Praktika e zbatimit e ligjit për liri të asocimit në OJQ
Në praktikë, çdo individ dhe subjekt juridik mund të themelojë një shoqatë, pa pasur nevojë ta regjistrojë atë. Megjithatë, pjesa dërrmuese e organizatave vendosin të regjistrohen për të fituar subjektivitet juridik dhe përfitimet përcjellëse formale që vijnë nga ai si p.sh. (mundësia e hapjes së llogarisë bankare apo e pranimit të fondeve nga donatorë të ndryshëm).
Në përgjithësi, OShC-të në Kosovë vazhdojnë të veprojnë lirshëm pa ndërhyrje të pajustifikueshme të shtetit në udhëheqjen dhe aktivitetet e tyre të brendshme. Me përjashtim të pezullimit të një numri të OJQ-ve me arsyetim të sigurisë kombëtare, nuk ka raste tjera të raportuara për ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të shtetit në çështjet e brendshme të OShC-ve.
Nga viti 2014, Departamenti për OJQ pezulloi veprimtarinë e rreth 30 OJQ-ve të ndryshme bazuar në nenin 18 të Udhëzimit Administrativ QRK – Nr: 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e OJQ-ve. Sa për ilustrim, gjatë vitit 2016 ndodhën dy raunde të pezullimeve të OShC-ve (korrik dhe nëntor të vitit 2016), duke rezultuar me suspendim të 21 OJQ-ve. Shumica e këtyre OJQ-ve ishin pezulluar me vendime pezulluese njëvjeçare për të tretin vit me radhë që nga vitit 2014. Si arsye ishte dhënë kërkesa e “organit kompetent për siguri” me arsyetimin “rrezikim i sigurisë dhe veprim kundër rendit kushtetues të Kosovës”. Përveç arsyetimit më lartë nuk ishte ofruar asnjë arsye tjetër më specifike. Gjatë vitit 2017 është raportuar vetëm për një OJQ të suspenduar.
Në vitin 2016, 96.04% e OShC-ve të anketuara vërtetuan se nuk kishin përjetuar ndonjë ndërhyrje shtetërore apo të ndonjë pale tjetër në çështjet e tyre të brendshme, ndërsa OShC-të që raportuan për ndërhyrje të tilla përmenden kryesisht refuzimin e institucioneve publike për të bashkëpunuar me ta apo trysninë nga zyrtarët shtetëror ndaj personelit të tyre. Të gjitha rastet e raportuara për ndërprerje të veprimtarisë së OShC-ve kanë qenë vullnetare dhe Komisioni për shpërndarjen e aseteve të mbetura të OJQ-ve të shuara nuk ka qenë e nevojshme të bëhet funksional.
Në praktikë, pak OShC angazhohen në aktivitete ekonomike. Rreth 88% të OShC-ve të anketuara në vitin 2016 deklaruan se nuk angazhohen në aktivitete ekonomike dhe një e treta e atyre që angazhohen në aktivitete ekonomike raportojnë se përballen me probleme të ndryshme.
Nuk ka pasur ankesa rreth pranimit të fondeve të huaja, dhe në vitin 2016 pjesa kryesore e fondeve të shoqërisë civile ka ardhur nga donacionet ndërkombëtare. Ndërkaq organizatat me status të përfitimit publik (numri i tyre gjatë vitieve të fundit sillet rreth 250 OJQ me status për përfitim publik aktiv) në bazë të ligjit për liri të asocimit paraqesin raport përshkrues dhe financiar si dhe OJQ-të me Status për Përfitim Publik me të hyra më të mëdha se 100,000 EUR duhet gjithashtu të parashtrojnë edhe raport të jashtëm të auditimit.