Regjistrimi i OJQ-së

Në bazë të legjislacionit në Kosovë, OJQ-të mund të regjistrohen si shoqatë dhe fondacion. Shoqata themelohet për të mbrojtur dhe adresuar interesin e përbashkët të anëtarëve. Shoqata mund të themelohet nga së paku tre (3) persona, ku të paktën njëri prej tyre duhet të ketë vendbanim të përhershëm apo zyrë në Kosovë. Anëtarët e shoqatës mund të jenë persona fizikë (individët), si dhe persona juridikë (organizatat). Fondacioni themelohet për të avancuar një qëllim të caktuar, kryesisht në të mirë të publikut të gjerë – por jo patjetër. Për dallim nga shoqata, fondacioni nuk ka anëtarë dhe themelohet kur një pasuri apo aset i caktuar lihet në shërbim të një çështjeje të caktuar. Fondacioni mund të themelohet me testament apo akt themelues. Dokumentet e nevojshme për regjistrimin e OJQ-së:

Akti themelues i OJQ-së
Akti themelues i OJQ-së është dokument përmes të cilit shprehet interesimi për të themeluar një OJQ. Elementet që duhet të përmbajë Akti Themelues i OJQ-së janë: emrin e plotë dhe shkurtesën zyrtare të OJQ-së; vendin, adresën dhe datën e themelimit; përcaktimin për formën organizative të OJQ-së – shoqatë apo fondacion; emri dhe adresa e themeluesve; emri, adresa dhe informatat kontaktuese të personit të autorizuar; dhe fushat kryesore të veprimtarisë. Akti themelues duhet të nënshkruhet nga të gjithë themeluesit e OJQ-së.

Fotokopjet e dokumentit të identifikimit të themeluesve
OJQ-ja mund të regjistrohet nga së paku tre (3) persona, një prej të cilëve duhet të jetë banor i përhershëm i Republikës së Kosovës. Bashkëngjitur në dosjen për regjistrim të OJQ-së duhet të jenë kopjet e dokumenteve të indentifikimit të anëtarëve themelues.

Vendimin për caktimin e përfaqësuesit të autorizuar
Përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së është personi i cili do të pranojë të gjitha informatat në emër të OJQ-së. Themeluesit e OJQ-së përmes një vendimi emërojnë personin e autorizuar, i cili do të jetë përgjegjës për pranim të informatave dhe komunikim me autoritetet përkatëse në emër të organizatës. Personi i autorizuar i OJQ-së mund të jetë kushdo që emërohet nga anëtarët e shoqatës, dhe jo patjetër personi i autorizuar duhet të jetë drejtori ekzekutiv/kryetari i OJQ-së.

Statuti i OJQ-së
Statuti i OJQ-së duhet të përcaktojë parimet dhe rregullat bazë të punës së OJQ-së, përfshirë: misionin e organizatës, rregullat e vendimmarrjes, organin më të lartë udhëheqës dhe raportet e tij me strukturat e tjera brenda organizatës, numrin minimal të takimeve vjetore, rregullat për anëtarësim në organizatë, menaxhimin e konfliktit të interesit, shuarjen e OJQ-së etj. Modeli i statutit me të gjitha parimet dhe rregullat e domosdoshme mund të merret në Departamentin për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ (DRNOJQ), apo në webfaqen http://map.rks-gov.net/sq/Page.aspx?id=18. Përdorimi i modelit të statutit nuk është i domosdoshëm dhe DRNOJQ pranon forma të tjera të Statutit, përderisa i përmban të dhënat sipas paragrafit 2, neni 6 i Rregullores për regjistrimin, regjistrin publik, çregjistrimin dhe shuarjen e OJQ-së dhe nuk janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Lista për fushat e veprimtarisë
Në listën për fushat e veprimtarisë së organizatës duhet të përcaktohet në vija të trasha natyra e aktiviteteve në të cilat do të angazhohet organizata (shembull: demokratizim, trashëgimi kulturore, mbrojtje të konsumatorëve, edukim etj.). Në kuadër të formës së regjistrimit, DRNOJQ ka bashkëngjitur një listë me rreth dyzet (40) fusha të aktiviteteve, të cilat mund t’i përdorni si shembull.

Lista me emrat e anëtarëve të Kuvendit (për shoqatat)
Në këtë listë mund të shkruhen edhe vetëm emrat e tre themeluesve të organizatës pa pasur nevojë për anëtarë shtesë. Sido që të jetë, rekomandohet numër sa më i madh i anëtarëve.

Lista me emrat e Bordit të Drejtorëve (për fondacione)
Në këtë listë duhet të shkruhen emrat e anëtarëve të Bordit udhëheqës të fondacionit.