KCSF
NOMINONI KANDITATIN TUAJ PËR ÇMIMIN PËR DEMOKRACI TË DSP

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ju fton të nominoni kandidatët tuaj për edicionin 2019 të Çmimit për Demokraci, deri më 20 janar 2020!

KCSF pranon nominime për individë apo organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e Kosovës.

Çmimi për Demokraci ka për qëllim të nderojë dhe të njohë kontributet e organizatave dhe individëve, e që janë rezultat i ideve të reja, guximit intelektual ose arritjeve në procesin e demokratizimit të Kosovës.

KRITERET PËR PARAQITJEN E NOMINIMEVE

Të gjitha nominimet do të shqyrtohen veç e veç dhe do të vlerësohen nga një bord i pavarur, bazuar në këto kritere:

  • Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktivitet, projekt, etj.) në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë, gjatë vitit 2019;
  • Natyra inovative e nismës;
  • Ndikimi aktual ose i pritur i kësaj nisme, duke përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje;
  • Guximi i organizatës a individit shprehur përmes nismës në fjalë;

Vërejtje: Edhe pse me vlera dhe ndikim shumë domethënës për komunitetet dhe shoqërinë e gjerë, nismat dhe kontributet e natyrës së bamirësisë nuk janë pjesë e thirrjes.

Çmimi synon të nderojë të gjithë ata/ato që kanë kontribuar në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, nga të gjitha fushat, nëpërmjet angazhimit qytetar në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe/ose përmirësimit të të drejtave civile, sociale, ekonomike ose kulturore të grupeve të ndryshme të qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë në grupet e margjinalizuara.

Për pyetjet eventuale, ju lutem na shkruani në [email protected].

Çmimi për Demokraci ndahet në kuadër të skemës të granteve për shoqëri civile menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).

 

ÇMIMET E MËPARSHME

Çmimi për vitin 2016 – Fondacioni Lumbardhi nderohet me Çmimin për Demokraci

Më 20 dhjetor 2016 në Prishtinë, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO –K), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP) i ndanë “Çmimin për Demokraci 2016” Fondacionit Lumbardhi për iniciativën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren. Për më shumë, klikoni këtu.

Çmimi për vitin 2017 – Sinjalizuesi Murat Mehmeti dhe portali Insajderi nderohen me Çmimin për Demokraci

Denoncuesi i një skeme masive të evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), z. Murat Mehmeti, dhe gazeta online Insajderi, publikuese e një sërë hulumtimesh mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, morën Çmimin për Demokraci për vitin 2017.

Për më shumë, klikoni këtu.

Çmimi për vitin 2018 – Blert Morina dhe HAVEIT nderohen me çmimin për demokraci
Blert Morina dhe kolektivi artistik “Haveit” janë nderuar me Çmimin për Demokraci për vitin 2018 për kontributin e tyre në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në Kosovë.

Për më shumë, klikoni këtu

 

Dokumentet për aplikim

Pyetjet më të shpeshta

1. Kush mund të nominohet? Të drejtën për t’u nominuar e kanë të gjitha organizatat jo-profitabile, përfshirë këtu organizatat e shoqërisë civile, rrjetet formale dhe joformale, mediat, nismat qytetare, institucionet akademike dhe agjencitë e pavarura apo individët të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare. Të drejtën për t’u nominuar e kanë edhe grantistët e DSP-së. 2. Kush mund të nominoj? Nominimet mund t’i paraqes cilado organizatë, entitet apo person që ka informata të sakta dhe të detajuara mbi nismën e organizatës apo individit të nominuar. Të interesuarit mund të nominojnë edhe vetveten. Organizatat për përfitim nuk mund të nominohen. 3. Çka duhet të përmbajë dosja e nominimit? – Formularin për nominim jo më të gjatë se 7 faqe pa shtojca, të plotësuar dhe të nënshkruar; – CV-në e të nominuarit apo profilin e organizatës së nominuar; – Dokumentet përcjellëse (artikuj të shkruar për të nominuarin, referenca etj.); – Për organizatat e shoqërisë civile, një kopje të certifikatës së regjistrimit; Për iniciativat qytetare një dëshmi mbi funksionimin e nismës – Për entitetet tjera, një kopje të dokumentit themelues apo të ndonjë dokumenti tjetër të barasvlefshëm. 4. Si bëhet dorëzimi i dokumentacionit? Dokumentet e plotësuara duhet të dorëzohen personalisht, në një zarf të mbyllur me mbishkrimin “Për Çmimin e DSP-së për Demokraci”, në zyret e KCSF-së, (Musa Tolaj, Lam A, H1, Kat.12, nr. 65-1, Lakrishtë, Prishtinë, Kosovë). Zarfi duhet të përmbaj të gjitha dokumentet edhe në formë elektronike, të regjistruara në një CD. 5. Së bëhet shqyrtimi i nominimeve të pranuara? Të gjitha nominimet do të shqyrtohen veç e veç dhe do të vlerësohen nga Bordi për Grante dhe Çmime (GAB) i DSP-së, bazuar në këto kritere: – Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktiviteti, projekti etj.) në njërën prej fushave programore të DSP-së gjatë periudhës kohore 2011- 2017; – Natyra inovative e nismës; – Ndikimi i kësaj nisme duke përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje; – Kurajoja dhe guximi i organizatës a individit shprehur përmes nismës në fjalë.