Dialogu institucione publike – shoqëri civile për MSA
Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizimi Asociimit (MSA) me Bashkimin Europian (BE) në vjeshtën e vitit 2015 dhe marrëveshja hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Kjo është marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në dhe përbën bazën e përpjekjeve kyçe të reformës drejt një Kosove më demokratike, stabile dhe ekonomikisht më të suksesshme. MSA-ja ka ndikim në të gjitha sferat e qeverisjes në Kosovë. Në mars të vitit 2016, Qeveria e Kosovës miratoi Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) që është një listë prej afro 1,600 masash afatshkurta dhe afatmesme për t’u zbatuar deri në vitin 2021. Sipas vlerësimit të vetë Qeverisë, zbatimi i PKZMSA është sfidues dhe kërkon përpjekjet e të gjitha institucioneve publike dhe jopublike.
Përveç kësaj, në nëntor të vitit 2016, Komisioni Europian filloi dialogun e nivelit të lartë Kosovë-BE për prioritetet kryesore ose Agjendën e Reformave Europiane (ERA). Plani i veprimit të ERA ka marrë mbështetjen e Kuvendit dhe paraqet prioritet të lartë për qeverinë aktuale. Dokumenti nxjerr në pah prioritetet kyçe në procesin e zbatimit të MSA-së. ERA përbëhet prej tri shtyllave:
1) Qeverisjes së Mirë dhe Sundimit të Ligjit,
2) Konkurrencës dhe Klimës së Investimeve; dhe
3) Arsimit dhe Punësimit.
Nëse zbatohet në mënyrë efektive, ERA ka potencialin për të ndryshuar dinamikat e politikë bërjes në institucione dhe të japë përfitimet e para të marrëveshjes së MSA-së për qytetarët e Kosovës. Zbatimi i MSA-së është një proces reformues gjithëpërfshirës që institucionet dhe shoqëria kosovare duhet të ndërmarrin. Procesi i reformës të BE-së do të përfitonte nga një përfshirje e shoqërisë civile, qoftë përmes rritjes së kërkesës për qeverisje të mirë, hulumtimit dhe analizës, ngritjes së kapaciteteve ose komunikimit më të mirë. Shoqatat e biznesit janë vetëm disa prej shumë akterëve të shoqërisë civile që luajnë një rol vendimtar në zbatimin e MSA-së. Ato mund të mobilizojnë anëtarët dhe t’i adresojnë shqetësimet e tyre drejt institucioneve të duhura. OShC-të tjera gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e reformës së BE-së, të tilla si grupet e ekspertëve, grupet e avokimit, qendrat për trajnim etj. Në këtë aspekt, KCSF është i përkushtuar që të mbështesë organizatat e shoqërisë civile që të kontribuojnë në trajtimin e këtyre sfidave.
Gjatë vitit 2017, Ministria e Integrimit Europian ka bërë draftimin e Udhëzuesit për konsultime me OShC-të dhe palë të tjera të interesuara në kuadër të Struktura të Stabilizim-Asociimit BE – Kosovë, Udhëzues ky që pritet të zbatohet pas lansimit të tij zyrtar nga Ministria e Integrimit Europian. Me fillimin e zbatimit e tij do të duhej të kishte zhvillime më dinamike dhe kontribut më të strukturuar të OShC-ve në Strukturat e Stabilizim Asociimit, dhe përfshirje të OShC-ve në zbatimin e MSA-së.
Përtej angazhimit të shoqërisë civile në këto struktura, me qëllim të mbështetjes së organizatave partnere për t’u angazhuar në objektivin e KCSF-së për të rritur pjesëmarrjen dhe kontributin e akterëve jo-shtetëror në agjendën Europiane, KCSF mbështetë angazhimin e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e prioriteteve afatshkurta të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe masave të radhitura në Agjendën e Reformave Europiane (ERA). Përderisa një pjesë e madhe e kësaj përkrahje shërben për të mbështetur aktivitetet e ndërmarra drejtpërdrejtë nga programet e saj, KCSF-ja synon të zgjerojë numrin e akterëve të përfshirë duke mbështetur projekte specifike të OShC-ve tjera në realizimin e strategjive të tyre programore.
Në përkushtimin e saj drejt mbështetjes së agjendës Europiane të Kosovës, KCSF beson që përmes përkrahjes së partnerëve të shoqërisë civile do të kontribuojë drejtpërdrejtë në përforcimin e rolit të sektorit civil dhe do të shfrytëzojë potencialin për të dhënë kontributin ndaj zbatimit të MSA-së. Përveç kësaj, synohet të mobilizohet potenciali qytetar dhe të kontribuohet në Agjendën europiane duke shfrytëzuar vlerën shtesë që sjellin OShC-të partnere dhe duke përfituar nga sinergjia dhe komplimentariteti me veprimet e KCSF-së.