Ligji për Liri të Asociimit në OJQ

Kosova pas luftës ka adoptuar ligje dhe praktika të mira për rregullimin e sektorit të shoqërisë civile. Legjislacioni aktual është kryesisht i bazuar në praktikat e mira të shteteve me demokraci të zhvilluar. Po ashtu, për sa i përket Ligjit për OJQ, Kosova është shembull për shtetet e tjera të rajonit.

Ligji për Liri të Asociimit në OJQ është akti i vetëm jurdik, i cili trajton në mënyrë të drejtpërdretë dhe veçanërisht sektorin e shoqërisë civile. Elementet kryesore të cilat i rregullon ky ligj janë: themelimi, organizimi, qeverisja e brendshme, shuarja e OJQ-ve, dhe elementet kryesore të Statusit për Përfitim Publik.

Ligji për liri të asociimit në OJQ garanton të drejtën e secilit individ për t’u asociuar dhe themeluar OJQ. Në kuadër të këtij Ligji ekzistojnë dy forma të organizmit të OJQ-së – si shoqatë dhe si fondacion. Shoqata është organizatë me anëtarësi dhe mund të themelohet nga së paku 3 persona, ku njëri prej tyre duhet të jetë banor i përhershëm i Kosovës. Organi më i lartë vendimmarrës i shoqatës është Kuvendi i Anëtarëve; Fondacioni është organizatë pa anëtarësi, i cili themelohet kryesisht për të menaxhuar prona dhe/ose pasuri. Fondacioni mund të themelohet nga një e më shumë persona, ku së paku njëri prej tyre duhet të jetë banor i përhershëm i Kosovës. Po ashtu, Fondacioni mund të themelohet edhe përmes testamentit apo lënies së trashëgimisë. Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është Bordi i Drejtorëve.

E drejta e organizimit dhe asociimit në OJQ garantohet edhe për personat jurdikë, përfshirë këtu edhe vetë OJQ-të. Ata mund të themelojnë shoqatë apo fondacion për të avancuar qëllimin e tyre të përbashkët, qoftë për përfitim të publikut të gjerë apo për përfitim të vetë subjekteve jurdike – themelues të shoqatës/fondacionit. Termet më të njohura të asociimit të personave jurdikë janë: rrjet, asociacion, platformë etj.

Dokumenti kryesor, i cili parasheh funksionimin e OJQ-së – qoftë ajo shoqatë apo fondacion – është Statuti i OJQ-së. Ky dokument duhet të përmbajë: emrin dhe shkrutesën e organizatës, simbolin (logon) e organizatës, adresën e organizatës, formën e organizimit – shoqatë apo fondacion –, informatat personale dhe kontaktuese të themeluesve, informatat personale dhe kontaktuese të përfaqësuesit të autorizuar të OJQ-së, qëllimet e organizatës, organin më të lartë vendimmarrës. Nëse OJQ-ja është fondacion, duhet që të përcaktojë procedurën e zgjedhjes dhe largimit të anëtarëve të bordit; Nëse OJQ-ja është shoqatë, duhet të përcaktojë kriteret për anëtarësim dhe largimin e anëtarëve. Statuti i OJQ-së duhet që po ashtu të përmbajë rregullat dhe procedurat e marrjes së vendimeve, ndryshimit të aktit themelues dhe statutit të OJQ-së, rregullat e bashkimit, ndarjes apo shpërbërjes së OJQ-së, si dhe shpërdarjen e mjeteve që mbesin pas shpërbërjes. Përveç elementeve të lartpërmendura, Statuti i OJQ-së mund të përmbajë çdo rregull shtesë, e cila konsiderohet e nevojshme për OJQ-në, me kushtin që ato të jenë në përputhje me parimet demokratike dhe dispozitat e parapara në kuadër të Ligjit për OJQ.

Në kuadër të organizimit të brendshëm të OJQ-së, Ligji trajton edhe menaxhimin e konfliktit të interesit – ku secilit anëtar të OJQ-së i ndalohet pjesëmarrja në diskutime apo vendime të cilat prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë interesin e atij anëtari. Ligji po ashtu ndalon edhe përkrahjen e partive politike apo mbledhjen e fondeve për parti politike.

Të hyrat e OJQ-së mund të jenë nga burime të ndryshme dhe në përputhje me rendin juridik në Kosovë. Sa i përket financimit të OJQ-ve, nuk ka ndonjë ndalesë specifike, përveç rasteve kur ato fonde përdoren për aktivitete të cilat nuk përkojnë me rendin juridik të vendit dhe parimet demokratike. OJQ-të mund të angazhohen edhe në aktivitete ekonomike, të kenë pronën e tyre, të menaxhojnë pasuri me qëllim të avacimit të qëllimit të tyre, përkatësisht mbështetjen e aktiviteteve të organizatës.

Ky ligji parasheh krijimin e një statusi të veçantë për një segment të OJQ-ve, përkatësisht statusin e përfituesit publik. Për ta aplikuar për këtë status, OJQ-të duhet që në kuadër të veprimtarisë të tyre si aktivitet parësor të kenë së paku njërën nga fushat: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara, aktivitete bamirëse, arsim, shëndetësi, kulturë, ruajtje dhe përparim të mjedisit, rindërtim dhe zhvillim ekonomik, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike dhe shoqërisë civile, apo çfarëdo veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut. Qëllimi i këtij statusi të veçantë është ofrimi i lehtësirave fiskale dhe të tjera për OJQ-të, nga aktivitetet e të cilave përfiton publiku i gjerë. Për dallim nga OJQ-të të cilat nuk e kanë këtë status, OJQ-të me status për përfitim publik duhet të dërgojnë raport vjetor narrativ dhe financiar tek Departamenti për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ-të.

OJQ-ja mund të shuhet përmes vendimit vullnetar nga organi më i lartë udhëheqës – Kuvendi i anëtarëve tek shoqatat dhe Bordi i drejtorëve tek fondacionet – dhe në pajtim me statutin e organizatës, apo me kalimin e afatit për të cilin është themeluar (Zakonisht vlen për OJQ-të, të cilat themelohen për një qëllim specifik, dhe në ditën e themelimit e përcaktojnë edhe datën e shuarjes së OJQ-së me supozimin se deri atëherë realizohet qëllimit i tyre). Përveç shuarjes, OJQ-ja mund të çregjistrohet me vendim të organit kompetent në rast se dështon të paraqesë deklaratën tatimore brenda afatit të paraparë të raportimit, në rast të mospërmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga vendimi i pezullimit të OJQ-së dhe në bazë të vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.