Strategjia qeveritare e bashkëpunimit me shoqërinë civile 2013-2017

Pas një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile në vitin 2007, Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile është miratuar në korrik të vitit 2013. Kjo Strategji përfshin objektivat dhe masat strategjike, si dhe një plan specifik të veprimit me definim të përgjegjësive. Si Strategjia ashtu edhe plani i veprimit janë zhvilluar dhe hartuar së bashku, ku shoqëria civile ka siguruar shumicën e ekspertizës për këtë proces. Procesi i hartimit ka përfshirë shumë OShC nga fusha të ndryshme të interesit. Është planifikuar që kjo strategji do të monitorohet vazhdimisht nga të dyja anët, si dhe do të bëhen vlerësime dhe rishikime periodike.

Edhe pse e miratuar në vitin 2013, strategjia ka filluar së zbatuari vetëm në vitin 2015. Zbatimi i të gjitha aktiviteteve të planifikuara për t’u filluar gjatë viteve 2013 dhe 2014 është shtyrë për vitin 2015 dhe më tej, përmes një Plani të Zbatimit të detajuar për vitin 2015. Duke përfunduar periudha e zbatimit e Strategjisë, vetëm një pjesë e këtyre aktiviteteve kanë përfunduar apo nisur. Këshilli për Zbatimin e Strategjisë është takuar rregullisht, sikur se edhe Grupet Punuese për secilën nga 4 Objektivat Strategjike. Pavarësisht nisjes së disa proceseve, vetëm disa rezultate janë prodhuar deri më tani, si, hartimi dhe aprovimi i rregullores për standardet minimale të konsultimit publik dhe rregullores për përcaktimin e kritereve për fondet publike. Ndër problemet kryesore mbesin mungesa e kapaciteteve të nevojshme tematike nga ana e qeverisë dhe mungesa e interesimit për përfshirje dhe dhënies së kontributit në proces të shumë ministrive të linjës, diçka që ka shkaktuar që shumica e aktiviteteve në vazhdim e sipër të nisen dhe të drejtohen nga përfaqësues të shoqërisë civile ose nga projekte të Asistencës Teknike. Edhe pse në nivel jo të njejtë, probleme të ngjashme janë të pranishme edhe në anën e shoqërisë civile.

Kur është miratuar Strategjia, Ministria e Financave ka qenë e përkushtuar për ta ndarë një buxhet prej 137,960 EUR për zbatimin e Strategjisë për çdo vjet. Megjithatë, gjatë gjithë periudhës së zbatimit të Strategjisë, me përjashtim të shpenzimeve të takimeve të vogla të mbajtura në ambientet e qeverisë dhe të mbuluara nga buxheti i Zyrës për Qeverisje të Mirë (ZQM), të gjitha aktivitetet tjera janë mundësuar falë përkrahjes së donatorëve.

Për ta kryer më mirë rolin e njësisë kryesore të Qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile, ZQM – përmes ekspertizës së jashtme – ka dizajnuar një sistem gjithëpërfshirës së monitorimit të Strategjisë, i cili është operacionalizuar gjatë dhjetorit të vitit 2015. Derisa ZQM ka lëshuar raporte të rregullta tremujore dhe gjysmë-vjetore mbi zbatimin e Strategjisë, mungesa e kontributit përmbajtësor dhe në kohë i ministrive të linjës mbetet një shqetësim. Për më shumë, sistemi i monitorimit është tërësisht i bazuar në kuantifikim në nivel të aktiviteteve, duke anashkaluar matjen e çfarëdo niveli të rezultatit apo ndikimit. Kjo ka rezultuar në vlerësime jo reale në krahasim me rezultatet që janë arritur në të vërtet. Për shkak të mungesës së stafit shtesë të angazhuar për Strategji dhe pa buxhet të dedikuar për zbatim, ZQM mbetet me burime të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare për ta lehtësuar dialogun ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe për të shërbyer si sekretariat për Këshillin e Zbatimit.

Tashmë që ka përfunduar periudha e zbatimit të kësaj strategjie, rezultatet janë të përziera. Përderisa objektivat mbi pjesëmarrjen qytetare dhe fondet publike për OJQ kanë arritur disa rezultate të rëndësishme, objektiva mbi ofrimin e shërbimeve publike nga OShC-të dhe ajo mbi vullnetarizmin nuk kanë shënuar progres.