U mbajt konferenca “Bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe Qeverisë në procesin e Integrimit Europian” ~ Prishtinë, 21 Tetor 2010

KCSF, në bashkëpunim me Ministrinë për Integrim Europian dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushës nga shtetet e rajonit, prezentoi dokumentin e politikave që synon të propozojë format konkrete të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe kësaj ministrie në procesin e Integrimit Europian.

Dokumenti i punuar enkas si material diskutimi për këtë konferencë, përmban një analizë të përvojave më të mira të rajonit dhe situatës aktuale në fushën e bashkëpunimit Qeveri – shoqëri civile në fushën e integrimit europian, sikurse edhe identifikon fushat dhe mekanizmat të cilat duhet të konsiderohen në të ardhmen në kuadër të këtij bashkëpunimi. Ky dokument, që i’u prezentua pjesëmarrësve nga KCSF dhe mysafirët nga Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia, do të shërbejë si një bazë fillestare e diskutimeve dhe analizave të mëtejshme, e të cilat gjatë muajve në vijim do t’ë shërbejnë për identifikimin dhe krijimin e formave konkrete të bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Integrimit Europian dhe shoqërisë civile.

Pjesëmarrësit e kësaj konference, që përfaqësonin organizata të shoqërië civile dhe institucione publike të fushës, kontribuan me komentet dhe diskutimet e tyre, duke shnëuar kështu hapjen e një debati gjithpërfshirës për temën në fjalë.

Pjesëmarrësit nga të gjitha palët u pajtuan që Ministria për Integrim Europian duhet të krijojë hapësirë për përfshirje të shoqërisë civile në mekanizmat dhe forumet ekzistuese të procesit të integrimit europian, ndërsa bashkërisht më shoqërinë civile dhe autoritetet tjera publike, të hulumtojnë dhe të arrijnë konsensus për krijimin e mekanizmave të reja që do ta thellonin këtë bashkëpunim.

Konferenca u organizua në kuadër të Shkollës për Integrim Europian, që përkrahet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondi Europian për Ballkanin (EFB).