Instrumentet e mbështetjes të EJA Kosovë

EJA Kosovë është dizajnuar me qëllimin për ta lehtësuar dhe mbështetur në mënyrë adekuate këtë qasje të re, përmes sigurimit të mjeteve të nevojshme financiare dhe kapaciteteve të nevojshme për iniciativat e shoqërisë civile dhe individët e interesuar për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë. Përmes granteve institucionale, EJA Kosovë do të mbështesë organizata të konsoliduaraqë kanë strategji të qartë për ta vazhduar punën e tyre në fushat përkatëse tematike; përmes granteve për zhvillim organizativ, EJA do t’i mbështesë organizatat që kanë drejtim të qartë të zhvillimit, por që kanë nevojë për mjete dhe burime specifike për ta avancuar punën e tyre; përmes granteve për projekte, do të mbështesë veprime specifike të nismave të shoqërisë civile dhe individëve që adresojnë çështje konkrete, të dy llojeve të një natyre më sistematike ose më të kufizuar në shtrirje dhe kohëzgjatje; përmes granteve të mesme për projekte, EJA do të mbështesë OJQ-të të cilat përmes projekteve të tyre synojnë intervenime sistematike në nivel lokal apo qendror; përmes granteve urgjente, EJA do të mundësojë reagime të menjëhershme të nismave të shoqërisë civile dhe individëve ndaj zhvillimeve të papritura të rëndësisë publike; dhe përmes Çmimit për Demokraci që ndahet në baza vjetore, do të njohë kontributet e jashtëzakonshme për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe do të promovojë modelet e roleve që duhet ndjekur. Trajnimi dhe mentorimi, si dhe mundësitë për rrjetëzim dhe ndërtim të aleancave do të ofrohen si mundësi shtesë përveç mbështetjes financiare.

Informata mbi instrumentet e mbështetjes

  • Grantet insitucionale
    EJA Kosovë beson se përveç adresimit të çështjeve specifike me rëndësi për grupe të posaçme të qytetarëve, shoqëria civile mund të kontribuojë në procese sistemike. Kontributi i tillë kërkon avokim të vazhdueshëm, njohuri të thella mbi çështjet dhe sisteme e praktika të brendshme të zhvilluara. Këto parakushte pengohen nëse organizatat veprojnë me fonde afatshkurta ose u kërkohet të zbatojnë aktivitete të caktuara të projektit, pavarësisht nga ndryshimi i kontekstit dhe nevojave. Për ta ruajtur stafin profesional, organizatat me staf shumë të kualifikuar e me përvojë solide janë të detyruara që vazhdimisht të kërkojnë mundësi financimi dhe shumë herë të zbatojnë projekte të vogla e të shpërndara , në vend se të përqendrohen në strategjitë e tyre afatgjata. Kjo ndikon në potencialin e tyre për ndryshim dhe rrezikon qëndrueshmërinë e intervenimeve të shoqërisë civile. Duke u bazuar në përvojën e suksesshme paraprake të KCSF-së, EJA Kosovë beson se duke siguruar mbështetje afatgjate dhe fleksibile financiare, organizatat që kanë treguar konsistencë si agjentë të ndryshimit në fushën e tyre të ekspertizës do t’i mbështesin intervenimett dhe do t’i avancojnë më tej misionet e tyre. Grantet institucionale synojnë ta mbështesin zbatimin e strategjive të organizatave dhe, përveç forcimit të kapaciteteve të brendshme organizative, të bëhen zëri i qytetarëve në fushat tematike që i mbulojnë. Grantet institucionale janë të destinuara për organizatat që janë të konsoliduara, që kanë strategji të punës të definuar mirë dhe aftësi të dëshmuara organizative. Përfituesit e granteve institucionale pritet të jenë të gatshëm dhe të veprojnë menjëherë në politika të interesit publik që shtrihen në fushën e tyre të ekspertizës. Ata do ta kenë fleksibilitetin e nevojshëm për t’u përshtatur me zhvillimet e jashtme kontekstuale e programatike që paraqiten dhe për t’u mobilizuar për të vepruar shpejt kur është e nevojshme. Përveç kësaj, grantet institucionale u mundësojnë organizatave që ta adresojnë në mënyrë të vazhdueshme e sistematike, përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme. Grantet institucionale bazohen në strategji dhe plane pune organizative shumëvjeçare, e jo në projekte dhe/ose aktivitete specifike.
  • Grantet për zhvillimin organizativ
    EJA Kosovë njeh potencialin e OJQ-ve për të kontribuar në fusha të ndryshme. Ky potencial zakonisht verëhet te OJQ-të e konsoliduara, që kanë vizion të qartë dhe punojnë në mënyrë sistematike për të zbatuar strategjitë e tyre. Ka OJQ të tjera që ende nuk janë në atë nivel, por kanë drejtim të qartë të zhvillimit, përfshirë qëllimet programore dhe grupet e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë ose i synojnë me punën e tyre. Megjithatë, ky potencial nuk shfrytëzohet plotësisht pasi struktura e tyre e financimit nuk mbështet zhvillimin organizativ. Zhvillimi organizativ pamundësohet nëse organizatat zbatojnë aktivitete të projekteve të shkurta dhe strikte pa ndonjë mundësi për investim në zhvillim, ndërtim të kapaciteteve dhe ngritje të sistemeve të brendshme. Për më shumë, për zhvillimin organizativ, këto OJQ shpesh janë të detyruara të përdorin burime të brendshme të kufizuara ose fonde të projekteve që nuk janë të destinuara drejtpërdrejt për qëllime te zhvillimit organizativ. Duke siguruar mbështetje për zhvillim afatgjatë dhe të përshtatur për nevojat e organizatës, organizatat e synuara do të përdorin fonde specifike të dedikuara më shumë për ta përparuar organizimin e tyre sesa vetëm për projekte specifike. Veçanërisht, këto grante synojnë të mbështesin ndërtimin e kapaciteteve të stafit, zhvillimin dhe zbatimin e instrumenteve dhe sistemeve të brendshme, zhvillimin e politikave dhe dokumenteve të brendshme, përdorimin e softuerëve dhe pajisjeve ose metodologjive dhe qasjeve specifike. Ngjashëm me instrumentet e tjerë të EJA Kosovë, këto grante u mundësojnë organizatave që të adresojnë në mënyrë konsistente dhe sistematike edhe përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme.
  • Grantet për projekte
    Grantet për projekte kanë për qëllim të japin rezultate konkrete brenda një afati kohor të caktuar. Përfitues të këtyre granteve mund të jenë individë, nisma të paregjistruara dhe organizata joqeveritare me idetë e tyre më bindëse dhe inovative që kanë potencial të vërtetë për t’i avancuar qëllimet dhe objektivat e programit. Grantet për projekte do të mbështesin ndërhyrje specifike të nismave të shoqërisë civile dhe individëve që trajtojnë çështje konkrete, qoftë  të natyrës më sistematike ose të kufizuara në fushëveprim dhe kohëzgjatje. Këto grante kanë për qëllim t’i mbështesin iniciativat e individëve, nismave të paregjistruara dhe organizatave joqeveritare për projekte më të fokusuara dhe afatshkurtra. Këtyre nismave të shoqërisë civile u kërkohet të veprojnë në lokalitetet e tyre përkatëse.
  • Grantet e mesme për projekte
    Grantet e mesme për projekte synojnë përkrahjen e projekteve të OJQ-ve që brenda një periudhe të caktuar kohore të ofrojnë rezultate konkrete në adresimin e çështjeve/problemeve të identifikuara. Për dallim prej granteve të vogla për projekte ku intervenimet e përkrahura zakonisht janë në çështje shumë të veçanta në nivel lokal, të lagjes a të fshatit, grantet e mesme për projekte synojnë intervenime më sistematike në nivel lokal apo qendror. OJQ-të përfituese të këtyre granteve duhet të dëshmojnë kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e intervenimeve të projektit përkatës.
  • Grantet urgjente
    Grantet urgjente ofrojnë mundësinë e intervenimit të shpejtë dhe me kohë nga shoqëria civile për t'iu përgjigjur çështjeve të identifikuara që kontribuojnë drejt objektivave të EJA Kosovë. Përfituesit e këtyre granteve mund të jenë individë, nisma të paregjistruara ose organizata joqeveritare. Granti u mundëson aktorëve të ndryshëm të identifikojnë mundësi për kontribut dhe reagim të shpejtë për të cilat nuk ka kohë të mjaftueshme për të aplikuar dhe reaguar përmes instrumenteve të tjera dhe thirrjeve të rregullta siç janë grantet për projekte. Ndërhyrjet që kualifikohen për mbështetje duhet të arsyetojnë nevojën për reagim të shpejtë dhe si do të rrezikohej fusha në të cilën veprohet në mungesë të një reagimi të menjëhershëm. Thirrja për Grante urgjente është e hapur në vazhdimësi dhe aplikimet e paraqitura do të vlerësohen brenda 5 ditëve të punës. Shënim: Urgjenca e intervenimit është kriter kualifikues dhe përpara se të paraqisni kërkesën për grant urgjent sigurohuni që të kontrolloni thirrjen për grante për projekte të vogla dhe të vendosni se cili instrument është më i përshtatshëm për intervenimin tuaj që propozoni.
  • Çmimi për Demokraci
    Ky Çmim ka për qëllim t’i nderojë të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, në të gjitha fushat, përmes angazhimit qytetar në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe/ose përmirësimit të të drejtave civile, sociale, ekonomike ose kulturore të grupeve të ndryshme të qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë të grupeve të margjinalizuara. Të gjitha nominimet do të shqyrtohen veç e veç dhe do të vlerësohen nga një bord i pavarur, bazuar në këto kritere: o             Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktivitet, projekt etj.) në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë gjatë vitit në fjalë; o             Natyra inovative e nismës; o             Ndikimi aktual ose i pritur i kësaj nisme, përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje; o             Guximi i organizatës ose i individit i shprehur përmes nismës; o             Nismat që drejtpërsëdrejti i përfshijnë qytetarët në angazhimin e tyre ose kontribut të rëndësishëm të qytetarëve në jetën publike dhe/ose hartimin e politikave;