Dialogu BE – shoqëri civile

BE njohu rolin e shoqërisë civile në vendet e zgjerimit dhe u angazhua për të mbështetur sektorin përmes Udhëzuesit për mbështetjen e BE-së për shoqërinë civile në vendet e zgjerimit (2014-2020). Përveç kërkesës për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit nga institucionet publike, BE-ja ka theksuar se përfshirja e shoqërisë civile në procesin e para-anëtarësimit mund të kontribuojë në thellimin e kuptimit të qytetarëve për reformat që një vend duhet të plotësojë në mënyrë që të kualifikohet për anëtarësim në BE.

Traktati i Lisbonës paraqiti një sërë dispozitash të reja mbi parimet demokratike, të përfshira kryesisht në Titullin II të Traktatit ( nenet 9 dhe 12), ku thuhet se “Funksionimi i BE-së bazohet në demokracinë përfaqësuese përmes përfaqësimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në institucionet e BE-së” dhe njëkohësisht përmend edhe Instrumentin e Iniciativës Qytetare. Për më tepër, përmes tij vendosen një numër parimesh të rëndësishme për pjesëmarrjen dhe detyrimin për institucionet e BE-së që të mbajnë një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me organizatat e shoqërisë civile.

Në rastin e Kosovës, dialogu midis Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile ka njohur faza të ndryshme të zhvillimit. Ndër mekanizmat e parë të bashkëpunimit ishte kontributi i OShC-ve për Raportin e Vendit për Kosovën. Që nga vitit 2005, KE-ja rregullisht monitoron progresin e arritur në Kosovë përmes raporteve vjetore të progresit. Raporti i vendit përshkruan shkurt marrëdhëniet në mes Kosovës dhe BE-së, si dhe vlerëson të arriturat në bazë të 3 kritereve të Kopenhagës, ato politike, ekonomike dhe standardet europiane. Zyra e BE-së në Kosovë për çdo vit i fton OShC-të e Kosovës për të dhënë kontributin e tyre në formë të shkruar dhe përmes konsultimeve të drejtpërdrejta për fusha të ndryshme, të cilat mbulohen nga Raporti i vendit (më herët i njohur si Raporti i Progresit) dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në prezantimin e pasqyrës sa më reale të progresit dhe sfidave të vendit.

Gjithashtu, OShC-të kosovare konsultohen nga Zyra e BE-së në Kosovë për programimin dhe përcaktimin e prioriteteve në kuadër të asistencës financiare, si dhe dokumenteve të tjera kyçe që synojnë përkrahjen e shoqërisë civile në kuadër të agjendës së zgjerimit nga BE.

Në vitin 2010, pas propozimeve të shoqërisë civile, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë (ZNKE) zgjeroi dialogun e rregullt të Procesit të Stabilizim Asociimit (SAPD) për shoqërinë civile. Ndërsa në vitin 2010 kjo formë e përfshirjes u implementua vetëm përmes një takimi plenar vjetor, që nga viti 2011 SAPD me shoqërinë civile ishte zgjeruar edhe në takimet sektoriale. Për disa vite, kjo formë e dialogut ishte mjaft cilësore, e përgatitur paraprakisht dhe e shoqëruar me aktivitete pasuese pas secilit takim sektoral ose plenar.

Me hyrjen në fuqi të MSA-së në vitin 2016 janë krijuar një numër i strukturave institucionale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Përderisa Udhëzuesi për konsultime me OShC-të dhe palë të tjera të interesuara në kuadër të Strukturave të Stabilizim-Asociimit BE – Kosovë i Ministrisë së Integrimit Europian do të rregulloj përfshirjen edhe të shoqërisë civile në këto struktura, Komisioni Europian ende nuk e ka përshtatur dialogun me shoqërinë civile me fazën e re të marrëdhënieve Kosovë – BE. Përkundrazi, dialogu aktual është ad-hoc dhe i pastrukturuar. Përkundër zhvillimeve të shumta paralele brenda Agjendës së BE-së për Kosovën, nuk ka ndonjë zhvillim të përshtatshëm për dialogun me OShC-të. Ka pasur pak përpjekje për të shpjeguar dhe/ose për të rritur vetëdijen mbi proceset e ndryshueshme nga pala e KE-së, ndërsa OSHC-të kanë pak informacion se çfarë duhet të presin në fazat e ardhshme, përfshirë dialogun e tyre me BE-në apo zbatimit të MSA-së dhe qasjes së re të zgjerimit të BE-së.

Me Paketën e Zgjerimit të vitit 2014, KE miratoi një qasje të re lidhur me prioritetet dhe strategjinë e zgjerimit. Tre shtylla u identifikuan si themelore: reforma e administratës publike, qeverisja ekonomike dhe konkurrueshmëria, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. Kjo nënkuptonte jo vetëm një zhvendosje drejt një pune më të strukturuar dhe më të fokusuar në këto fusha kryesore, por edhe futjen e instrumenteve të reja siç janë Programi i Reformës Ekonomike dhe Agjenda e Reformës Evropiane (ERA). Përveç kësaj, në vitin 2015, Komisioni Evropian paraqiti një metodologji të re për raportimin dhe monitorimin e progresit të secilit vend. Tani është edhe më e vështirë për OSHC-të që të kontribuojnë në mënyrë efektive, për shkak të qasjes më teknike të miratuar. Përveç kësaj, me një BE më të fokusuar mbi kriteret e saj themelore, dialogu do të duhet të ristrukturohet dhe përshtatet sipas këtyre tre temave të gjera dhe MSA-së. Në shkurt të vitit 2018, KE-ja ka lansuar Strategjinë e re të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimore. Mungesa e qasjes proaktive nga ana e BE-së për fazat e ardhshme të zgjerimit, ka rritur skepticizmin për përfshirjen e OSHC-ve në të ardhmen në proces.

Në këtë fazë të zhvillimeve në fushën e integrimit europian në Kosovë, në anën e OSHC-ve, në mënyrë që kontributi i tyre të jetë më i dobishëm dhe përmbajtësor, ato do të duhet të rrisin efektivitetin dhe ndikimin e tyre duke forcuar kapacitetin e tyre për analiza, monitorim dhe avokim; si dhe rrjetëzim, partneritet, ndërtimi të koalicioneve dhe përfshirje aktive. Megjithatë, pjesa më e madhe e punës për të siguruar dialog praktik i përket BE-së.

KCSF mbetet e përkushtuar që të kontribuoj në vendosjen e një mekanizmi të strukturuar të dialogut në mes të OShC-ve në Kosovë dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar dialog transparent, të strukturar dhe të rregullt, të parashikueshëm dhe gjithëpërfshirës.