Statusi për Përfitim Publik

Ligji për OJQ-të në Kosovë parasheh krijimin e një statusi të veçantë për një segment të OJQ-ve, përkatësisht Statusin e Përfituesit Publik. Ky status ka për qëllim promovimin e aktiviteteve përmes të cilave përfiton publiku i gjerë.

Edhe pse qytetarët ia delegojnë shtetit obligimin për të organizuar dhe ofruar shërbimet publike, shtetet me demokraci të zhvilluar e kanë njohur faktin që një numër i shërbimeve adresohen më mirë nga vetë qytetarët, nëpërmjet organizatave për përfitim publik. Kjo vjen si pasojë e asaj që këto organizata janë më afër nevojave të komunitetit dhe shoqërisë. Për më tepër, duke qenë më të lira nga procedurat burokratike të shtetit, ato mund të reagojnë më shpejt ndaj nevojave të komunitetit dhe të ofrojnë shërbime më të shpejta dhe më të drejtpërdrejta. Duke qenë se i plotësojnë ose i ofrojnë në tërësi shërbimet të cilat janë obiligim i shtetit, shteti atyre u ofron një numër lehtësirash për aktivitetet e tyre, kryesisht nëpërmjet lehtësirave tatimore dhe mundësive për financim. Në anën tjetër, meqenëse organizatat për përfitim publik janë pranuese të ndihmës direkte apo indirekte të shtetit, ato janë subjekt i një kontrolli më të madh, me qëllim që të sigurohet që përkrahja publike të kthehet me të vërtetë në përfitim publik.

Në Kosovë gjatë viteve të fundit ky status është shpërfaqur mjaft si pasojë e ndryshimeve të ligjeve bazë për OJQ dhe ligjeve mbi tatimet. Në përgjithësi, për shkak të kornizës ligjore dhe praktikës së krijuar si pasojë, mekanizmat që ndërlidhen me përfitimin publik në Kosovë mund të thuhet që nuk funksionojnë si duhet.