Rigrantimi gjatë 2018-tës dhe pjesës së parë të vitit 2019
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me buxhet për grante mbi 2 milion Euro në vit, është një nga partnerët kryesorë të donatorëve bilateral. Përkrahja e KCSF-së dhe partnerëve të saj, ka për qëllim zhvillimin e shoqërisë civile në Kosovë, përkrahjen e OJQ-ve dhe iniciativave qytetare për të zhvilluar demokracinë në vend, si dhe mobilizim të potencialit për të kontribuar në procesin e integrimit europian.
KCSF vazhdon me zbatimin e skemave të granteve të financuara nga qeveritë e Suedisë, Zvicrrës, Luksemburgut, Norvegjisë dhe Kanadasë. Përmes marrëveshjeve dypalëshe me këta donatorë, krahas angazhimit për arritjen e misionit të saj, KCSF synon edhe arritjen e objektivave dhe rezultateve të veçanta të përcaktuara së bashku me partnerët e saj. Përpos granteve të ndara që zbatohen me OJQ-të partnere nga granti institucional i përkrahur nga Sida suedeze, KCSF ka zhvilluar edhe ndërhyrje të mëdha, unike dhe komplementare mes tyre. Këto forma të përkrahjes përfshijnë grantet për rrjetëzim dhe përfaqësim ndërkombëtar të cilat paraqesin format e vetme të përkrahjes së këtillë në Kosovë. Përmes këtyre fondeve OJQ-të kanë mundësi të anëtarësohen në rrjete ndërkombëtare ndërsa përfaqësuesit e tyre të prezantohen në ngjarje të ndryshme. Gjithashtu, përmes thirrjes se veçantë KCSF ka përkrahur disa organizata partnere për të kontribuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe prioriteteve afatshkurta nga Agjenda Europiane e Reformave. Derisa, me qëllim të monitorimit të zbatimit të rregullores për standardet minimale për konsultim publik, KCSF ka kontraktuar 14 organizata të cilat bazuar në një metodologji unike e të përbashkët kanë bërë monitorimin gjatë vitit 2018, me synimin për të përmirësuar politikë-bërjen dhe përfshirjen qytetare në vendimmarrje.
Përmes skemës Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) e cila në fazën e dytë është përkrahur nga qeveritë e Zvicrës dhe Danimarkës, ka ofruar ndër tjera grante institucionale, grante për projekte dhe çmime për organizata të shoqërisë civile dhe iniciativa qytetare. Afër 100 projekte e iniciatiave janë përkrahur në kuadër të DSP-së me një buxhet të përgjithshem mbi 4 milion EUR. Në vitin 2017 ka filluar zbatimi i skemës ri-grantuese të financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut që ka për qëllim të përgjithshëm të përkrahë iniciativat e shoqërisë civile në Kosovë, përmes mbështetjes financiare të OJQ-ve, në fushën e integrimit social të të rinjve, përkrahjen e raportimit të drejtë në gazetari dhe rritjen e njohurive mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe Integrimit Evropian.
Ndërkohë, ka filluar zbatimi i programit tre-vjeçar (2018-2021) për shoqërinë civile për Shqipërinë dhe Kosovën i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë. Shuma e kësaj përkrahje është 1,5 milion EUR për 3 vite për dy vendet. Qëllimi i përgjithshëm i këtij programi është të mbështesë pjesëmarrjen demokratike dhe zhvillimin e një shoqërie civile të fuqishme dhe aktive në Shqipëri dhe Kosovë, që shtyn përpara procesin e anëtarësimit në BE përmes kontributit në njërën nga pesë fushat tematike si mosdiskriminimi dhe barazia gjinore, mediat e pavarura, pakicat dhe grupet e margjinalizuara, mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër korrupsionit.
Po ashtu, KCSF menaxhon skemën për iniciativat për zhvillim lokal dhe të drejtat e njeriut përkrahur nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale ndërsa më herët ka zbatuar edhe Skemën e granteve që përkrah iniciativat me bazë në komunitet (grassroots) që kontribuojnë në ndryshime pozitive në shoqëri në nivelin lokal e cila përkrahet nga Bashkimi Europian.
Që nga fillimi i DSP-së në vitin 2011 numri i granteve të ndara nga KCSF ka arritur shifrën 300 ndërsa që nga fillimi i funksionimit të KCSF-së numri i granteve kalon numrin 450.
Viti 2018 dhe pjesa e parë e vitit 2019 kanë qenë dinamik, të karakterizuar me zbatimin e skemave ekzistuese, dizajnimin e skemave të reja, si dhe zhvillimin e programeve dhe instrumenteve përkrahëse për sektorin, e të cilat janë komplementare me skemat tjera aktive.
Ndër të tjera, kjo ka qenë e mundur edhe falë fleksibilitetit të bazuar në nevoja të sektorit, partneritetit të sinqertë dhe përkrahjes bujare nga donatorët e KCSF-së.