, përderisa ka të tillë që mendojnë që OShC-të në rend të parë duhet t’u japin llogari qytetarëve për shkak që shoqëria civile është një zë i popullit në mënyrë më të organizuar, të tjerët mendojnë që duhet të bëhet demistifikimi i llogaridhënies ndaj popullit/qytetarit, për arsye se në Kosovë shoqëria civile nuk është burimore dhe nuk ka lindur prej popullit, mirëpo prej një grupi individësh që janë angazhuar për ta ndryshuar këtë vend.

Përderisa disa e shohin si koncept që zbatohet në mënyrë uniforme, shumica vlerësojnë që në raport me llogaridhënien shoqëria civile duhet të kategorizohet: ofruesit e shërbimeve kanë shkallë tjetër të llogaridhënies në raport me organizatat avokuese, “watchdog” ose antikorrupsion. Organizatat me anëtarësi nuk kanë nevojë të mbikëqyren nga të tjerët pasi që janë vetë anëtarët të cilët kërkojnë llogari, ndërsa OShC-të të cilat nuk janë të zgjedhura nga askush po ashtu e gëzojnë lirinë që jo detyrimisht t’u japin llogari të tjerëve. Llogaridhënia në raport me qytetarin duhet të ndërlidhet me rastet kur një OShC merr një projekt që synon ndryshim për një kategori të caktuar, pra në emër të dikujt, atëherë duhet të japë llogari ndaj qytetarëve nëse është arritur ndryshim i synuar.