THIRRJE PËR APLIKIM PËR GRANTE PËR PËRFAQËSIM NË RRJETE RAJONALE/NDËRKOMBËTARE
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me qëllim të fuqizimit të rolit të shoqërisë civile në hartim dhe zbatim të politikave të cilat prekin komunitetin dhe publikun e gjerë përmes nxitjes së veprimeve të përbashkëta me partnerët, ofron përkrahje financiare për përfaqësim rajonal/ndërkombëtar të organizatave joqeveritare.
Zbatimi i këtyre granteve në kohën e përballjes me COVID-19
Përhapja në nivel global e COVID-19, ndryshimi i situatës me pandeminë në rajone të ndryshme dhe rregullat e ndryshme të zbatuara nga shtetet, kanë ndikuar që udhëtimet e natyrës që përkrahen në kuadër të kësaj thirrjeje të kenë brenda vetes një doze paparashikueshmërie më të lartë për ndryshime eventuale. Duke konsideruar këtë fakt, në kuadër të kësaj thirrjeje kemi caktuar disa rregulla bazë në mënyrë që të mund ta bëjmë më të lehtë zbatimin në përputhje me situatën aktuale:
- Për cdo ndryshim që ndikon udhëtimin gjatë cilësdo fazë të aplikimit/zbatimit të grantit (aplikimit, kontraktimit dhe pas nënshkrimit të kontratës) duhet të lajmërohet sa më parë KCSF.
- Do të mbulohet vetëm qëndrimi për ditët e aprovuara dhe vetëm shpenzimet sipas kërkesës fillestare në aplikacion dhe të aprovuara nga komisioni vlerësues.
- Rekomandohen përfituesit që para udhëtimeve të përcjellin situatën me pandeminë dhe rregullat e shtetit ku do të udhëtojnë.
KRITERET E PËRZGJEDHJES
Që aplikanti të mund të jetë përfitues i këtij granti, përfaqësimi duhet të synojë së paku njërën nga pikat e mëposhtme:
- Prezantimi i punës së organizatës para një audience rajonale/ndërkombëtare;
- Prezantimi ose avokimi për çështje të caktuara me interes për organizatën apo vendin në forume rajonale/ndërkombëtare;
- Krijimi i mundësive për rrjetëzim, apo bashkëpunime strategjike me organizata dhe donatorë të tjerë rajonalë/ndërkombëtarë;
- Prezantimi i përvojave dhe praktikave të funksionimit të organizatës apo trajtimit të çështjeve me interes për vendin apo organizatën;
KUSH MUND TË APLIKOJË?
Për këto grante mund të aplikojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare vendore, përveç kategorive të OJQ-ve të përjashtuara si më poshtë:
- Përkundër statusit të tyre juridik, klubet sportive, federatat sportive, shoqatat kulturore amatore ose organizatat fetare, që janë të regjistruara si OJQ, nuk janë synim i granteve të KCSF-së.
- Ngjashëm, OJQ-të që përfaqësojnë biznese ose subjekte të ngjashme për të cilat është e qartë që kanë aftësi financiare për të mbuluar shpenzimet e organizatës së tyre ose për të përkrahur aktivitetet e tyre, nuk janë synim i granteve të KCSF-së.
- Po ashtu, degët e OJQ-ve të huaja dhe ndërkombëtare të regjistruara në Kosovë nuk kanë të drejtë të aplikojnë.
Për këtë thirrje, përfaqësues të organizatave konsiderohen stafi i organizatës sipas autorizimit për përfaqësim të nënshkruar nga pozitat kompetente në kuadër të organizatës.
CILAT AKTIVITETE PËRKRAHEN?
Përfaqësimi në kongrese, konferenca, seminare, punëtori, simpoziume, festivale, takime strategjike, takime të ndryshme të rrjeteve (kuvendet e anëtarëve, bordet, komisionet), takime avokuese.
Me këto grante nuk mbështeten aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve.
DERI NË ÇFARË SHUME OFROHET PËRKRAHJE?
Shuma maksimale e përkrahjes për grant është 1,000 euro
Të gjitha informatat rreth kritereve dhe mënyrës së aplikimit, përfshirë Formën e Aplikimit dhe Udhëzuesin për Aplikim, mund të shkarkohen në www.kcsfoundation.org. Aplikuesit do të njoftohen rreth vendimit të Komisionit Vlerësues më së voni 30 ditë nga data e aplikimit.
Të gjitha pyetjet lidhur me aplikimin për grante nga kjo skemë mund të dërgohen në postën elektronike [email protected].