Teknikat e konsultimit publik

Përzgjedhja e teknikave të duhura gjatë procesit të konsultimit është një ndër hapat më të rëndësishëm drejt përfshirjes së qytetarëve në hartim të politikave. Meqenëse grupet e hisedarëve dhe çështjet që adresohen janë të ndryshme, ekzistojnë edhe teknika të ndryshme të konsultimit, të cilat mund të përdoren për t’i mbledhur mendimet e qytetarëve. Teknikat më të njohura të konsultimit publik janë: konsultimet me shkrim; takimet publike; konferencat; takimet me grupe të interesit; punëtoritë; intervistat; hulumtimet e opinionit; panelet me qytetarë; stendat në rrugë etj.

Teknikat e konsultimit publik që përdoren më së shumti janë: konsultimet me shkrim dhe takimet publike.

Konsultimi me shkrim – është metoda më e zakonshme e përfshirjes së hisedarëve dhe mbledhjes së mendimeve të tyre mbi draftpropozimet e caktuara. Në shumicën e konsultimeve me shkrim, Qeveria/Kuvendi do të ofrojë informata rreth propozimeve që po i harton dhe fton për komente grupet kryesore të hisedarëve për të parë nëse ato pajtohen ose jo me aspekte të ndryshme të propozimeve.

Gjatë fazës së hartimit të legjislacionit, konsultimet me shkrim shpeshherë marrin trajtën e parashtrimit të pyetjeve kryesore për çështje specifike të politikave dhe jo trajtën e prezantimit të informatave të hollësishme. Megjithatë, gjatë fazës verifikuese të procesit legjislativ mund të zhvillohet konsultimi me shkrim i cili mbulon çështjet bazë të tekstit legjislativ. Për ta shpjeguar përmbajtjen e legjislacionit nuk mjafton vetëm ofrimi i draftligjit si i tillë, por nevojiten udhëzime shtesë. Efektshmëria e çdo konsultimi varet nga informatat e ofruara nga institucioni publik, i cili organizon konsultimin dhe cilësia e përgjigjeve shpeshherë varet nga cilësia e dokumenteve të konsultimit të cilat i harton institucioni përkatës.

Çdo konsultim me shkrim duhet të mbështetet në dokumentin shpjegues të ofruar nga institucioni që organizon konsultimin, ku shpjegohen detajet e politikës dhe të draftligjit, dhe jo vetëm teksti i ligjit të propozuar. Dokumenti i konsultimit, i cili shpërndahet tek hisedarët duhet të shkruhet në gjuhë të qartë, e cila është e kuptueshme për publikun e gjerë, duhet t’i paraqesë çështjet sa më thjesht që të jetë e mundur dhe t’i shmanget përdorimit të gjuhës teknike.

Takimet me hisedarë – mund të jenë takime joformale në mes institucionit publik përkatës dhe organizatave që punojnë në sektor, si dhe konferenca dhe takime formale.

Takimet me hisedarë janë takime të hapura për çdo pjesëtar të publikut, ku këta të fundit kanë mundësi të ofrojnë kontributin e tyre në procesin e konsultimit dhe t’ia shprehin institucionit publik përkatës mendimet e tyre rreth përmbajtjes së legjislacionit të propozuar.

Përderisa konsultimet me shkrim mund të ofrojnë përgjigje më të përqendruara dhe specifike, përdorimi i takimeve me hisedarë mund të stimulojë diskutime dhe shpeshherë të rezultojë me propozime alternative që mund të mos jenë ngritur gjatë konsultimeve me shkrim.

Takimet me hisedarë ofrojnë mundësinë e mbledhjes së organizatave të ndryshme të interesuara për të diskutuar rreth politikës apo draftligjit për të cilin po konsultohet autoriteti publik i caktuar. Këto mund të jenë takime formale apo konferenca, takime joformale ose “tryeza të rrumbullakëta”. Formati do të varet nga përmbajtja dhe kompleksiteti i politikës dhe i numrit të hisedarëve apo organizatave të interesuara.

Sikurse te konsultimet me shkrim, edhe për takimet me hisedarë informatat paraprake dhe të qarta për të ftuarit do të përcaktojnë suksesin e takimit. Nëse do t’i kenë informatat kryesore paraprakisht, takimi do të jetë më i foksuar dhe rrjedhimisht autoritetet publike mund ta menaxhojnë atë shumë më lehtë dhe të nxjerrin përgjigje më konkrete për pyetjet e tyre. Për këtë arsye një dokument i ngjashëm me Dokumentin e konsultimit me shkrim mund t’i bashkëngjitet ftesës për takim me hisedarët kyç.

Takimet me hisedarë janë mundësi për individët dhe shoqërinë e paorganizuar civile që të angazhohen në procesin e konsultimit. Këto janë grupe që shpeshherë lihen jashtë proceseve formale dhe ato mund të ofrojnë kontribut domethënës në procesin e konsultimit. Të tilla grupe mund të jenë këshillat e lagjeve apo të fshatrave, apo edhe qytetarë nga një rajon i caktuar, i cili mund të ndikohet nga politika ose draftligji.