Bashkëpunimi autoritete publike - shoqëri civile
Në demokracitë moderne qeverisja e mirë varet në masë të madhe nga marrëdhënia në mes të autoriteteve publike dhe shoqërisë civile. Në kushte të ndryshimeve dhe zhvillimeve të vazhdueshme demokratike dhe në rrethana të promovimit të formave inovative të qeverisjes, hartimi i politikave të qëndrueshme publike dhe ofrimi i shërbimeve sociale nuk mund të jetë më e drejtë ekskluzive e përfaqësuesve politikë. Atyre u duhen partnerë kompetentë jashtë institucioneve publike, të cilët do t’u ndihmonin në krijimin e politikave të efektshme publike dhe në implementimin e tyre. Në këtë proces një rol unik mund t’i atribuohet shoqërisë civile, qoftë në inicimin, organizimin dhe udhëheqjen e debateve gjithëpërfshirëse për të adresuar kërkesat prioritare të qytetarëve apo në ofrimin dhe plotësimin e shërbimeve sociale për qytetarët.
Bashkëpunimi në mes të autoriteteve publike dhe shoqërisë civile mund të ndodhë në nivele të ndryshme të qeverisjes, duke filluar nga parlamenti, përmes ministrive e deri te pushteti lokal apo edhe institucionet e pavarura.