EJA Kosovë
Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që do t’i mbështesë nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ndërtimit të kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. E themeluar si mekanizëm i financimit ku disa donatorë i bashkojnë fondet e tyre për përkrahjen e shoqërisë civile, EJA Kosovë aktualisht financohet bashkërisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Qeveria e Luksemburgut (Luksemburgu).
Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve përgjatë tërë punës së shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy qëllimeve kryesore ku: (a) shoqëria civile shfrytëzon hapësirat për avokim dhe synon krijimin e mundësive/hapësirave të reja për pjesëmarrje të qytetarëve dhe qytetareve në formësimin e çështjeve me interes publik dhe (b) organizatat e shoqërisë civile forcojnë lidhjet me qytetarë dhe përmirësojnë llogaridhënien dhe transparencën ndaj anëtarëve dhe publikut të gjerë.
EJA Kosovë bazohet në premisën që përmes sistemeve të gjithëpërfshirjes, transparencës dhe llogaridhënies nga njëra anë, dhe qasjes dhe komunikimit më të mirë me qytetarë, nga ana tjetër, OShC-të do ta përbrendësojnë praktikën e përfshirjes së qytetarëve në punën e tyre dhe do të zhvillojnë një bashkëpunim më të thellë duke i kontribuar kështu drejtpërdrejt forcimit të lidhjes me grupet e qytetarëve për të cilët angazhohen. E kombinuar me qeverisje të brendshme më të mirë dhe transparencë e llogaridhënie të shtuar, EJA Kosovë pritet të rrisë besimin në shoqërinë civile si një platformë e përshtatshme për t’i shprehur shqetësimet e qytetarëve.
EJA Kosovë do të mbështesë nismat që do të përqendrohen në adresimin e të drejtave dhe nevojave të grupeve të margjinalizuara, përkatësisht grave, personave me aftësi të kufizuara, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve dhe pakicës serbe, LGBTI, të moshuarve dhe të rinjve. Aktivitetet e mbikëqyrjes, monitorimi i zbatimit të politikave dhe legjislacionit, kontributi në temat kontraverse, përmirësimi i përfaqësimit të grupeve të margjinalizuara, krijimi dhe shfrytëzimi i hapësirave publike, ngritja e vetëdijesimit dhe edukimi në luftimin e stereotipeve gjinore dhe përfaqësimi i grupeve të nënpërfaqësuara do të ishin si ilustrime të disa prej nismave që do të mbështeten dhe përshtaten brenda teorisë më të madhe të ndryshimit të këtij programi.