Të fundit

Në prill të vitit 2016 Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren mbi Standardet Minimale për Konsultim Publik, dhe e njëjta ka hyrë në fuqi më 1 janar 2017. Kjo Rregullore është zhvilluar bazuar në propozimin e KCSF-së në studimin “Zingjiri i pakompletuar” të vitit 2015 dhe kontributin e vazhdueshëm në grupin punues për hartimin e Rregullores. Konsultimi publik, si proces, ka ndodhur edhe para miratimit dhe hyrjes në fuqi të Rregullores. Megjithatë, nuk ka qenë i rregullt dhe jo të gjitha fazat e procesit të konsultimit janë zbatuar.
Për dallim nga praktika e mëparshme, kjo Rregullore obligon Qeverinë që procesin e konsultimit publik ta fillojë që nga faza e caktimit të agjendës, respektivisht përgatitjes së planeve të punës së ministrive përkatëse, ndërsa diskutimet e para me palët e jashtme t’i bëjë ende pa filluar shkrimin e drafteve të ligjeve a politikave. Pasi që projektet fillestare të jenë avancuar dhe komentuar edhe nga organet tjera qeveritare, procesi vijon me një raund të konsultimit të gjerë publik, i cili duhet t’u mundësojë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve apo grupeve të tjera të interesit t’i japin komentet e tyre me shkrim. Në fund, institucioni propozues duhet t’u përgjigjet të gjithë atyre që kanë dhënë komente, ndër të tjerash duke ofruar arsyet për pranimin apo mos-pranimin e komenteve të tyre. Afatet minimale për të gjitha këto veprime si dhe përmbajtja e takimeve dhe dokumenteve të konsultimit, i përcaktojnë pritjet e duhura nga të dyja palët.
Zbatimi i këtyre standardeve mundësohet edhe nga krijimi i një Platforme Online të konsultimit publik, ku njësitë e ndryshme të Qeverisë mund të publikojnë të gjitha dokumentet e hapura për konsultim publik, ndërsa pjesëtarët e interesuar të publikut të komentojnë drejtpërdrejtë në dokumentet përkatëse.

Shkarkoni Rregulloren: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=15036
Regjistrohuni në Platformën Onlinehttp://konsultimet.rks-gov.net/publicRegister.php