Rregullorja për fonde publike për OJQ
Miratimi dhe hyrja në fuqi në qershor 2017 i Rregullores mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve ka krijuar për herë të parë në Kosovë sistem të financimit publik për OJQ-të, të bazuar në meritë, rregulla të vendosura qartë, dhe transparencë. Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm përpara duke përcaktuar rregullat për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile përmes fondeve publike, sipas standardeve të transparencës, meritokracisë dhe zbatimit të plotë të ligjeve në fuqi. Në bazë të rregullores, të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror dhe lokal, bazuar në kriteret dhe procedurat e përgjithshme të përcaktuara në të, obligohen që:
• Të parashohin përkrahjen financiare për Organizata Jo Qeveritare (OJQ) brenda buxhetit vjetor;
• Të planifikojnë mënyrën dhe fushat e përkrahjes në kuadër të buxhetit të aprovuar;
• Të shpallin thirrje të hapura, të bazuara në kritere të qarta dhe forma standarde të aplikimit, të shoqëruara me udhëzime të detajuara për aplikim;
• Të vlerësojnë aplikacionet bazuar në sistem të standardizuar të vlerësimit dhe nëpërmjet Komisioneve Vlerësuese, në përbërje të të cilëve duhet të ketë edhe ekspertë të jashtëm;
• Të informojnë të gjitha palët e interesuara dhe publikun rreth rezultateve të vlerësimit, organizatave të përkrahura, shumave të financimit, natyrës së projekteve të përkrahura etj.;
• T’i trajtojnë ankesat eventuale;
• Të nënshkruajnë kontrata për secilin projekt apo program të përkrahur;
• T’i monitorojnë projektet dhe programet e përkrahura dhe të mbledhin e analizojnë raportet e pranuara;
• Të përgatisin raporte vjetore të përkrahjes financiare për OJQ-të me informata të detajuara mbi fushat dhe shumat e përkrahjes, përfituesit, shpërndarjen gjeografike dhe tematike, zbatimin e kritereve dhe procedurave etj.
Rregullorja është e shoqëruar me udhëzues të detajuar të zbatimit, përfshirë formularët dhe materialet tjera të nevojshme për zbatim të njejtë nga të gjitha institucionet publike. Rregullimi i fushës së financimit publik të organizatave të shoqërisë civile jo vetëm që parandalon dhënien e fondeve publike pa rregulla e kritere, por në të njejtën kohë tregon gatishmërinë e shtetit për ndërtim të mekanizmave formal të bashkëpunimit me shoqërinë civile, si dhe njohjen e kontributit të këtij sektori në zhvillim të gjithmbarshëm të vendit. Duke qenë që kjo rregullore hyri në fuqi vetëm në pjesën e dytë të vitit 2017, gjatë këtij viti zbatimin e saj e filluan vetëm një numër shumë i kufizuar i institucioneve. Përvoja e tyre dëshmoi që përkundër që u vendos një sistem plotësisht të ri për ndarjen e fondeve publike për OJQ, kërkesat dhe procedurat e parapara janë të zbatueshme dhe prodhojnë transparencë, meritokraci dhe gjasa më të mëdha për ndryshime të vërteta nga aktivitetet e financuara.