Thirrje për punë praktike në KCSF

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ofron punë praktike për të interesuarit. Duke u bërë pjesë e KCSF, do t’i bashkoheni një ekipi dinamik dhe të përkushtuar që është në krye të mbështetjes së iniciativave qytetare në Kosovë që nga viti 1998.

Puna juaj në KCSF nuk do t’ju ofrojë vetëm përvojë praktike, por gjithashtu do t’ju ekspozojë ndaj proceseve dhe individëve kyç që formësojnë shoqërinë civile në Kosovë. Do të keni mundësinë të mësoni nga një ekip i angazhuar në aktivitete të shoqërisë civile dhe të bëheni pjesë e një ekipe frymëzuese që me pasion përkushtohet për parimet e drejtësisë shoqërore.

Nëse kërkoni të bëheni pjesë e një organizate që vlerëson zhvillimin tuaj, promovon gjithëpërfshirjen dhe beson në fuqinë transformuese të shoqërisë civile, ju ftojmë të aplikoni për punë praktike.

Puna praktike ofrohet në dy departamente të ndryshme brenda KCSF-së.

Për punë praktike në ngritjen e kapaciteteve për OShC-t, do jeni përgjegjës për:

  1. Mbështetje në ngritjen e kapaciteteve për OShC-të
  • Analizim i dokumenteve për vlerësimin e nevojave për trajnim për OShC-të
  • Identifikon fusha për mentorim për OShC-të
  1. Hulumtim rreth ambientit punues për OShC-të
  • Mbledhë dhe organizon të dhëna rreth ambientit të punues për OShC-të
  • Identifikon dhe zhvillon fusha për materiale edukuese
  • Kryen analiza dhe vizualizim
  1. Mbështetje dhe bashkëpunim
  • Mbështetë planifikimin, koordinimin dhe logjistikën e trajnimeve për ngritje të kapaciteteve
  • Bashkëpunon me ekipin në takime dhe diskutime

Për punë praktike në hulumtim dhe avokim, do jeni përgjegjës për:

  1. Mbështetje në hulumtim dhe analizë të të dhënave
  • Kryen rishikim të literaturës, mbledhje të të dhënave dhe analizë për temat që ndërlidhen me zhvillimin e shoqërisë civile
  • Sintetizon gjetjet e hulumtimit
  • Kryen analiza statistikore dhe krijon vizualizime
  1. Menaxhim i të dhënave dhe sigurim i cilësisë
  • Mbledhë dhe organizon të dhëna në databaza
  • Identifikon dhe korrigjon mospërputhjet, duke kryer kontrolla të validimit.
  • Mbanë dokumentimin e qartë të të dhënave dhe siguroni saktësinë e tyre
  1. Raportim dhe komunikim
  • Përgatitë raporte të shkurtra të gjetjeve
  • Kontribuon në krijimin e përmbajtjes për ueb faqe dhe mediat sociale të KCSF
  1. Mbështetje dhe bashkëpunim
  • Mbështetë planifikimin, koordinimin dhe logjistikën e hulumtimit
  • U përmbahet protokolleve të privatësisë dhe sigurisë së të dhënave
  • Bashkëpunon me ekipin në takime dhe diskutime

Kushtet, kualifikimet që kërkohen:

  • Kandidatët duhet të jenë në vitin e fundit të studimeve të tyre bachelor ose të kenë diplomuar rishtazi.
  • Drejtimet e preferuara janë në fushën e shkencave shoqërore, si sociologji, antropologji, ekonomi, shkencat politike, administrata publike, ose degë të ngjashme.
  • Interesim i veçantë në zhvillimin e shoqërisë civile dhe drejtësisë shoqërore, si dhe pasion për këtë fushë.
  • Aftësi bazë kërkimore, përfshirë aftësinë për mbledhje dhe analizë të të dhënave, të sintetizimit të informatave nga burimet e ndryshme.
  • Aftësi efektive të komunikimit me shkrim dhe gojarisht në gjuhën shqipe për përgatitjen e raporteve dhe ndarje idesh me ekipin.

Si të aplikoni:

Dokumentet e nevojshme për aplikim:

  • Letër motivimi me theks në njohuritë, interesimin dhe përvojën tuaj;
  • CV;
  • Një letër reference;

Dokumentet e lartshënuara duhet të dërgohen më së largu deri më 7 nëntor 2023, në adresën: [email protected], duke shënuar në subjekt: pozitën për punën praktike që aplikoni.

Pas aplikimit:

Vetëm kandidatët(et) e përzgjedhur(a) në listën e ngushtë do të kontaktohen. Varësisht nga cilësia e aplikacioneve dhe numri i kandidatëve(eve) të përzgjedhur(a) në listën e ngushtë, KCSF mund të kërkojë nga kandidatët(et) e listës së ngushtë t’i nënshtrohen intervistave. Në mungesë të aplikacioneve të përshtatshme, KCSF mban të drejtën që të mos përzgjedhë asnjë nga kandidatët(et) e paraqitur(a).

KCSF është organizatë e cila e vlerëson diversitetin brenda stafit, përkushtohet për mos-diskriminim dhe siguron trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve e kandidateve gjatë procedurës së rekrutimit, pa paragjykime, pavarësisht nga gjinia, raca, feja, mosha, përkatësia kombëtare, orientimi seksual, gjendja martesore, vendbanimi, nevojat e veçanta apo ngjyra.

Puna praktike është me orar të plotë, dhe kërkohet prezenca fizike në zyret e KCSF-së në Prishtinë. Kohëzgjatja e punës praktike do të jetë nga 15 nëntori 2023 deri më 15 qershor 2024. KCSF synon që angazhimi për punë praktike të fillojë nga 15 nëntor 2023. Për këtë angazhim do të ketë kompensim financiar simbolik.

Kandidatët që tregojnë dedikim dhe interesim të mirëfilltë do të kenë mundësinë e punësimit në KCSF.