KOSOVA NË PROCESIN E STABILIZIM - ASOCIIMIT (PSA)

Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe BE-së në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit, Komisioni Europian, në komunikatën e tij 2009 “Kosova – realizimi i perspektivës së saj europiane” (në origjinal titulli “Kosovo – Fulfilling its European Perspective”) ka filluar një dialog intensiv politik, të quajtur Dialogu i Procesit të Stabilizim-Asociimit (DPSA), që më parë, që nga viti 2003, ka qenë i njohur si Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim-Asociimit (MPSA). Në kuadër të këtij mekanizimi organizohen mbledhje të nivelit të lartë plenar  dhe sektorial me qëllim të krijimit të përputhshmërisë me rregullat  e BE-së tek vendet që janë kandidate potenciale.

Qëllimi kryesor i mbledhjeve plenare dhe sektoriale, respektivisht politike dhe teknike të DPSA-së, është përcjellja dhe monitorimi i reformave në Kosovë, si dhe i procesit të integrimeve në BE kundruall prioriteteve të përcaktuara në Partneritetin Europian, të miratuara nga Këshilli në vitin 2008.

Mbledhjet plenare të DPSA-së mbahen një herë në vit. Mbledhja e parë është mbajtur në korrik të vitit 2010. Mbledhjet e dialogut të PSA-së bashkudhëhiqen nga Komisioni Europian dhe Qeveria e Kosovës. Çdo takim rezulton me veprimet e dakorduara pasuese që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Përveç mbledhjeve plenare, gjithashtu në kuadër të këtij procesi organizohen edhe mbledhjet sektoriale. Në këto mbledhje ekspertët sektorialë të Komisionit Europian që vijnë nga Drejtoritë e Përgjithshme (DP-të) përkatëse takohen me ministritë dhe ekspertët vendës.

Në këtë vazhdë takimet organizohen rreth shtatë temave sektoriale me qëllim të thellimit të diskutimeve teknike në fushat e drejtësisë, lirive dhe sigurisë; të inovacionit, shoqërisë së informacionit dhe politikave sociale; tregtisë; tregut dhe konkurrencës së brendshme; bujqësisë dhe peshkimit; transportit, mjedisit, energjisë dhe zhvillimit rajonal e ekonomik. Mbledhjet sektoriale të DPSA-së mbahen një herë në vit; një herë në Prishtinë dhe herën tjetër në Bruksel. Dialogu me Kosovën vazhdon mes mbledhjeve dhe ndërmjet dy takimeve. Gjatë periudhës në mes të dy mbledhjeve mundësohet zbatimi i rekomandimeve dhe të veprimeve përkatëse të pajtuara. Përpos këtyre takimeve KE-ja së bashku me Qeverinë e Kosovës kanë lansuar edhe dialogun për sundimin e ligjit, si dhe paralelisht po punohet në grupin e veçantë për reformën e administratës publike.

BE-ja ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave dhe ka paraqitur udhërrëfyesin tek autoritetet e Kosovës në qershor 2012. BE-ja është pajtuar të zgjerojë masat autonome të tregtisë për Kosovën në vitin 2011. Kosova po ashtu është përfshirë në Konventën Rajonale te Rregullave të Origjinës Paneuro-Med, në të cilën mund të marrë pjesë aktivisht pasi që marrëveshja të nënshkruhet. Kosova po përgatitet për integrim në kornizën për mbikëqyrjen ekonomike dhe fiskale. Në mars të vitit 2011, Komisioni i ka rekomanduar Këshillit që ta autorizojë për të negociuar marrëveshjen kornizë, e cila lejon Kosovën të marrë pjesë në programet e BE-së. Në dhjetor të vitit 2011, Këshilli ka vënë re se zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës do të zhvillohej përmes anëtarësimit në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjë që është arritur në pranverën e vitit 2013.

Kosova përfiton nga programi i Instrumentit të Asistencës para Anëtarësimit, bashkëpunimi ndërkufitar me Shqipërinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Malin e Zi. Gjithsej brenda viteve 2007 – 2013, i janë dhënë Kosovës rreth € 635 milionë.

Së bashku me autoritetet e Kosovës, Komisioni ka nisur dialogun strukturor mbi sundimin e ligjit. Kjo demonstron përkushtim politik të autoriteteve të Kosovës dhe të Komisionit për t’u ballafaquar me sfidat në këtë fushë qysh në fazat e hershme të procesit të zgjerimit.

Deri më tani Komisioni dhe Kosova kanë përmbushur katër cikle të Procesit të Dialogut të Stabilizim Asociimit. Ky dialog është dëshmuar si një mekanizëm efektiv për të monitoruar dhe këshilluar Kosovën në masat që duhet të ndërmarrë në zbatimin e agjendës europiane për reforma. Ky mekanizëm po ashtu kërkon edhe këshillimin me organizatat e shoqërisë civile. Prandaj, duke filluar nga viti 2011, Komisioni Europian në Kosovë ka lansuar procesin për mbledhjen e inputit dhe rekomandimeve e qëndrimeve nga ana e shoqërisë civile përpara secilit takim sektorial të DPSA-së, si dhe organizon një takim të përbashkët përpara takimi vjetor plenar.

Deri më sot Kosova nuk ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Por Komisioni Europian ka rekomanduar fillimin e negociatave për MSA dhe ky rekomandim është miratuar në takimin e Këshillit të mbajtur më 28 qershor 2013. Negociatat për një MSA me Kosovën kanë filluar më 28 tetor 2013, dhe priten disa raunde të takimeve për të arritur deri te një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, që pritet të siglohet (nënshkruhet çdo faqe) në pranverën e vitit 2014. Kjo marrëveshje pastaj duhet t’u dorëzohet vendeve anëtare në Këshill për shqyrtim dhe aprovim nga ai.