Korniza ligjore

Liria e asociimit është e drejtë kushtetuese, e garantuar me Nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky nen granton të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate. Korniza ligjore për lirinë e asociimit përfshin Ligjin aktual nr. 04/L-57 të Lirisë së Asociimit në OJQ dhe Udhëzimin Administrativ GRK – nr.02/2014. Format ligjore për të cilat vlen liria e asociimit janë: shoqatat dhe fondacionet të rregulluara me ligjin për liri të asociimit. Gjithashtu përfshinë edhe sindikatat, partitë politike, asociacionet e punëdhënësve, komunitetet fetare, etj, të cilat janë të rregulluara përmes ligjeve të tyre përkatëse. Megjithatë, nuk ka dispozita ligjore për themelimin e kompanive joprofitabile apo për dhurime, edhe pse kjo e fundit shprehimisht nuk është as e ndaluar. Shoqatat mund të themelohen nga së paku tre persona fizik apo juridik, ndërsa fondacionet mund të themelohen nga një person i vetëm apo përmes testamentit.

Regjistrimi i OJQ-ve nuk është obligativ, është pa pagesë dhe rregullat e regjistrimit janë të thjeshta, ndërsa përgjigjja nga Departamenti për regjistrimin e OJQ-ve duhet të jepet brenda 60 ditësh. Korniza ligjore nuk e njeh kategorinë e organizatave me bazë në komunitet. Mirëpo duke qenë se ushtrimi i lirisë së asocimit pa pasur nevojë për t’u regjistruar është e drejtë kushtetuese, e përcaktuar gjithashtu me legjislacion primar dhe sekondar, kushdo mund të themelojë një organizatë, përfshirë edhe atë me bazë në komunitet). Edhe pse nuk ka raportime për ndonjë kufizim në funksionimin e organizatave të paregjistruara, shumica e donatorëve vendor (përfshirë institucionet shtetërore) dhe ndërkombëtarë nuk ofrojnë fonde për organizatat e paregjistruara). Në janar të vitit 2017 Ministria e Administratës Publike lansoi Sistemin elektronik për regjistrim të OJQ-ve që parashikohet të lehtësojë procesin e regjistrimit të një OJQ-je. Sistemi ofron të gjitha shërbimet e njejta sikurse edhe vetë Departamenti për regjistrim të OJQ-ve. Legjislacioni parasheh edhe të drejtën e ankesës e cila është e rregulluar me udhëzim adminstrativ. Sidoqoftë, procesi i ankimimit konsiderohet të jetë problematik pasi që autoriteti i njejtë ka mandatin për themelimin e Komisionit të ankesave. Poashtu, rrjetet konsiderohen si shoqata/asociacione dhe vlejnë rregullat e njëjta.

Korniza ligjore ndalon autoritetet publike që të ndërhyjnë në punën dhe aktivitetet e OJQ-ve, përveç nenit 18 të Udhëzimit Administrativ QRK – Nr: 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e OJQ-ve. Ky nen ia mundëson Departamentit për OJQ që të pezullojë veprimtarinë e OJQ-së në bazë të kërkesës me shkrim dhe arsyetimin e institucionit të autorizuar të sigurisë. Kohëzgjatja maksimale e pezullimit është një vit ndërsa arsyetimi mund të bazohet në rastet kur veprimtaria e OJQ-së dyshohet se nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare. Shoqëria civile ka argumentuar se ky nen nuk është në përputhshmëri me legjislacionin primar dhe standardet ndërkombëtare. Sidoqoftë, ky nen mbetet ende në fuqi dhe lejon ndërhyrjen e pajustifikueshme shtetërore në udhëheqjen dhe aktivitetet e OShC-ve. Në anën tjetër nuk ka dispozita specifike ligjore që e obligojnë shtetin për të ofruar mbrojtje nga ndërhyrja e palëve të treta.

OShC-të në Kosovë lirshëm mund të kërkojnë dhe sigurojnë fonde nga burime të ndryshme vendore dhe të huaja me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të tyre. Megjithatë, kushti për autorizimin paraprak të fondeve që parashihet në Ligjin për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe të financimit të terrorizimit vazhdon të jetë një procedurë e rëndë gjatë kërkimit dhe sigurimit të burimeve financiare. Ligji për Lirinë e Asocimit në OJQ, ku parashihet që OJQ-të mund të angazhohen në aktivitete të ndryshme ekonomike, nuk është ndryshuar.

Në fund, dispozitat ligjore në kuadër të Ligjit për Lirinë e Asociimit në OJQ rreth shpërbërjes së OJQ-ve vlerësohet se janë në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare.

Kërkesë për përkrahje për Ligjin për OJQ

Kuvendi i Kosovës, më 7 nëntor 2018, ka miratuar Ligjin për liri të asocimit në OJQ, me shumë ndryshime të momentit të fundit të cilat e cënojnë lirinë e asocimit, parimin jo-për-përfitim dhe të ardhmen e shoqërisë civile në Kosovë.

Pas kërkesës së 77 OShC-ve për kthim të ligjit për shkak të shkeljeve të Kushtetutës së Kosovës, ligji është kthyer në Kuvend dhe pritet të dalë në lexim të tretë dhe përfundimtar gjatë muajit janar 2019. Për aprovimin e kërkesave të shoqërisë civile nevojitet vota e të paktën 61 deputetëve.

Krahas me takimet me përfaqësues të partive parlamentare dhe nisjes së një fushate mediale për këtë çështje, ju ftojmë që të përkrahni një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me thirrjen për të votuar kërkesat e shoqërisë civile. Afati për shprehje të përkrahjes është më 14 janar 2019 (e Hënë), në orën 12:00.

 Më poshtë mund të shkarkoni përmbajtjen e letrës, përmbledhjen e shkurtë të problemeve kryesore të ligjit dhe analizën e detajuar të problemeve të ligjit.