Pyetjet më të shpeshta

  • 1. A paraqet paraqet problem fakti që Planifikimi Strategjik i Organizatës përfundon në vitin 2021?
    Organizata mund të aplikojë për grant institucional ndërsa detajet e tilla duhet të sqarohen në formën e aplikimit dhe dokumentet tjera që kërkohen. Po ashtu, grantet institucionale sipas rregullave të programit, rishikohen pas secilës periudhë njëvjeçare, me ç’rast parashihet mundësia e adaptimit ndaj rrethanave dhe kontekstit.
  • 2. A është buxheti maksimal i financuar nga kjo thirrje total 40,000 EUR apo janë 40,000 EUR për vit?
    Buxheti maksimal i kërkuar për financim nga kjo thirrje nuk duhet të kalojë 40.000 EUR/vit (duke përfshirë edhe auditin). Pra, nëse organizata aplikon për 24 muaj, buxheti maksimal për financim që mund të kërkojë aplikanti është 80.000 EUR, kurse nëse aplikon për 36 muaj buxheti maksimal do të jetë 120.000 EUR.
  • 3. A duhet të paraqiitet vetëm një kornizë logjike dhe jo dy (një për organizatë dhe një për programin e grantit)?
    Duhet të paraqitet vetëm një kornizë logjike, ajo e dokumentit strategjik të organizatës (sipas modelit të EJA Kosovë).
  • 4. Sa i detajuar duhet të jetë buxheti organizativ (a ka nevojë të përfshijë të gjitha linjat e buxhetit për të gjitha projektet)?
    Buxheti duhet të përfshijë të gjitha projektet dhe të paraqitet sipas modelit të buxhetit të EJA Kosovë për Grante Institucionale. Linjat e buxhetit mund të paraqiten si kumulative të të gjitha projekteve (p.sh përkthime, trajnime etj.)
  • 5. A duhet që të gjitha projektet të përshkruhen/detajohen në aplikim dhe në buxhet apo vetëm ato janë të rëndësishme për këtë thirrje?
    Të gjitha projektet e zbatuara nga organizatat aplikuese duhet të paraqiten në formularin e aplikimit. Gjithashtu, buxheti i të gjithë organizatës për periudhën e aplikimit duhet të dorëzohet, me indikacione të qarta të atyre linjave buxhetore për të cilat kërkohet mbështetje nga programi EJA Kosovë, dhe specifikimet dhe arsyetimet e pagave (sipas modelit të EJA Kosovë).
  • 6. Nëse aplikacioni refuzohet si pjesë e këtij raundi, a mund të paraqesim të njëjtin aplikacion për raundin pasues apo a duhet të jetë plotësisht aplikacion i ri?
    Vlerësimi për rifreskim të aplikacionit apo ndryshim të tërësishëm është në diskrecion të organizatës dhe duhet t’i përshtatet kohës dhe rrethanave të aplikimit. Aplikacionet vlerësohen brenda raundit në të cilën dorëzohen.
  • 7. A lejohet aplikimi nëse organizata ka raportin e auditimit financiar vetëm për vitin 2019, ndërsa jo edhe për vitin 2018?
    Në bazë të kërkesave të thirrjes për grante institucionale, aplikanti duhet të dorëzojë pasqyrat financiare ose raportet e auditorit për dy vitet e fundit, jo domosdoshmërisht të dyja. Në rast që organizata ka për një vit raportin e auditimit, për vitin tjetër mund të dorëzojë pasqyrën financiare.
  • 8. A llogaritet zotimi për pagesë të punës praktike si bursë?
    Pagesa e punës praktike është kosto e pranueshme.
  • 9. A mund të kontraktohen kompani për mbajtjen e trajnimeve?
    Pjesa e kontraktuar nuk duhet të mbizotërojë pjesën më të madhe të grantit. Pra, mundet një pjesë e caktuar të kontraktohet. Megjithatë, pritjet janë që aktivitetet të realizohen nga organizata, sidomos në fushën e ekspertizës së saj.
  • 10. Në kornizën logjike, a duhet t’i referohemi qëllimit, rezultateve të pritura, dhe aktiviteteve për tri vitet e ardhshme bazuar në strategjinë, apo vetëm atyre që kërkojnë financim nga KCSF?
    Sa i përket kornizës logjike ju duhet t’i referoheni qëllimit, rezultateve të pritura, dhe aktiviteteve bazuar në tërë strategjinë e organizatës.
  • 11. Në këtë thirrje a mbështeten çështjet dhe problemet mjedisore?
    Po, edhe organizatat të cilat merren me problemet mjedisore mund të aplikojnë. E rëndësishme është që aplikimi të jetë në linjë me qëllimin e përgjitshëm dhe rezultatet e pritura të programit EJA Kosovë.
  • 12. A hyjnë edhe fëmijët në grupet e margjinalizuara?
    Po, çdo grup i margjinalizuar dhe i nënpërfaqësuar që ka nevojë për ndihmë, forcim të ndikimit në shoqëri dhe përmirësim të drejtave socio ekonimike janë të pranueshme për këtë thirrje.
  • 13. A lejohet aplikimi me partneritet?
    Jo, thirrja për aplikim për grante institucionale nuk përkrah partneritetet. Grantet institucionale janë të dedikuara vetëm për organizatën përfituese të grantit.
  • 14. A do të ketë kufizime në kategori të buxhetit organizativ?
    Vetëm kategoria e ndërtimit të kapaciteteve organizative (përfshirë kostot e pajisjeve të zyrave) nuk duhet të kalojë më shumë se 15% të nëntotalit.
  • 15. A lejohen pagesa jashtë Kosovës duke marrë shembull pagesa për ekspert, për vizita jashtë Kosovës, retreat, anëtarësi në rrjete të jashtme organizative?
    Po, lejohen këto pagesa por aplikanti duhet të sigurohet që arsyetimi është dhënë në linjën e caktuar të buxhetit, duke specifikuar bazën e llogaritjes së shpenzimit.
  • 16. A mund të sqaroni më shumë kostot direkte?
    Kostot direkte janë të gjitha shpenzimet e drejtpërdrejta të programit që nuk hyjnë në kategori të personelit dhe shpenzimeve administrative si: trajnimet, takimet e ndryshme, hulumtimet, etj.
  • 17. Ne që jemi përfitues paraprak të granteve në KCSF a kemi drejtë që të aplikojmë në këtë thirrje?
    Organizatave që janë përfitues të granteve nga skemat tjera të KCSF-së nuk iu ndalohet që të aplikojnë për grant nga programi EJA Kosovë.
  • 18. A është i domosdoshëm që të bashkëngjitet vërtetimi tatimor së bashku me dokumentet tjera për aplikim për grante institucionale?
    Vërtetimi tatimor nuk është i nevojshëm që të bashkëngjitet. Të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim janë te cekura në thirrjen për grante institucionale, udhëzuesin për aplikim dhe formën për aplikim.
  • 19. Çfarë përfshihet në 15% për ngritje të kapaciteteve të organizatës?
    Kjo përqindje përfshin ngritjen e kapaciteteve të stafit dhe organizatës në përgjithesi si: zhvillim/avancim të sistemeve të brendshme të punës, softuerëve të ndryshëm, trajnime për stafin dhe aktivitete tjera që vlerësohen se ndikojnë në ngritje të kapaciteteve të organizatës.
  • 20. A duhet të paraqiten në buxhet edhe konferencat, takimet dhe aktivitetet tjera që financohen nga donator tjerë?
    Po, duhet të paraqiten. Buxheti organizativ është krijuar për të paraqitur të gjitha shpenzimet dhe financimin e organizatës, pavarësisht nga burimet e financimit.
  • 21. A mund të aplikojnë për grant institucional organizatat që kanë grante për projekte të financuara nga SDC ose Sida ?
    Po, organizatat të cilat kanë grante për projekte të financuara nga SDC ose SIDA mund të aplikojnë.