Të fundit
Organizatat jo-qeveritare ishin ndër të parat që u rregulluan nga UNMIK-u, vetëm disa muaj pas vendosjes së këtij misioni në Kosovë. Rregullorja 1999/22 për regjistrimin dhe funksionimin e OJQ-ve, e nënshkruar në dhjetor 1999, ishte mjaft moderne për kohën. Duke synuar funksionalizimin e shpejtë të një sektori të nevojshëm për fazën e emergjencës dhe rindërtimit të Kosovës së sapo dalë nga lufta, kjo rregullore përcaktoi procedura të lehta të regjistrimit, mekanizma të butë të kontrollit shtetëror dhe një listë të gjerë të lehtësirave për organizatat me status për përfitim publik. Kjo kornizë ligjore ndikoi në rritjen e shpejtë të numrit të OJQ-ve të regjistruara dhe deri vonë u konsiderua mjaft e favorshme për veprimtarinë e sektorit jo-qeveritar në Kosovë. Kjo, përkundër që në vitet 2004/2005, me akte tjera, u larguan pothuajse të gjitha lehtësirat për organizatat me status për përfitim publik.
Edhe pse më i detajuar, Ligji i vitit 2009 për lirinë e asociimit në OJQ, sikurse edhe ai pasues i vitit 2011 e që është në fuqi edhe sot, në përgjithësi iu përmbajtën frymës dhe qasjes së njejtë më rregulloren e UNMIK-ut. I vlerësuar kryesisht në pajtim me standardet ndërkombëtare të lirisë së asociimit, Ligji aktual për OJQ megjithatë doli të jetë i pamjaftueshëm për fazën aktuale të zhvillimit të sektorit në Kosovë, si dhe jo i plotë për t’i përballuar të gjitha kërkesat moderne dhe sfidat me të cilat ballafaqohen raportet shtet-OJQ. Qasja pozitive dhe e lehtë e kontrollit shtetëror në kuadër të këtij ligji u mor si shkas për përfshirjen e dispozitave shumë kufizuese për OJQ në Ligjin kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Interpretimi i gabuar i dispozitave të përgjithshme u shfrytëzua nga Qeveria për të miratuar një Udhëzim Administrativ i cili lejonte suspendimin arbitrar të OJQ-ve nga Departamenti për OJQ, në shpërputhje të plotë me parimin e shqyrtimit gjyqësor në çfarëdo rasti të ndërhyrjes shtetërore në punën e një OJQ-je. Bazuar në këtë Udhëzim Administrativ, gjatë periudhës 2014-2017 Departamenti për OJQ pezulloi veprimtarinë e rreth 30 OJQ-ve të ndryshme.
Për të adresuar këto probleme, përfshirë kontrollin e shtuar mbi regjistrimin dhe veprimtarinë e OJQ-ve, në vitin 2014, Departamenti për OJQ e filloi procesin e hartimit të koncept dokumentit për rregullimin e funksionimit të organizatave jo-qeveritare. Në këtë proces morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, si përmes dërgimit të komenteve me shkrim ashtu edhe duke kontribuar drejtpërsëdrejti në punën e grupit punues. Koncept dokumenti u miratua në gusht të vitit 2016, duke i hapur rrugë themelimit dhe punës së grupit punues për hartim të Projekt-ligjit të ri për liri të asociimit në OJQ.
Drafti i parë i prezantuar nga DOJQ gjatë tetorit 2016 përmbante kufizime të tepërta në lidhje me ndërhyrjen e shtetit në punët e brendshme të OJQ-ve dhe kërkesat për raportim financiar. KCSF në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Ligjin Jo-për-përfitim (ECNL), u angazhuan në mënyrë aktive brenda grupit punues dhe me aktivitete tjera për t’i larguar dispozitat kufizuese. Për më tepër, kjo mundësi u shfrytëzua për avancimin e kornizës ligjore dhe përmbushjen e zbrazëtirave të identifikuara nga praktika dhe studimet parapake në këtë fushë.
Si rrjedhojë e këtij angazhimi përgjatë gjithë vitit 2017, projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor 2017 nuk i përmban kufizimet e mëparshme dhe ka dispozita dukshëm më të favorshme për lirinë e asociimit në OJQ, krahasuar me Ligjin në fuqi. Projektligji për liri të asociimit në OJQ pritet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës në pjesën e parë të vitit 2018.