Fondet publike për OJQ deri në vitin 2017
Para aprovimit të rregullores për fonde publike, nuk ka ekzistuar ndonjë ligj i veçantë apo politikë shtetërore që rregullonte mbështetjen institucionale për OShC-të, sikurse që nuk kanë ekzistuar mekanizma të nivelit kombëtar apo lokal për shpërndarjen e fondeve publike për to. Fondet ekzistuese të OShC-ve shpërndaheshin prej institucioneve të caktuara në nivel qendror dhe lokal pa ndonjë bashkëpunim apo arsyetim dhe pa planifikim paraprak brenda buxhetit të shtetit. Poashtu, nuk ka politikë apo mekanizëm shtetëror të financimit publik për zhvillim institucional të OShC-ve dhe bashkë-financim me grantet e BE-së dhe grantet tjera. Duke pasur parasysh se cikli standard buxhetor mbulon vetëm një (1) vit, ka qenë e vështirë të financohet ndonjë program apo grant për zhvillim institucional brenda një periudhe aq të shkurtër kohore, ndërkohë që nuk janë vërejtur raste të financimit më të gjatë kohor. Nuk ka procedura apo kërkesa të caktuara për ndonjë pjesëmarrje të OShC-ve në ciklin e financimit publik.
Si rezultat i presionit të vazhdueshëm nga shoqëria civile, Qeveria në mars të vitit 2017 publikoi raportin e parë të financimit publik të OJQ-ve, e cila nxori në pah disa informata rreth financimit publik. Para së gjithash raporti vërtetoi shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile që të dhënat rreth financimit publik të OJQ-ve nuk shfrytëzohen siç duhet brenda administratës shtetërore. Kjo rezultoi me informacion shumë të kufizuar në dispozicion për raportin si dhe me raste të shumta të kategorizimit joadekuat brenda raportit. Kishte raste ku për shkak të pakujdesisë apo gabimeve teknike, një OJQ ishte numëruar më shumë se një herë si përfitues i granteve. Poashtu është vërejtur, mungesë e dallimit midis pagesës së shërbimeve dhe granteve për OJQ-të, mungesë e informacionit mbi karakterin e projekteve/programeve të mbështetura etj. Sipas raportit të Qeverisë, shuma e përgjithshme e fondeve të transferuara prej buxhetit shtetëror tek OJQ-të gjatë vitit 2016 ishte 13,883,316.78 EUR, me shuma shumë të ngjashme të raportuara edhe për vitin 2015. Përderisa komunat kanë pasur një pjesë më të madhe për të dyja vitet, niveli qendror ishte karakterizuar me një rritje të lehtë gjatë vitit 2016, ndërsa e kundërta vlen për nivelin lokal. Numri i përfituesëve të OJQ-ve për vitit 2016 ishte raportuar të jetë 1,659, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte institucioni i cili u shpërndau më së shumti fonde OJQ-ve.
Pavarësisht nga të qenit një hap shumë pozitiv drejt transparencës së financimit publik për OJQ-të, raporti i Qeverisë për financim publik të OJQ-ve ka mangësi serioze dhe nuk ofron një gjendje të saktë të situatës në këtë fushë. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së sistemit të duhur për shfrytëzimin e të dhënave. Një analizë e detajuar e këtij raporti të zhvilluar nga KCSF nxjerr në pah në mënyrë të konsiderueshme të dhëna të ndryshme, veçanërisht në lidhje me shumat e përgjithshme. Kur federatat dhe klubet sportive ishin mënjanuar nga lista e publikuar, shuma e financimit të OJQ-ve ishte zvogëluar për rreth 7 milion Euro për dy vite. Pas zvogëlimit të mëtejshëm të shumës me vlerë prej më pak se 1 milion Euro të shpërndara tek institucionet publike që në raport u listuan si OJQ si dhe shumat që u vlerësuan si pagesa të shërbimeve apo fonde tjera të donatorëve që u kanalizuan përmes institucioneve publike (rreth 9 milion Euro për dy vite), shuma përfundimtare që do të mund t’i dhurohej OJQ-ve për dy vite është pak më shumë se 10 milion Euro. Për më tepër, pas përmirësimit të emrave të OJQ-ve të listuar në raport dhe mënjanimit të OJQ-ve që u numëruan disa herë, numri i OJQ-ve përfituese nuk e tejkalon shifrën e 1800 për dy vite. E fundit por shumë e rëndësishme, analiza e detajuar e raportit të KCSF-së nxjerr në pah që rreth 90% të pagesave për OJQ-të janë nën 10,000 Euro, me vetëm 4.4% prej tyre që e tejkalojnë shumën prej 25,000 Euro.