Ligji për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit

Ligji 03/L-196 për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit i vitit 2010 përmbante shumë dispozita kufizuese të cilat u cilësuan si barrë e tepërt për OJQ-të. Me ligjin e vjetër, OJQ-të ishin i vetmi sektor, për të cilin kërkohej autorizim paraprak për pranimin e mjeteve financiare prej më shumë se 1,000 euro nga një dërgues i vetëm apo pagesë në shumë më të madhe se 5,000 euro për një pranues të vetëm brenda një dite. Për të bërë apo pranuar pagesa që tejkalojnë shumat e cekura më lartë, OJQ-të duheshin të kërkojnë nga Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës (NjIF-K) përjashtim të njëhershëm apo të përsëritur nga këto obligime. Në kërkesën me shkrim të parashtruar nga OJQ-të tek NjIF-K duhej të ceken arsyet për këtë përjashtim, ndërsa NjIF-K-ja duhej t’i përgjigjet kësaj kërkese brenda 30 ditësh. Përgjigjet e NjIF-K-së mund të ishin: 1) Lejohet; 2) Lejohet me kusht ose 3) ose përjashtimi refuzohet. Megjithatë, i tërë procesi i kërkesës dhe përgjigjes nuk ishte i ndërlidhur me kriteret që duheshin të merreshin parasysh nga NjIF-K-ja gjatë marrjes së vendimit. Kjo krijonte bazë për interpretime të ndryshme apo vendime arbitrare. Këto kushte ishin të vështira për OShC-të pasi që krijonin probleme në pranimin e fondeve nga donatorët apo pagesën e fondeve nga dhënësit vendorë të granteve për përfituesit e tyre.

Për më tepër, dënimet për shkeljen e këtyre kufizimeve ishin problematike në tri aspekte: i pari, shkelja e kufizimeve të përcaktuara konsiderohej si vepër penale dhe sanksionohej me burg, ku përfshiheshin edhe dënimet e larta monetare; i dyti, ato nuk ishin proporcionale me shkallën e shkeljes, pasi që parashihnin madje edhe shpërbërjen e OJQ-së, gjë e cila nuk ishte në përputhje me dispozitat e Ligjit për lirinë e asocimit të OJQ-ve. I treti, Departamenti për OJQ kishte autorizim të shpërbëjë OJQ-në, e cila nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për lirinë e asocimit të OJQ-ve.

Që nga viti 2013, KCSF problematizoi dispozitat kufizuese dhe kërkoi nga organet kompetente që të nisin procesin e plotësim-ndryshimit për të larguar këto dispozita. Përveç analizave dhe rekomandimeve të politikave, KCSF u përfshi edhe në nismat globale të shoqërisë civile të kësaj fushe, duke marrë përvoja të mira por edhe duke kontribuar në diskutimet të forumeve të ndryshme ndërkombëtare.

Në vitin 2015 përfundimisht u aprovua një koncept-dokument i cili hapte rrugën për plotësim-ndryshim të ligjit të vitit 2010, ndërsa gjatë vitit 2015 dhe 2016 KCSF ishte pjesë aktive e Grupit Punues për hartimin e ligjit të ri. Ligji i ri 05/L-096 për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit u miratua me 16 maj të vitit 2016. Si rezultat i angazhimit intensiv të KCSF-së, me përkrahjen e një numri të madh të organizatave të shoqërisë civile si dhe Qendrës Europiane për të Drejtën Jo-për-Përfitim (ECNL), shumica e dispozitave kufizuese të ligjit të vjetër u shfuqizuan. Sidoqoftë, disa dispozita të mbetura për OJQ-të nuk janë në harmoni me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë kufizimet për të pranuar donacione në para të gatshme dhe detyrimet për të financuar trajnimet për programet kundër shpëlarjes së parave dhe kryerjes së analizës së rregullt profesionale. Duke qenë masa standarde për banka dhe subjekte të qëndrueshme, këto detyrime vështirë se mund të zbatohen nga shumica e OJQ-ve të regjistruara, të cilat janë organizata të vogla dhe me bazë në komunitet.