Korniza ligjore dhe zbatimi
Nga OJQ-të kosovare kërkohet që të përmbushin obligimet e raportimit financiar njejtë sikurse të gjitha subjektet tjera juridike. Këtu përfshihet edhe raportimi vjetor për ATK-në dhe raportimi për pagesën e tatimeve përkatëse, siç është tatimi në paga për të punësuarit e tyre (nëse një organizatë ka të punësuar), tatimi në të ardhurat e korporatave (nëse organizata bie në kategorinë e obligimit për të paguar këtë tatim), tatimi në pronë ose në qira (nëse një organizatë posedon pronë ose jep me qira ndonjë pronë). Gjithashtu, OJQ-të duhet të paguajnë pjesën e tyre të kontributit pensional për secilin të punësuar të tyre. Kushtet e përgjithshme për OJQ-të janë identike me ato për bizneset e tjera dhe specifikat e sektorit pothuajse fare nuk merren parasysh në kornizën ligjore. I vetmi obligim specifik lidhur me raportimin e OJQ-ve është raportimi vjetor i organizatave me status për përfitim publik. Ky grup i OJQ-ve është i obliguar të dorëzojë raportin narrativ dhe atë financiar në Departamentin e OJQ-ve, e që është edhe kusht për ruajtjen e këtij statusi. Nëse qarkullimi vjetor i organizatave me status për përfitim publik është më i lartë se 100,000 EUR, raportit financiar gjithashtu duhet t’i bashkëngjitet edhe raporti i auditimit të jashtëm. Përderisa pjesa më e madhe e kushteve për raportim janë të ndërlidhura me ekzistimin e aktiviteteve të caktuara (pra, nëse OJQ-ja nuk ka të punësuar, nuk paguhet tatimi në të ardhura personale), raporti vjetor për ATK-në është kusht për të gjitha OJQ-të e regjistruara. Për vitin 2015, vetëm 748 OJQ kanë dorëzuar këtë raport (Raporti i Indeksit, 2016).
Duke u bazuar në të dhënat e Indeksit Kosovar për Shoqëri Civile 2016 në pyetjen se a i raportojnë në përgjithësi Administratës Tatimore të Kosovës, më shumë se gjysma e OShC-ve të anketuara deklarojnë se rregullisht i raportojnë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) (67%), 11% deklaruan se nuk i raportojnë rregullisht, ndërsa 22% thanë se fare nuk i raportojnë. Dallimi i madh mes atyre që konsiderojnë se i raportojnë rregullisht dhe atyre që aktualisht ia kanë parashtruar raportin vjetor ATK-së (që është obligative, pavarësisht nëse organizata ka transaksione financiare ose të punësuar), tregon qartë se niveli i njohurive për kushtet e raportimit është mjaft i ulët