Lista e vlerësuesve
-
Ada Shima (Shqipëri)
Ada Shima ka një eksperiencë të gjatë në udhëheqjen e projekteve të mëdha, komplekse e të financuara nga shumë donatorë në fushën e reformës së politikave të punësimit dhe zhvillimit të shkathtësive në Shqipëri dhe Kosovë. Foku profesional i saj është në sistemet e mbrojtjes sociale, me theks të veçantë në programet e tregut aktiv të punës, si dhe proceset e modernizimit në shërbimet publike të punësimit dhe sistemet informative të tregut të punës. Ka përfunduar masterin në politika sociale dhe zhvillim në Universitetin - London School of Economics and Political Science.
-
Afërdita Pustina (Kosovë)
Është eksperte e teknologjisë për shoqëri civile dhe qytetari. Me punën e saj kontribuon në avancimin e demokracisë në Kosovë duke fuqizuar gratë, të rinjtë dhe shoqërinë civile për të marrë pjesë në proceset e bërjes së politikave dhe vendimmarrjes. Në të kaluarën ka dizajnuar konceptin dhe ka udhëhequr zbatimin e platformës digjitale online për pjesëmarrjen e publikut në Kosovë (platformadigjitale.com, digitalnaplatforma.com). Kjo zgjidhje inovative i përgjigjet kërkesave në rritje për përmirësimin e transparencës së operacioneve të qeverisë përmes një platforme komunikimi që lidh qytetarët dhe pushtetin lokal në Kosovë. Përveç kësaj, ka ideuar dhe udhëhequr zbatimin e Portalit të Kosovës për financim (kosovofunding.org). Për momentin është koordinatore për Kosovën në Projektin e asistencës teknike për shoqërinë civile (TACSO). Projekti zbatohet në Ballkan Perëndimor dhe Turqi dhe punon për t’i mundësuar OSHC-ve të marrin pjesë aktivisht në proceset demokratike dhe për të stimuluar një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile dhe zhvillimin e mediave pluraliste dhe përfshin bashkëpunimin me Qeverinë. Ajo është certifikuar si menaxhere e avancuar projekteve nga Universiteti i Stanfordit dhe ka një diplomë Master në menaxhimin strategjik të projekteve nga Programi Erasmus Mundus. Ajo mbetet një alumni dhe vullnetare aktive në programe të ndryshme me interes profesional.
-
Artan Canhasi (Kosovë)
Artani ka mbi 14 vjet përvojë pune në ndihmën për zhvillim, politikë publike, anti-korrupsion, ndihmë juridike, shoqëri civile, në sektorin publik (niveli qendror e lokal) dhe organizata donatore. Ka menaxhuar shumë projekte në Kosovë, si ndërtimi i kapaciteteve për parlament, shoqëri civile, prokurim, auditim dhe qeverisje lokale.
Punon si udhëheqës i komponentës në aktivitetin e USAID-it në Kosovë, Komunat transparente, efektive dhe të përgjegjshme, të zbatuar nga DAI Global. Ai drejton një njësi që është përgjegjëse për forcimin e organizatave të shoqërisë civile për ta gjurmuar dhe ekspozuar korrupsionin në prokurim në komunat e Kosovës. Para kësaj ka punuar si menaxher i programeve për transparencë dhe anti-korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës, Transparency International dega për Kosovën. Artani ishte studiuesi kryesor për vlerësimin e sistemit të integritetit kombëtar dhe mbikëqyri krijimin e qendrës së avokatisë dhe këshillimit ligjor në TI Kosova. Atje, ai avokoi për më shumë përgjegjësi e transparencë, financim të pastër politik dhe përmirësim të rolit të sinjalizuesve në Kosovë. Për më shumë se tri vjet punoi si zyrtar politik në Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX. Gjatë viteve 2007 – 2009 ka punuar për Asamblenë Qendrore të OSBE-së dhe Sektorin e Partive Politike. Atje ishte i përfshirë në koordinimin e donatorëve ndërkombëtarë që mbështetnin Kuvendin e Kosovës, në menaxhimin e programeve për ngritjen e kapaciteteve në Kuvend, në ndërlidhjen me Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe në ofrimin e mbështetjes për parti politike.
Me një përvojë të gjerë në ciklin e menaxhimit të projekteve, avokimin e qytetarëve, hartimin e politikave dhe aktivizmin e shoqërisë civile, me një sërë organizatash – vendore e ndërkombëtare – Artani ka njohuri të mira të kontekstit socio-politik në Kosovë dhe ka një teori të shëndoshë të ndryshimit, me emancipimin dhe fuqizimin e qytetarëve si gur themel të kësaj teorie. Gjithashtu ka ekspertizë në aspekte të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë që mund të shërbejnë si katalizator për këtë ndryshim. Gjuha e tij amtare është shqipja dhe flet rrjedhshëm anglishten. -
Besim Nebiu (Maqedoni e Veriut)
Besimi ka mbi 20 vjet përvojë pune në menaxhimin e programeve ndërkombëtare për zhvillim, mbrojtjen e të drejtave të mediave dhe gazetarëve, dhe në programe për çështje të strehimit dhe banimit në Evropën Juglindore, Evropën Qëndrore e Lindore, dhe në Azinë Qëndrore. Ka përvojë të gjerë në administrimin dhe mbështetjen e zyrave në terren, njohuri të mira për aktorët e politikave të zhvillimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Ka përvojë të madhe në menaxhimin e ciklit të projekteve dhe përvojë të bazuar në rezultate për menaxhimin e programeve për zhvillim të mbështetura nga agjencitë e huaja donatore. Ka menaxhuar programe shumëvjeçare në shumë vende për USAID-in e BE-në dhe ka qenë i angazhuar si këshilltar nga USAID, SDC, BE, OKB dhe organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare. Njohuria e tij për rolin e shoqërisë civile në procesin e demokratizimit në rajon plotësohet me njohuri të thelluara të kontekstit socio-politik në Kosovë. Duke qenë i përfshirë në shoqërinë civile, edhe profesionalisht si trajner dhe menaxher, edhe individualisht si aktivist, Besimi ka njohuri të thella dhe përvojë me aktivizmin qytetar, hartimin e politikave pjesëmarrëse, në ndërtimin e anëtarësisë, barazi gjinore dhe në mbështetje të komuniteteve pakicë dhe grupeve të cenuara. Pasi në vitet e 90-të ka filluar si administrator për grante të vogla në OJQ, ka mbi 20 vjet përvojë pune ndërkombëtare në vlerësimin e propozimeve për grante, vlerësime të jashtme dhe vlerësime të ndikimit të programeve të mëdha për zhvillimin e shoqërisë civile. Gjuha e tij amtare është shqipja dhe flet rrjedhshëm anglishten, maqedonishten dhe serbishten.
-
Donjetë Berisha Matoshi (Kosovë)
Donjeta është profesioniste me përvojë në fushën e arsimit dhe përfshirjes sociale me një njohuri të thellë të kontekstit ekonomik, shoqëror e politik në Kosovë. Ka mbi 18 vjet përvojë pune në organizatat vendore e ndërkombëtare për zhvillim, me ekspertizë të veçantë në arsimin joformal, parandalimin e braktisjes së shkollës nga grupet e margjinalizuara, në përfshirje sociale dhe trajnime për mësimdhënës. Ka përvojë të gjerë pune në të gjitha fazat e menaxhimit të ciklit të projekteve, duke i zbatuar mjetet për planifikim dhe monitorim. Përvoja e saj e punës lidhet ngushtë me shoqërinë civile. Si bashkëthemeluese e një organizate joqeveritare lokale, ajo ka kontribuar 14 vjet në ndërtimin e kapaciteteve të kësaj OJQ-je. Duke punuar në një shoqëri jashtëzakonisht delikate, komplekse e shumetnike, ajo ia doli të menaxhojë një koordinim të përkryer me komunitetin e donatorëve, partnerët vendorë e ndërkombëtarë. Njohuria e saj për rolin e shoqërisë civile në procesin e demokratizimit në Kosovë plotësohet me njohuri të thella të kontekstit socio-politik në Kosovë. Pasi ka qenë e përfshirë në shoqërinë civile, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë individual si aktiviste, Donjeta ka njohuri dhe përvojë të mirë në aktivizmin qytetar, krijimin e politikave pjesëmarrëse, ndërtimin e anëtarësisë, barazinë gjinore dhe mbështetjen për komunitetet pakicë dhe grupet e cenuara. Ka përvojë në vlerësimin e propozimeve për grante dhe në vlerësime të ndryshme të punës së shoqërisë civile. Ligjëron lëndën e sociologjisë në një gjimnaz dhe kjo përvojë i pasuron edhe më shumë njohuritë e saj për sistemin arsimor në Kosovë. Gjuha e saj amtare është shqipja. Flet rrjedhshëm italishten, anglishten dhe serbokroatishten.
-
Edis Agani (Kosovë)
Edisi ka mbi 15 vjet përvojë pune në menaxhimin e programeve ndërkombëtare për zhvillim, në fushat si të drejtat e njeriut, qeverisja e menaxhimi i financave publike, anti-korrupsion dhe shpëlarje e parave. Edisi ka menaxhuar ndihmën financiare shumëvjeçare të BE-së në sektorë të mëdhenj si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, përfshirë programet që synojnë organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. Përveç kësaj, ajo ka menaxhuar dhe ka marrë pjesë edhe në programe të mëdha të donatorëve të tjerë (SHBA dhe OKB). Ka përvojë të gjerë në menaxhimin e ciklit të projekteve, si dhe njohuri të mira të aktorëve dhe politikave të zhvillimit ndërkombëtar në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Edisi ka njohuri të thella për strukturën e shoqërisë civile, kapacitetet dhe zhvillimet e përgjithshme në Kosovë pasi ka menaxhuar programe shumëvjeçare e të mëdha që i mbështetnin organizatat e shoqërisë civile. Ka mbi 10 vjet përvojë pune në dizajnimin e skemave për grante, vlerësimin e aplikacioneve/propozimeve, monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të granteve. Menaxhimi i programeve të mëdha në fusha të ndryshme, përfshirë të drejtat e njeriut, mediat, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, i mundësoi Edisit të fitojë njohuri të gjera për zhvillimet e përgjithshme socio-ekonomike e politike në Kosovë. Gjuha e saj amtare është shqipja dhe flet rrjedhshëm anglishten, serbishten, maqedonishten dhe turqishten.
-
Ertan Munoglu (Kosovë)
Ertani ka mbi 15 vjet përvojë pune në fushën e demokratizimit dhe qeverisjes së mirë. Interesat e tij të veçanta janë marrëdhëniet ndëretnike, ekonomia politike dhe qasjet sistemike. Ka përvojë të gjerë me organizata të ndryshme ndërkombëtare në programet për zhvillim. Ka punuar me Aksionin Kundër Urisë, Agjencinë Evropiane për Rindërtim dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, UNDP-në, GIZ-in etj. Gjithashtu ka punuar për asociacionin e komunave të Kosovës. Ka zbatuar dhe/ose menaxhuar projekte që kanë të bëjnë me reformimin e administratës publike, qeverisjen lokale, shoqërinë civile dhe integrimin europian. Momentalisht është duke punuar me Helvetas, si menaxher projekti për decentralizim dhe mbështetje komunale. Gjatë karrierës së tij profesionale ishte i përfshirë në zhvillimin e projekteve, menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e propozimeve dhe ofertave për projekte. Pasi ka punuar për një kohë të gjatë me ndihma për zhvillim, ai ka përvojë të gjerë në menaxhimin e ciklit të projekteve, kornizat e rezultateve dhe sistemet e monitorimit. Ka mbi 10 vjet përvojë pune në dizajnimin e skemave për grante, vlerësimin e aplikacioneve/propozimeve, monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të granteve. Gjithashtu ka përvojë në kërkime akademike dhe mësimdhënie. Është (bashkë)autor i një sërë punimesh strategjike e kërkimore. Ka ligjëruar katër vjet lidhur me integrimin europian në Kolegjin Universum, kolegj privat në Kosovë. Flet rrjedhshëm shqipen, anglishten, turqishten, serbishten dhe boshnjakishten.
-
Gëzim Selaci (Kosovë)
Ligjëron Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ka specializuar në legjitimitetin e autoritetit politik dhe ka studiuar sociologji, filozofi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe teori politike në Prishtinë, Londër, Budapest dhe Tetovë. Gëzimi është anëtar i Shoqatës së Studimeve Ndërkombëtare të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEISA) dhe anëtar i ISA (Shoqata Ndërkombëtare e Sociologjisë).
Interesat e tij kryesore kërkimore përfshijnë problemet e sociologjisë politike, politikës dhe pushtetit në shoqëri nga perspektiva ndërdisiplinore, legjitimimi i autoritetit, ideologjia, ndërtimi i shtetit, dinamikat e identitetit kolektiv, aktivizmi politik dhe lëvizjet shoqërore.
Gëzimi ka botuar në disa revista ndërkombëtare dhe lokale dhe ka marrë pjesë në projekte kërkimore për organizata dhe institucione ndërkombëtare dhe lokale të Kosovës. Ai është autor i Legjitimiteti politik në Kosovë: rasti i administratës së përkohshme ndërkombëtare [Political Legitimacy in Kosovo: The Case of International Transitional Administration] (2020), Republika në udhëkryq: Kosova në dekadën e parë të pavarësisë [Republic at the Crossroads: Kosovo in the first decade of its independence] (2017) dhe redaktor i Leximi kritik i Tekstit: hermeneutikë moderne e arsyes islame [Critical Reading of the Text: The Modern Hermeneutics of Islamic Reason] (2019).
Po ashtu është edhe përkthyes i lirë dhe ka përkthyer prozë letrare nga anglishtja në shqip të botuar në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Gëzimi kontribuon në blogun Sbunker me komente dhe mendime për zhvillimet politike dhe shoqërore dhe në blogjet tematike: “Vita Contemplativa” që paraqet pikëpamje teorike për shoqërinë, politikën dhe kulturën nga tradita e shkencave shoqërore dhe humane, dhe “Ç’ka qenë, e ç’do të bëhet?” ku prezantohet dhe diskutohet mendimi politik dhe kulturor shqiptar. -
Linda Hoxha (Kosovë)
Dr. Linda Hoxha është ligjëruese në Departamentin e Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dr. Hoxha ka bërë doktoratën e saj në Psikologji, në Universitetin Ludwig Maximilians, me temën “Konceptimet që kanë punonjësit kosovarë për Lidershipin Kreativ: Hulumtim me metoda të kombinuara”, dhe ka bërë magjistraturën e saj po ashtu në Universitetin Ludwig Maximilians, në Psikologji të Ekselencës në Biznes dhe Arsim, ndërsa diplomën universitare e ka marrë në Psikologji, në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Puna e saj hulumtuese dhe interesimet e saja përfshijnë temat lidhur me lidershipin, kreativitetin, tiparet e personalitetit, faktorët motivues, stilet e prindërimit, si dhe stresin akademik. Dr. Hoxha ka punuar më parë për organizatën Save the Children International dhe për Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur, në fushën e Monitorimit dhe Vlerësimit, si dhe në Menaxhim të Projekteve. Dr. Hoxha është autore dhe bashkë-autore e një numri të konsiderueshëm artikujsh shkencorë, librash dhe raportesh. -
Ruzhdi Halili (Kosovë)
Ruzhdiu ka doktoruar në administratë publike në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Lubjanës dhe ka magjistruar në legjislacionin e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Utrehtit, Holandë. Është ekspert për planifikim dhe zhvillim strategjik, monitorim dhe vlerësim, organizim institucional në Kosovë dhe vende të tjera me 20 vjet përvojë pune profesionale si ekspert i pavarur me organizata të shoqërisë civile dhe organizata ndërkombëtare, menaxher dhe këshilltar i lartë për shërbimin civil, përfshirë planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin, menaxhimin e burimeve njerëzore etj. në nivelin qendror e lokal të qeverisjes. Ka themeluar sistemin e planifikimit strategjik në Kosovë, përfshirë në Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë e linjës, ka hartuar disa strategji dhe sistemet e tyre të monitorimit dhe vlerësimit për qeverinë dhe institucionet e pavarura. Z. Halili vazhdimisht ofron trajnime për planifikim strategjik, menaxhim, monitorim dhe vlerësim të ciklit të projekteve etj për zyrtarë të administratës publike dhe kategori të tjera të nëpunësve në Kosovë në nivelin qendror e lokal të qeverisjes. Z. Halili ka një përvojë të gjatë pune dhe njohuri akademike në përdorimin e mjeteve dhe metodologjive për thjeshtësim administrativ me qëllim të përmirësimit të sistemeve të ofrimit të shërbimeve administrative. Ka punuar në disa projekte ndërkombëtare në Kosovë në vlerësimin e nevojave, analizën e hulumtimit dhe zhvillimin e politikave, ka kontribuar e shkruar disa raporte monitorimi dhe vlerësimi të OECD/SIGMA-s për Kosovën, si dhe shumë raporte të brendshme të qeverisë dhe dokumente të politikave që kanë të bëjnë me administratën publike. Pasi ka qenë i përfshirë në shoqërinë civile, profesionalisht si trajner e studiues, Ruzhdiu e kupton mirë dhe ka përvojë të mirë në krijimin e politikave pjesëmarrëse, barazinë gjinore dhe mbështetjen për komunitetet pakicë dhe grupet e cenuara. Gjuha e tij amtare është shqipja. Mund ta kuptojë serbishten dhe flet rrjedhshëm anglishten.
-
Shqipe Gjocaj (Kosovë)
Shqipja është specialiste për çështje gjinore, aktiviste feministe dhe gazetare e pavarur. Ka tetë vjet përvojë pune në sektorin e shoqërisë civile dhe media. Ka punuar për disa projekte në OJQ lokale si hulumtuese dhe menaxhere e projekteve, posaçërisht në anti-korrupsion, procese zgjedhore dhe të drejta të njeriut. Çështjet gjinore janë pika kryesore e punës së saj; perspektiva gjinore në zgjedhje dhe procese politike, përfshirja e çështjeve gjinore në politika dhe vende të punës, të drejtat riprodhuese të grave, përfaqësimi gjinor në media, LGBTQ +, dhe çështje të tjera që mbulojnë politikat gjinore dhe seksualitetin. Është kontribuuese e rregullt në Prishtina Insight, ku shkruan për politikën dhe shoqërinë nga perspektiva gjinore dhe të drejtave të njeriut. Artikujt e saj janë botuar gjithashtu në Kosova 2.0, sbunker dhe Reuters. Ka magjistruar në Studime Kulturore në Universitetin e Hedmarkut, Norvegji, dhe ka diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës. Ishte bashkëpunëtore në Ballkan Fellowship for Journalistic Excellence (2017) [Bursa Ballkanike për Ekselencë në Gazetari]; një program i K2.0 për Bursa për Gazetari në Fushën e të Drejtave të Njeriut (2019); pjesëmarrëse në IVLP: Gratë Udhëheqëse – Promovimi i Paqes dhe Sigurisë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Pasi ka qenë e përfshirë në shoqërinë civile, profesionalisht si hulumtuese e trajnere, dhe individualisht si aktiviste, Shqipja zotëron mirë aktivizmin qytetar, hartimin e politikave pjesëmarrëse, ndërtimin e anëtarësisë, barazinë gjinore dhe mbështetjen për komunitetet pakicë dhe grupet e cenuara. Gjuha e saj amtare është shqipja dhe flet e shkruan rrjedhshëm anglishten.
-
Violeta Hyseni Kelmendi (Kosovë)
Është eksperte për media dhe komunikim me 19 vjet përvojë pune profesionale në këtë fushë. Ka punuar me organizata komplekse si Zyra e Kryeministrit (ZKM), Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), dhe projekte të ndryshme të donatorëve ndërkombëtarë (BE, SIDA, GIZ dhe të tjera), si dhe me media kryesore kombëtare e ndërkombëtare. Violeta është përfshirë fuqimisht në përmirësimin e mëtejmë të qasjes së Qeverisë së Kosovës lidhur me komunikimin e politikave dhe legjislacionit dhe konsultimin publik. Ka përvojë të gjerë me projekte komunikimi dhe strategji për diplomacinë publike dhe menaxhimin e palëve të interesuara; prandaj ajo posedon njohuri të mira të ciklit për menaxhimin e projekteve. Pasi ka punuar si gazetare për më tepër se një dekadë – kryesisht si korrespondente e BBC-së nga Kosova – Violeta ka raportuar për çështjet aktuale, ndërsa ka njohuri të thella për kontekstin socio-politik në Kosovë dhe procesin e demokratizimit në përgjithësi. Ajo ishte gjithashtu aktive në shoqërinë civile, duke ofruar mbështetje profesionale, përfshirë trajnime për ndërtimin e kapaciteteve, mentorim dhe vlerësim të propozimeve për grante. Violeta është profesioniste e besueshme, entuziaste dhe optimiste, është në gjendje ta mbajë lart frymën e ekipit gjatë kohëve nën tension. Gjuha e saj amtare është shqipja dhe flet rrjedhshëm anglishten dhe serbishten.
-
Visar Jasiqi (Kosovë)
Ka më shumë se 18 vjet përvojë në udhëheqjen e nismave për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, menaxhimin e programeve dhe projekteve të ndryshme të financuara nga donatorët dhe pune me filantropët për të mbështetur kauzat arsimore në Kosovë. Plotësisht është i bindur në transformimin socio-ekonomik të Kosovës përmes iniciativave të zgjeruara lokale të shoqërisë civile që adresojnë barazinë dhe ndihmojnë personat e margjinalizuar për të kuptuar faktorët socialë, politikë dhe ekonomikë që ndikojnë në jetën e tyre si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për fuqinë e tyre dhe të ndërtojnë kapacitetet për të kontrolluar jetën e tyre.
Pasioni i tij për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, përkushtimi ndaj zhvillimit shoqëror dhe ekspertizës dhe certifikimit si profesionist për menaxhimin e projekteve (PMP)® e kanë shtyrë drejt udhëheqjes së projekteve shumëvjeçare në shkallë të gjerë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, USAID, SDC, Ambasadën e Norvegjisë, GIZ dhe donatorët tjerë. Ka menaxhuar “Projektin TechECDL” në të cilin u trajnuan më shumë se 13000 mësues para-universitarë të Kosovës në njohuri kompjuterike dhe përdorimin e kompjuterit, projektin e USAID TLP IPSC për përgatitjen 1150 kosovarëve për pranim në universitetet amerikane dhe 1000 nëpunësve publik në zhvillimin dhe udhëheqjen e politikave publike, ka iniciuar projektin “Femrat në TI – FTI” në të cilin u trajnuan 70 vajza të reja për t'u bashkuar me fuqinë punëtore të TI, si dhe mbikëqyr shumë projekte të tjera të organizuara në Institutin e Trajnimit dhe Zhvillimit në RIT Kosovë (AUK). Ka përvojë të madhe në propozimet për grante, monitorimin dhe notimin, si dhe vlerësimin e ndikimit të aktivizmit qytetar. Gjuha e tij amtare është shqipja dhe flet edhe gjuhën angleze dhe serbe.