Korniza ligjore dhe zbatimi

Lehtësirat tatimore për OShC-të dhe donatorët e tyre në përgjithësi janë të vogla, përkundër që ekzistojnë disa dispozita pozitive ligjore, në veçanti lidhur me donatorët privatë të OShC-ve. Ligji i ri për tatimin në të hyrat e korporatave dhe Ligji për tatimin në të ardhura personale parashohin rritjen e zbritjeve tatimore për donacionet e korporatave apo për ato individuale nga 5% në 10% të të ardhurave të tyre të tatueshme, nëse këto donacione janë për qëllime humanitare, shëndetësore, arsimore, fetare, shkencore, kulturore, të mbrojtjes së mjedisit apo të sportit. Pranuesit me të drejtë të marrjes së këtyre donacioneve përfshijnë OJQ-të dhe cilëndo organizatë tjetër jo komerciale që drejtpërsëdrejti realizojnë aktivitete në fushat e lartpërmendura. Lehtësirat tatimore ofrohen vetëm për një numër të përzgjedhur të aktiviteteve për përfitim publik, numër i cili është shumë më i vogël se numri në listën e aktiviteteve për përfitim publik në Ligjin bazë për OJQ-të. Dispozitat për OJQ-të në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave mbeten të paqarta dhe nuk është e qartë nëse përjashtimet e tatimit standard të korporatave aplikohen tek të gjitha OJQ-të apo vetëm tek ato që kanë Status për Përfitim Publik. Pranimi i financimit të jashtëm është i lejuar. Për më tepër, OShC-të mund të pranojnë fonde gjithashtu prej individëve, korporatave dhe burimeve tjera.

Lidhur me aktivitetin ekonomik të OShC-ve, korniza ligjore ka dykuptimësi, posaçërisht lidhur me aktivitetet ekonomike të OShC-ve që nuk kanë status të përfituesit publik. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, aktivitetet ekonomike/komerciale të Organizatave me Status të Përfitimit Publik (OSPP) janë të liruara nga tatimi në të hyrat e korporatave nëse destinimi i të hyrave është vetëm për qëllime të përfitimit publik dhe deri në nivelin e arsyeshëm të të hyrave. Derisa në nenin për lirimin nga tatimi përmendet vetëm OSPP-të, në një nen tjetër për aktivitetet ekonomike ceken të gjitha OShC-të e regjistruara, aktiviteti ekonomik apo tjetër i të cilave është ekskluzivisht i lidhur me qëllimin e saj publik deri në nivelin e arsyeshëm të të hyrave. Kjo nënkupton se aktiviteti ekonomik i cilësdo OJQ të regjistruar duhet të jetë drejtpërdrejtë i lidhur me misionin e saj dhe të hyrat duhet të jenë të arsyeshme, ndërsa të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike i nënshtrohen tatimit në të hyra. Aktet nënligjore ku përshkruhen procedurat dhe hollësitë e atyre lirimeve tatimore janë në proces të hartimit. Sido që të jetë, kjo jokoherencë shkakton vështirësi në interpretimin dhe zbatimin e këtij Ligji. Ngjashëm si në Ligjin e vjetër, në Ligjin e ri nuk përfshihet ndonjë dispozitë për përfitimet tatimore në investime pasive të OShC-ve, sikurse nuk ka dispozita për themelimin dhe punën e organizatave dhuruese e as që ka beneficione tatimore për këto të fundit.

Sa i përket zbatimit të lehtësirave, asnjë OShC nuk ka raportuar për ndonjë tatim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për grante apo donacione. Nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të OShC-ve që përfituan prej përjashtimit tatimor për aktivitetet e tyre ekonomike, megjithëse 16.8% të OShC-ve të intervistuara deklaruan se ata apo donatorët e tyre kishin qenë të përjashtuar prej disa nga tatimeve (Raporti i Matricës, 2016). Sidoqoftë, një analizë e detajuar e përjashtimeve të raportuara tatimore tregon se vetëm një pjesë e vogël ishte përjashtuar për shkak të statusit të tyre të OJQ-së, me përjashtim të TVSh-së (bazuar më shumë në statusin e donatorit se sa të OJQ-së) që ishte lloji më i shpeshtë i përjashtimeve tatimore. Më pak se gjysma e OShC-ve të anketuara (41.17%) i konsideron procedurat e përfitimit tatimor si shumë të komplikuara apo disi të komplikuara. Megjithatë, OShC-të janë mjaft të painformuara për legjislacionin tatimor – studimet e mëhershme tregojnë se pothuajse gjysma e OShC-ve nuk janë në dijeni të këtyre procedurave. Meqenëse nuk mund të vëreheshin praktikat e krijimit apo funksionimit të një donacioni në Kosovë, nuk ishte raportuar për ndonjë përfitim tatimor për donacione. E njejta gjë vlen gjithashtu edhe për investimet pasive.