KORNIZA LIGJORE
Në Kosovë ekzistojnë një numër i akteve normative të cilat e rregullojnë procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivelin qendror, ndërsa përfshirja e publikut është pjesë përbërëse e secilit prej këtyre dokumenteve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përkatësisht Neni 41 – E drejta e qasjes në dokumente publike, i obligon të gjitha institucionet publike që të informojnë qytetarët dhe të gjitha palët e interesuara për punën dhe dokumentet e tyre, kurse Neni 45 – Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, inkurajon pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në aktivitetet publike dhe të drejtën për të ndikuar në vendimet e organeve publike.
Ndërkaq, Rregullorja e Punës e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.09/2011, e aprovuar në vitin 2011, ofron një bazë të mirë për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në punën e Qeverisë. Ekzistojnë tre nene të veçanta si dhe disa dispozita tjera të cilat obligojnë Qeverinë për t’i përfshirë qytetarët dhe palët tjera të jashtme në punën e vet. Neni 32, e obligon organin propozues që të publikojë përmbajtjen e propozimit dhe të kërkojë komente nga publiku, e në veçanti nga OJQ-të. Gjithashtu ky nen obligon organin propozues që të ofrojë informata të mjaftueshme për publikun dhe OJQ-të si dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e propozimeve të Qeverisë dhe të dalin me komente dhe rekomandime konkrete. Për më tepër, rezultatet e këtyre konsultimeve duhet të raportohen në takimin e Qeverisë ose Komitetet Ministrore, si pjesë e Koncept Dokumentit ose Memorandumit Shpjegues përkatës. Neni 39 ia përcakton obligimin për konsultime publike organit propozues, i cili është përgjegjës për procedurat e hartimit të projektit fillestar. Neni 69 e obligon Qeverinë që të bashkëpunojë me entitete të ndryshme të jashtme, siç janë shoqatat, odat profesionale dhe OJQ-të, nëpërmjet diskutimit të mendimeve dhe nismave të tyre, si dhe përmes thirrjes së përfaqësuesëve të këtyre entiteteve për të marrë pjesë në takimet e organeve punuese të Qeverisë.
Bazuar në Rregulloren e Punës së Qeverisë, por duke i detajizuar obligimet e përgjithshme, në prill të vitit 2016 Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren mbi Standardet Minimale për Konsultim Publik, dhe e njëjta ka hyrë në fuqi më 1 janar 2017. Zbatimi i saj është obligativ për të gjitha organet e pushtetit qendror qeveritar (Ministritë, Zyrën e Kryeministrit dhe Agjencitë e Qeverisë), por nuk i përfshin Komunat dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Poashtu, rregullorja vlenë për të gjitha dokumentet, e politikave si:
- Planet e punës për vitin pasardhës
- Projektligjet
- Koncept-dokumentet
- Strategjitë
- Aktet nënligjore (udhëzime administrative, rregullore, etj.)
Hartimi i secilit dokument të lartëcekur kërkon përmbushje të plotë të standardeve minimale, ndërsa për çdo lënien mënjanë të ndonjë pike të standardeve minimale gjatë procesit të konsultimit me publikun, Rregullorja kërkon që procesi i hartimit të dokumentit të mos vazhdojë deri sa standardi përkatës të plotësohet.
Varësisht nga audienca e synuar Rregullorja sugjeron të përdoren dy nga metodat e konsultimit: takimet publike dhe konsultimet me shkrim. Nisur nga kompleksiteti i aktit që do të konsultohet afati më i shkurtë për dërgimin e komenteve është 15 ditë pune nga dita e dërgimit të ftesës, ndërsa për akte më komplekse mund të jepen deri në 60 ditë kalendarike për komentim.
Konsultimi publik fillon qysh në fazën e hartimit të planit të punës për vitin pasardhës, ndërsa vazhdon gjatë përgatitjes dhe hartimit të dokumentit përkatës. Secila nga këto faza i ka kërkesat e veta minimale.
Kur përgatitet Plani i punës, institucioni përgjegjës obligohet që, së paku, të:
- Organizojë një takim me palët e interesuara, për të prezantuar dhe diskutuar elementet kryesore për t’u përfshirë në plan;
- Të publikojë verzionin përfundimtar të planit, përfshirë secilin ndryshim që ndodhë përgjatë vitit
Gjatë hartimit të projekt-propozimit përkatës, organet kompetente duhet që:
- Para fillimit të hartimit të projekt-propozimit, të ftojnë palët e interesuara për diskutim të elementeve kryesore që planifikohen të përfshihen në projekt-propozim.
- Pasi që të hartohet drafti fillestar dhe pasi që organi kompetent të ketë përfunduar fazën e konsultimit të brendshëm me institucione tjera publike, kërkohet konsultimi i gjerë me shkrim.
Pasi të jenë pranuar komentet nga publiku për dokumentin i cili është konsultuar, organi përkatës duhet të përpilojë raportin përfundimtar të konsultimit, i cili përmban:
- Ecurinë e procesit dhe përmbledhje të përgjigjeve në çështjet e konsultimit;
- Komentet e dërguara nga publiku;
- Përgjigjet e institucionit ndaj komenteve dhe arsyetimit për pranimin ose refuzimin e komenteve;
- Hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren rreth dokumentit i cili është konsultuar
Mbikëqyrja e zbatimit të Standardeve Minimale në procesin e Konsultimit Publik duhet të sigurojë që secili standard minimal është respektuar në përpikëri. Varësisht se cili institucion konsulton dhe çka konsultohet, dallojnë edhe njësitë përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit të konsultimit.
Në kuadër të Ministrive, përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit të konsultimit janë:
- Departamenti Ligjor për: projektligje, udhëzime administrative dhe rregullore ;
- Departamenti për Koordinim të Politikave dhe Integrim Europian për koncept dokumente, dhe dokumente strategjike.
Në kuadër të Zyres së Kryeministrit, përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit të konsultimit janë:
- Zyra Ligjore për projektligje, udhëzime administrative dhe rregullore
- Sekretariati Koordinues i Qeverisë për koncept dokumente
- Zyra për Planifikim Strategjik për dokumente strategjike
Udhëheqësit e këtyre njësive janë të obliguar që në momentin që vërejnë mos-zbatim të Standardeve Minimale ta ndalojnë procesin e hartimit të një dokumenti dhe të sigurohen që standardet përkatëse plotësohen si duhet.
Kërkesë për përkrahje për Ligjin për OJQ
Kuvendi i Kosovës, më 7 nëntor 2018, ka miratuar Ligjin për liri të asocimit në OJQ, me shumë ndryshime të momentit të fundit të cilat e cënojnë lirinë e asocimit, parimin jo-për-përfitim dhe të ardhmen e shoqërisë civile në Kosovë.
Pas kërkesës së 77 OShC-ve për kthim të ligjit për shkak të shkeljeve të Kushtetutës së Kosovës, ligji është kthyer në Kuvend dhe pritet të dalë në lexim të tretë dhe përfundimtar gjatë muajit janar 2019. Për aprovimin e kërkesave të shoqërisë civile nevojitet vota e të paktën 61 deputetëve.
Krahas me takimet me përfaqësues të partive parlamentare dhe nisjes së një fushate mediale për këtë çështje, ju ftojmë që të përkrahni një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me thirrjen për të votuar kërkesat e shoqërisë civile. Afati për shprehje të përkrahjes është më 14 janar 2019 (e Hënë), në orën 12:00.
Më poshtë mund të shkarkoni përmbajtjen e letrës, përmbledhjen e shkurtë të problemeve kryesore të ligjit dhe analizën e detajuar të problemeve të ligjit.