Bashkohu në dialogun për largimin gradual të thëngjillit dhe tranzicionin e drejtë në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë

E drejtuar bashkarisht nga Komisioni Evropian dhe nga partnerët ndërkombëtarë të tij, Iniciativa për rajonet thëngjillore në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë i fton të gjitha palët e interesuara që të bashkohentakimin vjetor të iniciativës, me 23-24 qershor. Qëllimi i ngjarjes është që ta mbështesë dialogun e hapur në mes të të gjitha grupeve të synuara për largimin gradual të thëngjillit dhe tranzicionin e drejtë drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi, dhe Ukrainë.

Qëllimi i iniciativës është që bashkarisht të hulumtohen rrugët për një tranzicion të drejtë në rajonet thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë, dhe të ndihmohet e punohet në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër. E krijuar në kontekstin e angazhimit të Bashkimit Evropian për të adresuar ndryshimet klimatike dhe për të përmbushur synimet e Marrëveshjes së Parisit, me shkëmbimin e ndërsjelltë në mes shteteve fqinje dhe ambicien për t`u bërë ekonomia e parë me transmetim zero të karbonit deri në vitin 2050, iniciativa përfshin masat përcjellëse për tranzicion të shpejtë e të drejtë të rajoneve thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.

Iniciativa drejtohet nga Komisioni Europian dhe gjashtë partnerë bashkëpunues ndërkombëtarë: Banka Botërore, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Fondi Kombëtar për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Menaxhimin e Ujërave (NFOSiGW) në Poloni, dhe Kolegji i Evropës në Natolin. Ajo synon të nxisë dialogun përgjatë rajoneve dhe ndërmjet palëve të interesuara përmes ndarjes së njohurive, ndërtimit të kapaciteteve dhe shkëmbimit ndërmjet rajoneve thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë, dhe ato në BE.

Iniciativa do të ofrojë mbështetje për rajonet thëngjillore që synojnë të implementojnë një tranzicion të drejtë drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë. Vendet në fokus janë Bosnja dhe Hercegovina, Kosova[1], Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina. Një sitje dhe shqyrtim fillestar ka identifikuar të paktën 17 rajone brenda këtyre vendeve, me aktivitete të ndjeshme të minierave të thëngjillit dhe prodhim të energjisë me djegie të thëngjillit që janë të ftuara për pjesëmarrje në këtë iniciativë. Rajone të tjera me aktivitete të ndjeshme të minierave të thëngjillit ose prodhim të energjisë me djegie të thëngjillit gjithashtu janë të mirëseardhura t’i bashkohen iniciativës. Për të mësuar më shumë rreth rajoneve, ju lutemi lexoni këtu.

Mbështetja e iniciativës përfshin pesë komponentë. Fillimisht, iniciativa do të ofrojë një platformë të hapur që lejon dialogun me shumë palë në mbarë rajonin përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të komunikimit. Të gjithë palët e interesuara janë të ftuara të bashkohen në dialog. Në mesin e grupeve të parashikuara të interesit janë autoritetet publike, aktorët e sektorit të energjisë, OJQ-të, hulumtuesit, bizneset, mediat, organizatat ndërkombëtare, partitë politike, etj.

Së dyti, iniciativa do të implementojë një program shkëmbimi nga një rajon thëngjillor te tjetri. Rajonet pjesëmarrëse nga Ballkani Perëndimor dhe Ukraina dhe BE do të krijojnë lidhje dhe do të ndajnë përvojat, njohuritë dhe praktikat më të mira mbi çështjet që lidhen me tranzicionin. Programi do të përfitojë nga përvoja plot sukses e Iniciativës për Rajonet Thëngjillore në Tranzicion, e krijuar për rajonet thëngjillore në vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2017.

Së treti, do të ndërtohen kapacitetet në radhët e palëve të interesuara relevante përmes një Akademie Mësimore të Rajoneve Thëngjillore që do të ofrojë trajnime të dedikuara për qeverisjen, angazhimin e komunitetit, bonifikimin e mjedisit dhe ridestinimin e tokës dhe pasurive.

Së katërti, rajoneve të përzgjedhura pilote do t’u ofrohet asistencë teknike në formën e mbështetjes me ekspertë për të zhvilluar hartat e tranzicionit për autoritetet relevante publike.

Krejt në fund, iniciativa do të ndihmojë rajonet thëngjillore të realizojnë qasje në financim për projektet ose programet e tranzicionit, bazuar në burime të ndryshme të disponueshme nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Detajet në lidhje me aktivitetet e iniciativës do të paraqiten në takimin e parë vjetor të saj. Ai do të mbahet më 23-24 qershor online dhe do të jetë i hapur për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar. Për të marrë informacion të mëtejshëm në lidhje me ngjarjen, ju lutemi abonohuni te iniciativa. Për më tepër, të interesuarit do të ftohen të jenë pjesë e databazës së grupeve të parashikuara, prej nga do të marrin të gjitha lajmet e fundit në lidhje me Iniciativën.

Për të mësuar më shumë rreth iniciativës, ju lutemi lexoni këtu.

* Emërtimi i Kosovës nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.