NOMINONI KANDIDATËT TUAJ PËR ÇMIMIN PËR DEMOKRACI 2019

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ju fton të nominoni kandidatët tuaj për edicionin 2019 të Çmimit për Demokraci, deri më 20 janar 2020!

KCSF pranon nominime për individë apo organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e Kosovës.

Çmimi për Demokraci ka për qëllim të nderojë dhe të njohë kontributet e organizatave dhe individëve, e që janë rezultat i ideve të reja, guximit intelektual ose arritjeve në procesin e demokratizimit të Kosovës.

KRITERET PËR PARAQITJEN E NOMINIMEVE

Të gjitha nominimet do të shqyrtohen veç e veç dhe do të vlerësohen nga një bord i pavarur, bazuar në këto kritere:

– Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktivitet, projekt, etj.) në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë, gjatë vitit 2019;

– Natyra inovative e nismës;

– Ndikimi aktual ose i pritur i kësaj nisme, duke përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje;

– Guximi i organizatës a individit shprehur përmes nismës në fjalë;

Vërejtje: Edhe pse me vlera dhe ndikim shumë domethënës për komunitetet dhe shoqërinë e gjerë, nismat dhe kontributet e natyrës së bamirësisë nuk janë pjesë e thirrjes.

Çmimi synon të nderojë të gjithë ata/ato që kanë kontribuar në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, nga të gjitha fushat, nëpërmjet angazhimit qytetar në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe/ose përmirësimit të të drejtave civile, sociale, ekonomike ose kulturore të grupeve të ndryshme të qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë në grupet e margjinalizuara.

Për pyetjet eventuale, ju lutem na shkruani në [email protected].

Çmimi për Demokraci ndahet në kuadër të skemës të granteve për shoqëri civile menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).