Mbahet tryeza e ekspertëve mbi praktikat më të mira në procesin e pjesëmarrjes qytetare~12 Maj 2011, Prishtinë

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i përfshirjes së shoqërisë civile në politikë-bërjen demokratike në Kosovë” KCSF organizon një tryezë të ekspertëve mbi praktikat më të mira europiane në procesin e pjesëmarrjes qytetare, më 12 Maj 2011 (E Enjte), me fillim nga ora 10:00, në Hotel AFA në Prishtinë.
Pas një serie të gjatë të studimit të gjendjes aktuale në Kosovë dhe praktikave të mira europiane, kontributit në kornizën ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve të sektorit qeveritar dhe jo-qeveritar, KCSF do të prezantojë “Kodin e Praktikave të Mira për Pjesëmarrje Qytetare”, dokument ky i Këshillit të Europës i vlefshëm për të gjitha vendet europiane që përfshin elementet kryesore për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrjen demokratike në të gjitha nivelet.

Prezentimi do të pasohet nga diskutimet e panelistëve nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që mirren me këtë fushë.

Gjithashtu, KCSF do të lansojë Thirrjen për Interes për ndihmë ligjore për të gjitha OJQtë e interesuara për t’u përfshirë drejtpërdrejtë në hartimin e ndonjë dokumenti publik, në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë.

Kjo punëtori përkrahet financiarisht nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Demokraci (UNDEF).