KCSF lansoi tri publikime rreth pjesëmarrjes qytetare në Kosovë

KCSF në kuadër të aktiviteteve të veta drejt rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendim-marrje dhe duke synuar të diskutojë për arritjet dhe sfidat kryesore drejt krijimit të mekanizmave funksional që e lehtësojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e autoriteteve publike në Kosovë, organizoi një konferencë rreth kësaj teme, në të cilën u prezentuan tri publikime të reja të KCSF-së:

  1. “Ne dhe ata – Pjesëmarrja qytetare në Kosovë”
  2. “Praktikat më të mira europiane të pjesëmarrjes qytetare”
  3. “Udhëzues për procesin e konsultimeve publike”

Prezentimi i publikimeve u pasua nga diskutimet e të ftuarëve: z. Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë dhe Zv/kryeministër  në Qeverinë e Kosovës, dhe z. Khaldoun Sinno, Udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë . Përvojat e rajonit për pjesëmarrjen qytetare i paraqitën z. Miljenko Dereta – Drejtor Ekzekutiv i Iniciativave Qytetare, Serbi dhe znj. Erisa Çela – Udhëheqëse e Programit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Shqipëri, ndërsa pjesëmarrës të shumtë diskutuan rreth arritjeve dhe sfidave kryesore në këtë fushë.

KCSF dhe një numër i madh pjesëmarrësish tjerë vlerësuan se përkundër disa zhvillimeve pozitive në avancimin e kornizës ligjore në këtë fushë, pjesëmarrja qytetare në Kosovë mbetet ende larg standardeve të kërkuara europiane. Vullneti politik për t’i përfshirë qytetarët në vendim-marrje, korniza adekuate ligjore dhe kapacitetet e shërbyesëve civil për këtë proces mbeten sfida që duhen adresuar nga institucionet kosovare, ndërsa reagushmëria më e madhe ndaj nevojave të qytetarëve, kapacitetet për të kontribuar në hartimin e politikave dhe ligjeve dhe platformat sektoriale të shoqërisë civile janë çështjet kryesore me të cilat duhet të ballafaqohet shoqëria civile.