Korniza ligjore - niveli Qeveritar

Rregullorja e punës e Qeverisë së Kosovës siguron bazë të mirë ligjore për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në hartimin e ligjeve dhe të politikave. Në kuadër të kësaj rregulloreje janë katër nene të cilat sigurojnë pjesëmarrjen e shoqërisë civile, mënyrën e përfshirjes dhe periudhën kohore. Neni 32 i Rregullores thotë se organi propozues duhet të publikojë përmbajtjen e propozimit të saj për komente nga publiku dhe në mënyrë specifike do të kërkojë komente nga OJQ-të. Sipas Rregullores, neni 39 – organi propozues, përveç tjerash, zhvillon konsultime edhe me publikun; neni 69 – specifikon se Qeveria bashkëpunon me OJQ-të, debaton për çështje të ndryshme dhe fton përfaqësuesit e shoqërisë civile të marrin pjesë në organet punuese të Qeverisë; Ndërsa sipas nenit 70, Qeveria duhet t’u përgjigjet pyetjeve, nismave, propozimeve, si dhe peticioneve që i adresohen Zyrës së Kryeministrit, kryeministrit ose zëvendëskryeministrit.

Po ashtu, në shtator të vitit 2011, Zyra e Kryeministrit ka hartuar Udhëzuesin për Procesin e Konsultimit Publik, bazuar në nenin 32, pika 4 të Rregullores së Punës së Qeverisë – Procesi i konsultimit do të zhvillohet në pajtim me një udhëzues që lëshohet nga sekretari sipas propozimit nga Zyra Ligjore.