Nivelet dhe mënyrat e pjesëmarrjes

Për t’u siguruar për një proces të mirëfilltë dhe ambient favorizues për pjesëmarrje qytetare, fillimisht duhet të plotësohen disa parakushte mbi të cilat do të zhvillohej i gjithë i procesi i pjesëmarrjes. Konkretisht, duhet të ketë pajtim nga të dyja palët – autoritete publike dhe shoqëria civile – për rregullat e pjesëmarrjes qytetare, besim të ndërsjellë që të dyja palët të angazhohen për përmirësimin e jetës së qytetarëve, llogaridhënie dhe trasnparencë për mënyrën dhe rezultatet e pjesëmarrjes, si dhe të drejtën e OShC-ve për veprim të pavarur dhe avokim për pozicione të ndryshme nga ato të autoriteteve publike.

Ekzistojnë katër nivele të ndryshme të pjesëmarrjes, duke filluar nga ai me pjesëmarrje më të ulët deri te niveli me pjesëmarrje më të lartë: informimi, konsultimi, dialogu dhe partneriteti.

Informimi
Qasja në informatë është baza e çdo hapi të ardhshëm në përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në procesin politik të vendimmarrjes. Ky është një nivel relativisht i ulët i pjesëmarrjes që ka të bëjë me dhënien e informatës njëdrejtimshe nga autoritetet publike dhe interaksioni apo përfshirja e organizatave të shoqërisë civile që as nuk është i kërkuar e as i pritur. Megjithëatë, shpërndarja e informacionit nga autoritetet publike tek publiku i gjerë dhe organizatat e shoqërisë civile në veçanti paraqet parakushtin themelor për përfshirjen e publikut. Pa e pasur informatën që një dokument publik është në procesin e draftimit apo të shqyrtimit, normalisht që nga asnjë qytetar apo organizatë e shoqërisë civile nuk mund të pritet që të kontribuojë në proces.

 

Konsultimi
Duke supozuar se informata që një dokument i caktuar publik është në fazën e draftimit apo të shqyrtimit, konsultimi është formë e iniciativës ku autoritetet publike u kërkojnë organizatave të shoqërisë civile mendimin e tyre në një fushë specifike të politikave ose të zhvillimit, ose dokument  të  caktuar  zyrtar. Konsultimi zakonisht përfshin autoritetet, të cilat i informojnë organizatat e shoqërisë civile për zhvillimet e caktuara të politikave apo ligjeve dhe u kërkojnë atyre komente, kontribut dhe sugjerime. Iniciativa dhe tema burojnë nga autoritetet publike e jo nga organizatat e shoqërisë civile.

 

Dialogu
Iniciativa për dialog mund të merret nga cilado palë, dhe mund të jetë në formë të gjerë (të përgjithshme) apo bashkëpunuese (specifike). Dialogu i gjerë (i përgjithshëm) është komunikimi dykahësh i ndërtuar në interes të përbashkët dhe potencialisht objektivat e përbashkëta që sigurojnë shkëmbim të rregullt të mendimeve. Mund të ketë formë të dëgjimeve publike deri te mbledhjet e specializuara ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike. Diskutimi mbetet i gjerë dhe nuk është i lidhur me ndonjë proces specifik të zhvillimit të politikave. Dialogu bashkëpunues (specifik) ndërtohet në interesa të përbashkëta për zhvillim të një politike të caktuar. Kjo formë zakonisht rezulton me ndonjë rekomandim, strategji, veprim apo legjislacion të përbashkët. Kjo formë e dialogut është më e fuqishme ngase përfshin takimet e përbashkëta të rregullta dhe të shpeshta, e nga të cilat zhvillohet bërthama e strategjisë politike dhe zakonisht rezulton me përfundime për të cilat ka pajtim nga të dyja palët.

 

Partneriteti
Partneriteti zakonisht parasheh përgjegjësi të përbashkëta gjatë çdo hapi të procesit politik të vendimmarrjes, duke filluar nga caktimi i agjendës, draftimi, vendimi dhe zbatimi i iniciativës politike apo ligjit të caktuar. Kjo është forma më e lartë e pjesëmarrjes dhe mund të përfshijë edhe aktivitete, si delegimi i çështjeve specifike organizatave të shoqërisë civile, p.sh. në ofrim të shërbimeve e deri tek forumet pjesëmarrëse dhe krijimin e trupave të përbashkëta të vendimmarrjes, përfshirë alokimin e resurseve për t’i zbatuar vendimet e marra paraprakisht etj.