Praktika e zbatimit

Gjatë vitit 2017, kordinatorët për konsultim me publikun janë caktuar pothuajse në të gjita ministritë e linjës në përputhje me kërkesat e Rregullores. Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyres së Kryeministrit, në bashkëpunim me këta zyrtarë përgatit raportet vjetore rreth procesit të konsultimit publik. Raporti për vitin 2017 si vit i parë i zbatimit ka filluar së përgatituri dhe pritet të publikohet para 31 marsit 2018.

Raportet vjetore duhet të përmbajnë:

1. Numrin e projekt-propozimeve të iniciuara dhe llojet e tyre;
2. Numrin e projekt-propozimeve për të cilat është zhvilluar konsultimi publik;
3. Numrin e projekt-propozimeve të miratuara për të cilat nuk ka pasur konsultim publik, bashkë me arsyet për këtë;
4. Numrin e pjesëmarrësve në takime publike dhe atyre që kanë dërguar komente me shkrim;
5. Numrin e komenteve që janë pranuar plotësisht, pranuar pjesërisht apo refuzuar.

Gjithashtu një udhëzim mbi metodologjinë e monitorimit të standardeve minimale është përgatitur nga projekti i Asistencës Teknike për organizatat e shoqërisë civile si mbështetje për Strategjinë e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike.

Në praktikë, përgjatë vitit 2016 progresi ka qenë i kufizuar kryesisht për shkak të mungesës së politikave specifike që do ta rregullonin procesin e konsultimit publik, dhe më vonë për shkak të nivelit të ulët të zbatimit të Rregullores. Gjatë vitit 2016 vetëm 24.75% e OShC-ve të intervistuara kanë deklaruar se janë ftuar rregullisht në konsultime publike, ndërkaq pak më shumë se gjysma e tyre kanë deklaruar që iu është dhënë kohë e mjaftueshme në dispozicion për të komentuar. Përgjatë të të njejtit vit, 39.8% e dokumenteve të politikave dhe akteve normative të miratuara janë konsultuar me shoqërinë civile nëpërmjet Platformës CiviKos. Më konkretisht Qeveria ka shpërndarë për konsultim me publikun 27 draft-ligje (prej 53 të miratuara gjithsej), 7 koncept-dokumente (prej 26 të miratuara gjithsej), 2 dokumente strategjike (prej 8 të miratuara gjithsej) dhe 23 udhëzime administrative (prej 63 të miratuara gjithsej). Deri në muajin gusht të vitit 2017, vetëm 21.43% të dokumenteve të politikave dhe ligjeve të planifikuara për miratim janë shpërndarë për konsultim publik nëpërmjet Platformës Online për konsultime publike. Përkthyer në përqindje 24.56% e projektligjeve janë shpërndarë për t’u konsultuar me publikun përmes Platformës Online, 17.95% e koncept-dokumenteve dhe 18.75% e strategjive.

Të dhënat zyrtare për vitin 2017 ende nuk janë publikuar. Megjithatë, nga vëzhgimi i procesit të konsultimit publik gjatë këtij viti, vërehet që jo të gjitha dokumentet e miratuara nga Qeveria janë konsultuar me publikun. Përderisa kishte disa raste pozitive në ministri dhe procese të caktuara, ndër problemet kryesore ishte numri shumë i ulët i Raporteve Përfundimtare të Konsultimit. Në anën tjetër, niveli i kontributit nga palët e jashtme, përfshirë shoqërinë civile, ishte mjaft i ulët. Dokumente të shumta të hapura për konsultim ose nuk u komentuan fare, ose u komentuan vetëm nga një ose dy organizata.