-
1.Kur është afati i fundit për aplikim?
Grantet për projekte nuk kanë afat të aplikimit. Periudha e aplikimit është vazhdimisht e hapur. Aplikacionet për grante për projekte mund të dërgohen në çdo kohë përmes emailit në
[email protected]. Derisa, aplikacionet për grante institucionale pranohen çdo ditë pune, prej orës 10:00 deri në 16:00, ndërsa të premteve deri 14:00, në zyret e KCSF-së.
-
2.Cilat data me rëndësi duhet t’i dijë aplikanti para se të aplikojë?
Hapja e mundësisë së aplikimit për grante të projekteve për objektivin/rezultatin I: tetor, 2015.
Hapja e mundësisë së aplikimit për grante institucionale për objektivin/rezultatin I: janar, 2016.
Afati i fundit për mbylljen e të gjitha aktiviteteve të grantistëve: tetor 2018.
GAB-i do të mblidhet mesatarisht çdo dy muaj për të shqyrtuar aplikacionet për grantet për projekte, ndërsa do të mblidhet së paku një herë në vit për të shqyrtuar aplikacionet për grante institucionale. Sa i përket nominimeve çmime, GAB mblidhet një herë në vit.
-
3.Sa është buxheti i projekteve?
Shuma minimale dhe maksimale e financimit nuk është e caktuar. Aplikuesit inkurajohen të prezantojnë buxhete efektive dhe reale në raport me projektin e prezantuar.
-
4.Sa është kohëzgjatja e granteve?
DSP nuk ka paracaktuar afatet kohore të projekteve. Megjithatë, kohëzgjatja e një projekti nuk duhet ta tejkalojë periudhën prej 24 muajsh dhe duhet të jetë në përputhje me qëllimin dhe rezultatet e pritura. Derisa, kohëzgjatja e grantit institucional mund të jetë 2-3 vjet.
-
5.A mund të aplikojnë bizneset në DSP?
Bizneset nuk mund të aplikojnë në asnjërin nga instrumentet e DSP-së.
-
6.Kush mund të aplikojë për grante për projekte?
Organizatat e shoqërisë civile dhe nismat e paregjistruara.
-
7.Kush mund të aplikojë për grante institucionale?
Vetëm organizatat e shoqërisë civile mund të aplikojnë për grante institucionale.
-
8.A pranohen forma tjera të projekt-propozimeve apo buxhetit, përveç formave të aplikimit të DSP-së?
Asnjë formë tjetër e projekt-propozimit ose buxhetit nuk pranohet, përveç formave të veçanta të aplikimit të DSP-së, të cilat mund të shkarkohen nga faqja e internetit e DSP-së.
-
9.Për të aplikuar, a është e domosdoshme certifikata e regjistrimit si OJQ?
OJQ-të e regjistruara duhet të bashkangjesin certifikatën e regjistrimit si OJQ. Ndërsa për nisma të paregjistruara mjafton të ofrohet dëshmi për funksionimin e nismës qytetare. Kjo dëshmi mund të jetë listë e anëtarëve, peticion, vërtetim të aktiviteteve të përbashkëta, fotografi e të ngjashme.
-
10.A pranohen aplikacionet në gjuhën angleze?
Po. aplikuesit mund të dërgojnë format e aplikimit në gjuhën shqipe, serbe ose angleze.
-
11.Aplikacionet për grante për grante për projekte, a duhet të dërgohen edhe me postë ose në zarf?
Jo, nuk ka nevojë. Aplikacionet për grante për projekte mjafton të dorëzohen vetëm në formë elektronike në formatin .doc ose .pdf me e-mail në
[email protected]
-
12.Cilat dokumente shtesë duhet të dorëzohen me rastin e aplikimit?
Secila formë e aplikimit jep udhëzimet e sakta. Ju lutem kujdesuni që i keni të gjitha dokumentet që kërkohen për aplikimet specifike. Kujdes! Për grante për projekte dhe për grante institucionale procedurat e aplikimit dhe dokumentet e kërkuara ndryshojnë. Vetëm aplikacionet e plota do të shqyrtohen.
-
13.Kush cilësohet si “partner i projektit”?
Të gjitha organizatat apo institucionet të cilat kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e ndonjë pjese të projektit mund të jenë partnerë të projektit. Organizatat apo institucionet të cilat janë pjesë e grupit të synuar të projektit apo marrin pjesë në ndonjë aktivitet të projektit, por nuk kanë rol në organizimin dhe/ose zbatimin e aktivitetit, nuk janë partnerë të projektit.
-
14.A pranohet bashkë-financimi nga mjetet vetanake apo ndonjë donator tjetër?
Bashkë-financimi nga mjetet vetanake të aplikuesit apo nga ndonjë donator tjetër nuk është i detyrueshëm, mirëpo pranohet dhe inkurajohet nga DSP. Nuk ka përqindje apo vlerë të caktuar për bashkëfinancim.
-
15.A mund të përdoret e forma e aplikimit e njejtë për grantet për projekte dhe grantet institucionale?
Jo. Duke pasur parasysh ndryshimin në procedurë të aplikimit, forma e aplikimit për grante për projekte nuk është e vlefshme për aplikim për grante institucionale, dhe anasjelltas.
-
16.Së bashku me koncept dokumentin, cilat dokumente tjera duhet të dorëzohen me rastin e aplikimit?
Me rastin e aplikimit duhet të bashkangjiten edhe këto dokumente:
Certifikata e regjistrimit të organizatës ose dëshmia mbi funksionimin e nismës qytetare;
Buxheti i plotësuar në formën në formatin excel;
Në rast se aplikanti ka siguruar bashkëfinancim për projekt-propozimin, bashkëngjitni dëshminë e bashkëfinancimit (psh. kontratën, vendimin, zotimin etj).
Në rast se aplikanti ka një partner në aplikacion, duhet të bashkëngjesë “Memorandumin e bashkëpunimit” që dëshmon partneritetin dhe i cili përmban informata mbi përgjegjësitë dhe rolin e partnerit.
Nëse aktivitetet e projektit janë të varura nga bashkëpunimi me ndonjë institucion publik (p.sh. kuvend, ministri, gjykatë, prokurori, komunë, agjenci e pavarur etj.), aplikanti duhet të bashkëngjesë dokumentin që dëshmon atë bashkëpunim (memorandum bashkëpunimi, letër e përkrahjes, letër e zotimit etj.).
-
17.A mund të aplikojmë më disa aplikacione njëkohësisht?
Të interesuarit mund të aplikojnë me më shumë se një aplikacion. Megjithatë, aplikantët nuk mund të jenë njëkohësisht përfitues të dy granteve për projekt, apo të grantit për projekt dhe të grantit institucional.
-
18.A është i domosdoshëm Raporti i Auditimit i organizatës?
Jo, raporti i Auditimit i organizatës së shoqërisë civile që aplikon për fonde në DSP nuk është obligativ. Ju lutem konsultoni Ligjin 03-L-134 për Liri të Asociimit në OJQ, rreth obligimeve për auditim të OJQ-ve të regjistruara në Kosovë. Megjithatë, me rastin e aplikimit për grantet institucionale, të gjithë aplikuesit duhet të dorëzojnë bilancet financiare të organizatës për dy vitet e fundit.
-
19.A mjafton që aplikimin për grant institucional ta dërgojmë me email?
Jo, nuk mjafton. Aplikacionet duhet të dorëzohen në një (1) origjinal dhe një (1) kopje të formatit A4 në zyret e KCSF-së. Dokumentet e kompletuara të aplikimit gjithashtu duhet të dorëzohen edhe në formë elektronike (CD-Rom).
-
20.Kush e bën vlerësimin e aplikacioneve?
Aplikacionet do të vlerësohen nga një trup i pavarur prej 5 anëtarëve i quajtur Bordi për Grante dhe Çmime (GAB). GAB kryesohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.
-
21.A do të njoftohemi mbi vendimin e GAB?
Varësisht nga takimi i Bordit për Grante dhe Çmime, KCSF-ja do t’ju kontaktojë me kohë. Aplikuesit do të informohen individualisht lidhur me vendimin e GAB-it. Gjithashtu, lista e grantistëve do të shpallet në webfaqen .