Shoqëria civile në politikë-bërje
Shoqëria civile gjithmonë e më shumë po shdërrohet në aktor të rëndësishëm në sistemet demokratike të qeverisjes në mbarë botën. E përkufizuar si “arena jashtë familjes, shtetit dhe tregut, e krijuar nga aksione individuale dhe kolektive, organizata dhe institucione për të avancuar interesa të përbashkëta”, shoqëria civile është e destinuar të bashkëpunojë me të gjitha segmentet e një shoqërie të organizuar, duke marrë dhe përcjellë inpute tek procese dhe aktorë të ndryshëm. Nën një këndvështrim të fokusuar tek ndikimi, shoqëria civile në një shtet demokratik e gjen vetveten në një marrëdhënie komplekse me mjedisin e vet (shoqëria e organizuar: Angl “polity”), ku aktorët dhe proceset kanë një funksion të dyfishtë – si target i ndikimit të dëshiruar nga shoqëria civile dhe njëherësh, edhe faktorë influencues për strukturën e veprimeve dhe formën e shoqërisë civile.
Sikurse edhe në shumë procese të tjera, edhe në proceset politike shoqëria civile përbën një element të rëndësishëm të procesit demokratik. Së bashku me partitë politike dhe grupet e lobimit, ajo u ofron qytetarëve një mënyrë alternative të kanalizimit të pikëpamjeve të ndryshme dhe sigurimit të interesave të ndryshme në proceset vendimmarrëse. Në teori janë gjashtë hapa të ndryshëm të procesit politik të vendimmarrjes: caktimi i agjendës, draftimi i politikave, vendimmarrja, zbatimi i politikave, mbikëqyrja dhe riformulimi i politikave. Çdo hap ofron mundësi për ndërveprim ndërmjet autoriteteve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në hapat e ndryshëm të procesit të vendimmarrjes politike varet nga intensiteti i pjesëmarrjes. Ekzistojnë katër nivele të ndryshme të pjesëmarrjes, duke filluar nga ai me pjesëmarrje më të ulët deri te niveli me pjesëmarrje më të lartë: informimi, konsultimi, dialogu dhe partneriteti. Këto mund të aplikohen gjatë çdo hapi të procesit vendimmarrës megjithatë shpesh ndonjëra nga këto forma është më relevante për pjesë specifike të procesit.